Ish-këshilltari zbardh arsyet Olta Xhaçkës në SPAK: – Ministrja duhet të dilte me pranga në duar
15 Mars 2023
Ish-këshilltari i Presidentit të Republikës, Shemsi Prençi thotë se me pronat e ushtrisë është bërë një masakër dhe se ato janë vënë në dispozicion të oligarkëve. Në një intervistë për Euronews Albania, Prençi u shpreh se ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka duhet të dilte me pranga në duar dje nga SPAK-u, pasi u pyet në lidhje me disa privatizime të pronave të uhtrisë.
Sipas Prençit, arroganca dhe përfshirja në korrupsion, ishin arsyet pse Xhaçka u paraqit në SPAK.
“Si ish-këshilltar i Presidentit të Republikës, jam në dijeni për masakrën që është bërë me pronat e ushtrisë, për t’u vendosur në dispozicion të oligarkëve. Ministrja ashtu do fliste, nuk ka si të flasë ndryshe. Është e vetmja ministre që na ka rezultuar si investitore strategjike, na ka rezultuar si një pronare e madhe që mund të bëjë çfarë të dojë me pronat e ushtrisë.
Arroganca e ministres Xhaçka dhe babëzia për t’u pasuruar në një kohë shumë të shkurtër, e ka çuar dje në SPAK. Unë kam menduar që të mos dalë fare nga SPAK-u. Të dilte me pranga në duar dhe të shkonte te 313-ta. Por shteti rezulton i kapur. Se çfarë është bërë me pronat e ushtrisë, janë dhënë në përdorim me formulën 1 euro”, theksoi ai.