Ish-këshilltari i Putin: Plagët në Ballkan mund të shërohen vetëm me jod, nuk ia falim NATO-s atë që i bëri Serbisë
Ish-këshilltari i Putin: Plagët në Ballkan mund të shërohen vetëm me jod, nuk ia falim NATO-s atë që i bëri Serbisë
25 Prill 2022
… “Një tjetër front në Ballkan do të hapet herët apo vonë”, u shpreh ai. “Tensionet që kanë mbetur herët apo vonë do të përshkallëzohen”.
“Votimi i Aktit Bazik të Rusisë dhe NATO-s në vitin 1997 dhe pamundësia për të ndalur [ndërhyrjen] e NATO-s mbi ish-Jugosllavi janë faqet më të turpshme të politikës së jashtme ruse”, ka thënë ish-këshilltari i Vladimir Putin, Sergei Karaganov.
Karaganov, i cili ka këshilluar Boris Yeltsin-in dhe Vladimir Putin, në intervistën e tij, bëri një varg akuzash kundër NATO-s, për të vazhduar edhe më tej eksploatimin e sentimenteve pro-ruse në Serbi. “Kurrë më nuk do ta përsërisim atë turp kundër Serbisë”, tha ai për Sputnik.
“Një tjetër front në Ballkan do të hapet herët apo vonë”, u shpreh ai. “Tensionet që kanë mbetur herët apo vonë do të përshkallëzohen”.
“Nuk ka dyshim që situata në Ballkan do të shpërthejë përsëri”, vazhdoi ai, derisa fajësoi Perëndimin se “kanë lënë shumë plagë të hapura” në Ballkan.
“Këto janë plagë që realisht mund të shërohen vetëm me jod”, u shpreh ai.
Shkencëtari politik rus tha se Rusia e kupton pozicionin e Serbisë dhe “qëndrimet parimore të tyre”.
“Në të njëjtën kohë, ne nuk duam që Serbia të varfërohet për shkak qëndrimit të tyre parimor”, tha Karaganov.
Që nga fillimi i agresionit rus mbi Ukrainën janë ngritur alarme për mundësinë e bartjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor. Liderët rajonalë, të vetëdijshëm ndaj rrezikut që kanoset, vazhdimisht kanë ngrerë shqetësimet e tyre.
Strehat ruse në rajon, kanë argumentuar ata, janë Serbia dhe entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë, “Republika Srpska”.
“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior [Serbia] organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë”, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën kur bëhen dy muaj që nga agresioni rus mbi Ukrainën.
“Miqtë e Putinit në Serbi dhe në entitetin serb të Bosnjes “Republika Srpska” synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan”, shkroi kryeministri i Kosovës.
T’i besohet deklaratave të Beogradit e cila armatoset nga veriu e lindja, tërë kohën, Kurti tha se është naivitet.
“Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit”, tha ai.
“Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar”.
Kurti rikujtoi se taktikat e njëjta si ajo e Putinit që përdori për agresionin e tij mbi Ukrainë, Kosova i ka parë edhe më herët.
“Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë”, tha Albin Kurti.
“Kështu thoshin edhe për Putinin. Ja që përfundoi fushata elektorale dhe i fitoi zgjedhjet partia-shtet por sanksionet ndaj Rusisë nuk i vendosi”, shkroi mes tjerash Kurti.
Gazeta Dita