Ish-drejtuesi i lartë i shërbimit sekret rumun, këshilltar i kryeministrit Rama, akuzohet për korrupsion
15 Qershor 2024
Nga Gazeta Dita
Një prej këshilltarëve të jashtëm të kryeministrit Edi Rama, ish-zëvendësdrejtori i parë i shërbimit sekret të Rumanisë, Florian Coldea, po hetohet nga Drejtoria Kombëtare e Antikorrupsionit në Rumani për korrupsion.
Në Tiranë, zyra e shtypit të kryeministrit shqiptar, në një reagim për rastin në fjalë i cilësoi akuzat ndaj z.Coldea si “çështje ujërash të zeza politike e mediatike”.
Ish-drejtuesi i lartë i shërbimit sekret rumun është marrë nën hetim në 24 maj dhe bazuar në njoftimin e prokurorisë rumune akuzohet se bashkë me 2 persona të tjerë “i kanë kërkuar një biznesmeni (kallëzuesit) shumën prej 700,000 euro plus TVSH-në, në këmbim të së cilës i kanë lënë të besojë se ai do të kishte ndikim tek disa magjistratë në disa gjykata dhe se do t’i bënte ata të jepnin vendime të favorshme për kallëzuesin në një çështje penale në të cilën ai po gjykohej” (Njoftimi për shtyp).
Prokuroria në Rumani nuk e identifikon Coldean, por mediat atje e kanë identifikuar atë si një nga të akuzuarit.
Ndaj Coldeas u morë masë për ndalimin e largimit nga Rumania, ndërsa sipas prokurorisë nga 700 mijë dollarët e kërkuar, vetëm 100 mijë ishin transferuar.
Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë shqiptare reagoi duke thënë se kallëzuesi është pronar i një televizioni i cili është dënuar për korrupsion.
“Ai është një i dënuar për korrupsion në Rumani dhe aktualisht ka një tjetër proces të hapur po për korrupsion”, thuhet në përgjigjen e AMI.
Në përgjigje nuk sqarohet kur Coldea filloi të punonte për kryeministrin Rama dhe as nëse ai vijon ta ketë këtë pozicion, por therksohet se ai “ka dhënë një ndihmë të çmuar me këshillat e tij për forcimin e institucioneve të sigurisë”.
Sipas një dokumenti të publikuar, Coldea ishte këshilltar i kryeministrit Edi Rama në vitin 2023.
Sali Berisha, ish-kryeministri i akuzuar për korrupsion dhe i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe shkoi më tej duke thënë se Coldea është i lidhur me kartelet e drogës.
Kryeministria i mohoi dhe i ironizoi akuzat për lidhjet e Coldea me kartelet të trafikut të narkotikëve. “Po ne jemi mësuar me këto estrada dhe s’kemi asnjë lloj shqetësimi për budallallëqet që lidhin rolin e zotit Coldea si këshilltar i jashtëm me telenovelën meksikane të kanalit të ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës që është derdhur së fundmi edhe në gotën mediatike rumune”, thuhet në reagim.
Ndërkohë sipas Agjencisë Kombëtare të Shtypit në Rumani Agerpress, kryeministri aktual Marcel Ciolacu, u shpreh i shqetësuar që Coldea pas punës në shërbimin e inteligjencës Rumune, kishte punuar si konsulent për të tretë.
Kryeministri i Rumanisë, citohet të ketë premtuar ndryshime ligjore, për të ndaluar situata të ngjashme.
Në përgjigjen e kryeministrisë shqiptare për rastin theksohet se Coldea kishte punuar si konsulent jo vetëm në Tiranë, por edhe për disa qeveri të tjera, dhe ai lavdërohet si një “faktor kyç për kalimin e SRI-së nga Sherbimi Sekret Komunist në një nga shërbimet më prestigjozë të inteligjencës në Europën Lindore dhe NATO”.
Ndër të tjera mediat në Rumani kanë publikuar edhe foto mes Coldeas dhe Dorian Duçkës, një tjetër këshilltar i kryeministrit Rama.
Duçka, ish-zëvendësministër i qeverisë shqiptare, u përmend edhe në hetimin e FBI në çështjen ndaj ish-agjentit Charles McGonigal, i cili u dënua me 2 vjet burg se mori 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve informative shqiptare.