Ish-ministri nxjerr zbuluar gabimet e Arben Ahmetajt – Shqiptarët po paguajnë 130 milionë euro detyrim për gjyqin e Bechettit.
13 Mars 2023
Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Malaj ka treguar 3 gabimet që sipas tij, i ka bërë ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj. Në një intervistë për Euronews Albania, Malaj u shpreh se Ahmetaj gënjeu shqiptarët kur u tha se nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për gjyqin e biznesmenit italian, Franchesco Bechetti.
Sipas Malajt, Ahmetaj mashtroi gjithashtu kur tha se teatri i ri nuk do bëhej me taksat e qytetarëve, si dhe për Konferencën e Donatorëve për të cilën deklaroi se u morën 1.15 miliardë euro.“Ishte zoti Ahmetaj i cili u premtoi shqiptarëve që Bechetti nuk do paguajë asnjë qindarkë. Shqiptarët po paguajnë 130 milionë euro detyrim për gjyqin e Bechettit. E dyta, duke qenë se nuk është ekonomist, u tha shqiptarëve se teatri i ri i Tiranës nuk do të bëhej me taksat e tyre, por tha do t’i nxjerrim nga dheu.
E treta, ka manipuluar në mënyrën më të turpshme profesionale, Konferencën e Donatorëve duke thënë se morëm 1.15 miliardë, kur po të shikojmë buxhetin faktik të vendit, rreth 600 milionë për rindërtimin, janë paguar nga taksat e shqiptarëve”, theksoi ai.
Gazeta Sot