Ismail Lulani, ishte dhe mbeti ndër emrat e rëndësishëm të traditës shqiptare të pikturës. Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dhe gjeografia e sfidës, dëshmuan tek ai një piketë të rëndësishme të artit vizual shqiptar. Llojshmëria e punëve dhe trajtesa e veçojnë Ismail Lulanin, duke e pozicionuar në një kreshtë të lartë të asaj që për ne është jo vetëm matshmëria e së epërmes ku ai e çoi shpirtin e tij koloristik dhe skaliti ligjërimin joshës, për edhe detyresë mirënjohjeje për testamentin që la.

Stinët janë në tablonë e tij ndalesa të hovshme dhe kumtime të andshme. Pranvera gufon në zjarrin e ngjyrave dhe jepet epshëm në lakimin e trajtës dhe lodrimin e dritëhijeve që të shpojnë si sy të epshëm dhe kureshtues që të ftojnë në ngasje. Vera e grunjtë dhe tafti i amësht i tokës, duart të tendosura dhe mëtime që shkrihen në shkujdesjen e penelatave dhe harbohen në afshin e hapsirës që rreket t’i përpijë. Vjeshta, stina e shirave dhe melankolisë, kridhet shpirtërisht duke marrë gjithçka nga thellësia dhe amështi, nga zjarri dhe tamli, e duke i miksuar në një trajtesë gjallimi koloristik që vetëm Ismail Lulani duket se mund t’i zotërojë. Dhe vjen ai, dimri, një stinë që ngjeth, një amë që e thërrët me zë buçitës, një ngulm që grish në mallime e andrralla t’kahershme që vërshojnë uturishëm, e shprehen në tablo me gjithë ashpërsinë dhe adhurimin. Gjithçka në dimrin e Lulanit ka një frymëmarrje që huajtet në kreshtat ku plaket bora e në krahnoret ku lyp fluturim shqiponja.

Edhe historia është një ndalesë gurgulluese ngjyrash dhe force shprehëse në pikturën e Ismail Lulanit. Ajo ka nerv dhe dritë, forcë dhe thellësi, ka trajtë dhe ngjyrë, ka një zë që thërret nëpër kohë e që trajtëzohet në ngjyrë, për t’u përjetësuar si një kujtesë që e kërcënon e shkuara. Ai shfleton historinë duke sjellë figurat qendrore të saj në një trajtim krejt origjinal, duke hedhur në to atë shpirt që Lulani ka të mbruar me zërin e jehonave që prekin zenitet e epokës së cilës i përkiste. Portretet kanë qenë dhe kanë mbetur deri në të mbramë të sublimes së tij krijuese, qëllimsi e mëkimit të hijeshisë mëtuese dhe shprehëse të botës së brendshme, të cilat nën shpërthimin e ngjyrave kërkonin të gjenin ëndje për ta rrokur dehjen që çliron heroikja e historisë që përfaqësojnë. Ata personazhe, ato figura, ato shprehi, duket se para se të shpërthenin në tablo, kishin kohë që bashkëjetonin me piktorin. Një shpirt lirie duhet të gjente dritën dhe ngjyrën e përjetësisë që t’i ç’burgoste nga mendimet dhe shpirti i tij, për ti shndërruar në fakte dëshmuese historike, për të mbushur zbraztësitë dhe hendeqet që keqkuptimi dhe dashakeqja i mbjellin.

Në veprat e tij, sidomos rreth viteve ’80, ndihet prirja drejt pasunimit të paletës piktorike që e ban Lulanin të evidentohet nga tabloja në tablo me një stil të veçantë piktorik, që priret drejt dekorativitetit, kapjes së motiveve të veçanta dhe zgjedhjes së mënyrës së vizatimit të personazheve. Vepra artistike e piktorit Ismail Lulanit gjatë më shumë se 30 vjetëve krijimtari është e gjanë dhe e larmishme. Ai pikturon portrete, peizazhe dhe tablo kompozicionale me temë historike e sociale.Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ka qenë një peizazh nga Hidrocantrali i Vaut të Dejës (1969). Mbas kësaj Lulani do të ishte i pranishëm me tablotë e tij në të gjitha ekspozitat e konkurset lokale dhe kombëtare.Temat e cikleve piktorike të Lulanit janë frymëzuar nga ciklet e kreshnikëve (Muji dhe Halili, Gjergj Elez Alia), baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), historia e popullit Shqiptar (figura e Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena, Shote dhe Azem Galica), nga shumë figura dhe ngjarje të Luftës Nacional-Çlirimtare, nga periudha e ndërtimit të socializmit dhe, veçanërisht, nga jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë.

Piktori Ismail Lulani veçohet dhe vlerësohet në pikturën shqiptare si një kolorist, me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, me personazhe-figura që vizatohen në mënyrë të stilizuar, si një artist që joshet mas jetës së njerëzve të thjeshtë. Mas viteve ’90 Ismail Lulani i kushtohet kryesisht peizazhit të zonave veriore Shqiptare, që e ka tërheke dhe ma perpara shpirtin e tij artistik. Me këto motive Lulani ka krijue cikle tablosh, që mund të grupohen sipas stinëve të vitit, etj, të tilla si cikli i peizazheve të vjeshtës, cikli i peizazheve të dimrit dhe cikli i bariut të dhive. Piktura e Lulanit ka një freski koloristike, që duket se buron edhe nga kontaktet e artistit me natyrën si dhe nga ndikimi i artit popullor të trevave veriore, gjë që vihet re veçanërisht në koloritin e ndezur dhe në dekorativitetin e veprave të tij.

