Ish-ministri i PS: – “Porti i Durrësit” ka paqartësi për kostot dhe përfitimet! – Inceneratorët, një “mundësi e artë” për SPAK
22 Nentor 2022
Nga Valantina MADANI.
Për Arben Malajn, ish-ministër i Financave, korrupsioni dhe kapja e shtetit mbeten armiku më i vështirë për vendet me institucione të dobëta ose të pakonsoliduara. Në këtë mënyrë, Malaj i përgjigjet pyetjes se pse ka kaq shumë akuza ndaj qeverisë për afera korruptive.
Duke u ndalur te dy prej tyre, atë të inceneratorëve dhe projektit të Durrësit, ish-ministri socialist thotë për gazetën “Panorama” se nga qeveria kërkohet transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale pasi sipas tij, ka paqartësi për kostot dhe përfitimet reale. Arben Malaj apelon se duhet njohur që në start, projekti i pronarëve, si dhe reduktim i çdo shmangieje apo evazioni tatimor, sidomos kur “kompanitë mëmë” dhe “bijat” e saj bëhen pjesë e një projekti të madh partneriteti dhe operojnë nëpërmjet parajsave fiskale. Lidhur me aferën e inceneratorëve, z. Malaj shprehet se hetimi po zgjatet në kohë dhe se duhet të ndalojë rrjedhja e fondeve buxhetore në skemat e mirëfillta abuzive. Sipas tij, disa megaskandale dhe në veçanti ai i inceneratorëve, janë një “mundësi i artë” për SPAKun për të fituar kredibilitetin dhe besimin publik. Ish-ministri i Financave risjellë në vëmendje historinë e vendeve të tjera, ku vetëm një prokuror shkaktoi tërmet politik në Itali.
Z. Malaj, çfarë po i varfëron shqiptarët, kriza ekonomike apo politika? Nga se po ikin shqiptarët?
Nuk ka një përgjigje apo zgjidhje të thjeshtë dhe afatshkurtër. Mungesa e fuqisë punëtore në vendet më të zhvilluara është tërheqëse për emigrim nga vendet në zhvillim dhe vendet e varfra. Reduktimi i flukseve të mëdha të emigrimeve po dëmtojnë akoma më shumë vendet e origjinës, pasi siç konstatohet në Greqi dhe Shqipëri, është rritur ndjeshëm mungesa e fuqisë punëtore.
Përvoja e emigrantëve nga 10 vendet e para të Lindjes që iu bashkuan BE-së tregon se kërkimi është i mundshëm, por vetëm atëherë kur është përmirësuar funksionimi i shtetit ligjor dhe ku biznesi vendas dhe i huaj krijojnë premisa reale për punësim dinjitoz dhe të ardhura të kënaqshme. Ndërsa, deficiti demografik, ku vdekjet janë më të mëdha se lindjet bashkë me emigrimet masive do të sjellin:(i) pasoja ekonomike, mungesë të fuqisë punëtore për të mbështetur rritjen ekonomike;(ii) pasoja sociale, plakja e popullsisë që kërkon politika sociale me kosto jo të lehta; (iii) pasoja buxhetore, deficiti në rritje i skemës së pensioneve krijon kosto buxhetore në rritje, sepse bie numri kontribuuesve të rinj në skemat e pensioneve dhe zgjatet periudha e përfitimit nga një pjesë e moshuar e popullatës. Studiuesit kanë kalkuluar se rreth 50% e zhvillimeve në GDP kushtëzohen nga demografia.
Qeveritë duhet të kenë një këndvështrim aktiv në përballjen me largimet masive. Mirëqeverisja, rritja e investimeve në arsim, shëndetësi dhe ambientin e biznesit dhe një sistem arsimore që rrit cilësinë e ofertës së fuqisë punëtore nga niveli bazik deri te të talentuarit në ekonominë e dijes, migrimi sezonal i lehtësuar dhe reforma të thella strukturore, mbeten disa prej këndvështrimeve dhe strategjive të reduktimit të emigracionit masiv dhe rritjes së cilësisë së ofertës së punës në vendin tonë.
Pse kaq shumë akuza ndaj qeverisë për korrupsion?
Korrupsioni do të mbetet armiku më i vështirë për vendet me institucione të dobëta. Vendet me institucione të dobëta ose të pa konsoliduara janë lehtësisht të prekshme nga korrupsioni dhe kapja e shtetit. Rezultatet konkrete mund të ndihmojnë shumë në sfidat që ka vendi ynë si në zhvillimet e brendshme dhe në proceset integruese.
Sipas jush, cilat janë pikëpyetjet e projektit të portit të Durrësit?
Transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale nga nëpunësit civilë dhe politikanët. Reduktimi i çdo paqartësie lidhur me kostot dhe përfitimet reale, njohja që në start i projektit të pronarëve që do të realizojnë këtë projekt, reduktim i çdo shmangieje apo evazioni tatimor, sidomos kur “kompanitë mëmë” dhe “bijat” e saj bëhen pjesë e një projekti të madh partneriteti dhe operojnë nëpërmjet parajsave fiskale. Projekti është afatgjatë dhe kërkon përgjegjshmëri profesionale në çdo fazë të tij.
Afera e inceneratorëve po hetohet nga SPAK-u, pronarët janë në kërkim, ndërkohë që qeveria dha 8.2 milionë euro për inceneratorin e Tiranës. Sa po u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë pagesat për inceneratorët?
Kjo është një çështje në hetim, i cili po zgjatet në kohë. Aktiviteti i pastrimit të qyteteve duhet të vazhdojë. Pagesat nga buxheti i kalojnë kompanive të sekuestruara. Rezultatet përfundimtare të hetimit do të përcaktojnë edhe destinacionin përfundimtar të financimeve buxhetore. Vënia nën administrim i dy inceneratorëve duhet të ndalojë rrjedhjen e fondeve buxhetore në skemat të mirëfillta abuzive.
Si ka mundësi që kompanitë janë në hetim nga SPAK-u, por qeveria vazhdon t’i paguajë?
Duhet të qartësohet dallimi midis individëve, pronarëve dhe kompanive si subjekt të legjislacionit tregtar. Në qoftë se qeveria nuk do të vazhdojë pagesën, duhet të ndërpritet procesi i pastrimit të qyteteve. Në qoftë se ky proces ndalet, qytetin e mbulojnë mbeturinat/plehrat e papërpunuara. E rëndësishme është që procesi i hetimit nga SPAK-u të mos ndikohet nga asnjë faktor që preket prej hetimit. Në këtë rast, mund të verifikohen kostot abuzive (kostoja e korrupsionit), që kanë rritur financimet buxhetore. Këto përfitime abuzive/vjedhje duhet t’i kthehen buxhetit të shtetit.
Pse qeveria jo vetëm nuk ndërpreu kontratën, por as nuk tentoi rishikimin e kushteve, duke vazhduar të mbushë llogarinë bankare të pronarëve të shpallur në kërkim?
Me vendosjen e administratorëve, kjo rrjedhje e parave duhet të jetë bllokuar. Detajet duhen qartësuar me administratorin e emëruar nga Gjykata për administrimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.
Përse u riciklua tek inceneratorët e plehrave Farudin Arapi, njeriu që groposi dosjen e firmave piramidale? Cili besoni se është roli i tij në aferën e inceneratorëve?
Vlerësimin për punën e tij duhet ta bëjë Gjykata që i ka besuar atë detyrë. Ky vlerësim duhet të jetë periodik, në vijueshmëri dhe në përfundim të procesit, sigurisht ekspertë të rinj me certifikata profesionale nga institucione shqiptare dhe të huaja për ekspertizën e tyre mund të jenë produktivë.
A janë të mjaftueshme arrestimet e deritanishme? Kush janë përgjegjësit kryesorë?
Kjo pyetje është për SPAKun. Theksoj se disa megaskandale dhe në veçanti inceneratorët janë një “mundësi i artë” për SPAK-un dhe institucionet e tjera hetimore e gjykuese për të fituar kredibilitetin dhe besimin publik. Po të shikojmë historinë e vendeve të tjera, vetëm një prokuror shkaktoi tërmet politik në Itali.
Nëse qeveria nuk tërhiqet, çfarë rrezikon vendi ynë nga miratimi i amnistisë fiskale?
Vendi është në procesin e hapjes së negociatave. Eliminimi i çdo vonese dhe pengese në këtë proces duhet të jetë prioritar për qeverinë shqiptare dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces. Çdo iniciativë që nga BE-ja vlerësohet se nuk është në përputhje me parimet e saj, siç është deklaruar, BE-ja për amnistinë fiskale dhe “pasaportat e arta” rrezikon ta vështirësojë që në hapat e para procesin e negociatave. Kjo bie ndesh si me objektivin strategjik të vendit për t’u bërë vend anëtar i BE-së, ashtu edhe me vonimin e mundësive në rritje për përfitime nga politikat dhe fondet e BE-së. Mbi të gjitha, për të bërë një vend ku krijohet dhe respektohet ndarja e pushteteve, ku sundon shteti ligjor, ku ekonomia është më konkurruese dhe rezistuese nga goditjet e jashtme, ku respektohet pavarësia e mediave dhe minoritetet kulturore apo etnik konsiderohet një pasurim dhe jo një kosto.
Gazeta Panorama