Lulani i trajtoi motivet shqiptare të tablove të tij nga disa kandvështrime. Ai mund të quhet me të drejtë si piktori i Shqipërisë së Veriut. Përveç tablove historike, që paraqet në ekspozitat Kombëtare të para viteve ’90 (“Dedë Gjo Luli”, “Shote Galica”, “Çast beteje”, “Malësori”, etj), Ismail Lulani” dashurohet” këmbë e kokë me peizazhin shqiptar. Në mënyrë të veçantë, element mbizotërues i peizazheve të tij, përveç bukurisë natyrore, është “motivi baritor”. Siç shifet artisti ndihet i lidhur me këtë motiv për shkak të jetës së vështirë dhe të thjeshtë të malësorit – bari në malësi. Figura e barinjve të tij ka krijuar nji “personazh – imazh”, që e shofim të shfaqet herë në një tablo e herë në tjetrën. Ai është një figurë tërheqëse, më shpesh i moshuar, me veshjet popullore të zonës, të cilin artisti preferon ta pikturojë në mes të dëborës e të dhive të tij. Zakonisht ky personazh paraqitet duke ecur, me pamje nga prapa. Në përgjithësi vërejmë se veprat e Lulanit pas viteve ’90 nisin të kenë një notë të lehtë dramatike, një trishtim dhe heshtje që shpesh japin mesazhe të rëndësishme. Me gjithë atë në veprat e tij magjija ndërthuret me misterin, drita e natyrës me dritën e shpirtit dhe peizazhi dimnor me peizazhin vjeshtor. Ndër to “ndrit i njëjti diell” si në legjendat shqiptare. Veprimtaria krijuese e Ismail Lulanit shtrihet në sisteme të ndryshme shoqërore. Ai mbetet nji nga përfaqësuesit ma të randësishëm të artit shqiptar të shekullit XX.

Ismail Lulani ishte dhe mbeti në panteonin e vlertë të traditës sonë një piktor me individualitet të veçantë në artin e tij, thurur prej një mishërimi thelbësisht tradicional dhe ndjesi të spikatura të ngjyrës dhe linjës, dritëhijes dhe shkujdesjes së lodrimit të penelit mbi tablo. Ai krijoi kohën e vet në pikturë dhe vetë koha la tek ai gjurmë drite që pluskojonë yjshëm në natën e nevojës për dehje ngjyrash dhe trajtash shprehëse estetike.

***

Ismail Lulani u lind më 1933 në Tuz, Mal të Zi dhe u shua më 6 tetor të 2002 në moshen 69 vjeçare në qytetin e Shkodrës.

Në moshën 9 vjeçare së bashku me familje vendoset në Shkodr. Në vitin 1967 mbaron Akademin e Arteve të Bukura për pikturë monumentale, puna e tij e diplomës “Ded Gjo Luli me trima”, u vlerësua mjaft nga kritika e kohës. Emërohet dhe punon si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vendoset me dëshirën e tij në qytetit e Shkodrës ku punon si profesor në Liceun Artistik të këtij qyteti deri sa del si piktor në krijimtari të lirë. Ai ishte një ndër themeluesit e degës së arteve vizive (në shkollën e mesme artistike Prek Jakova) në qytetin e Shkodrës. Ai ishte gjithashtu anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ismail Lulani është një ndër piktoret më origjinal e më të fuqishëm në historin e artit Shqiptar, ai ishte një piktor shumë aktiv në kijmtarin e tij, eksploroi me mjeshtri në të gjitha gjinit e pikturës, si kompozim, pejsazh, portret, natura të qeta, etj. Pikturat e tij shquhen për forcën dhe lojrat magjike të ngjyrës, për vizatimin ekspresiv dhe mjetet shprehëse.

Për meritat e tij ai është nderuar me çmime dhe tituj të kalibrit të lartë

Në vitin 1979 i jepet titulli “Piktor i Merituar”

Në vitin 1989 i jepet titulli i lartë “Piktor i Popullit”

I është akorduar titulli “Naim Frashri I klasit të Parë”

Në vitin 1999 në Biennialen e Romës për Artet Visive merr çmimi i dytë dhe i jepet medalja e argjentë, me tabllon (Ikja në Egjipt)

Pas vdekjes, në 70-vjetorin e lindjes iu akordua titulli “Krenaria e Shkodrës”, i cili i’u dorëzua të shoqes së artistit.

Ismail Lulani morri pjesë në të gjitha ekspozitat lokale që u zhvilluan në qytetin e Shkodrës si dhe ato kombëtare që u zhvilluan në Tiranë, rreth 20 punime të tij ndodhen në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe shumë të tjera pronë e galerive e muzeumeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ai ka ekspozuar në shumë vende të huaja si Frascat ,Romë (Itali), Paris( Francë), Linz (Austri), Neë York, Boston (USA), Toronto (Canada), Athin (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Irlande, Rumani, Belgjike, Beograd(Serbi), Podgoric, Cetinj, Tivar, Ulqin (Montenegro), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi , Tunizi, Hungari, duke marë vlersimet më të larta nga krtika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj.

Ai mbetet një nga emrat më të respektuar të Shkodrës dhe një nga emrat më të shquar në historinë e artit shqiptar.