Ismail Qemali – Emri i Aqif Pashe Elbasanit, do të mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë. -.
= Në këtë kohë transformimi, historia do të dijë të dallojë patriotin nga tradhtari dhe do t’i caktojë secilit vendin e vet… se ç’vend do të kem unë në histori këtë nuk e di. Sa për Ju Aqif Pashe Elbasani, Emri juaj i Shkëlqyer si patriot , do të mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë.
– Ismail Qemali –
Biçakçinjtë takohen për herë të parë në fillimet e shek.XV. Veprimtaria e kësaj familjeje të pasur dhe të madhe, është plot kontribut dhe vëmendje qysh në krye të herës. Ajo ka qenë e përfshirë në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore prej lindjes së saj dhe deri në çerekun e parë të shekullit të shkuar.
Biçakçinjtë, kjo familje fisnike shqiptare , ka qenë shumë e dalluar dhe e spikatur për gjatë sundimit të tejzgjatur të Perandorisë Osmane. Familja e biçakçinjve, pinjollët e saj, falë veprimtarisë së tyre, fituan, gëzuan me plot meritë, shumë tituj, grada dhe ndere. Pesha e angazhimeve të saj, si dhe kontributi i elementeve njerëzore, dalë nga gjiri i tyre, ka qenë i pranishëm në forma e rrugë të ndryshme edhe në historinë tonë jo të largët. Pa mëdyshje, ajo familje ndër familjet çifligare më të pasura jo vetëm për trevën e Elbasanit, por dhe mbarë Shqipërisë, aq sa edhe sot e gjithë ditën, nuk janë të përcaktuar kufijtë, nuk ngurroi ta jepte pasurinë, të shkrinte atë për qëllimin e madh!
Në këto treva të buta, të ngrohta e shumë të begata lindën dhe u rritën shekull pas shekulli, dekada pas dekadash e vite mbas vitesh biçakçinjtë e famshëm të Elbasanit dhe kudo ku shkuan, ku mësuan, punuan e luftuan u dalluan për trimëri e mençuri, gjithnjë -është e dokumentuar – mbartën me vete mallin për qytetin, për njerëzit e racës së tyre, për Elbasanin, për Shqipërinë.
Ata, si racë e fortë shqiptare mbajtën mbi shpatulla, mbi supe, shumë halle, shumë drama! Në rrugë gjenealogjike përafërsisht mund të përcjellim; Sinan pashë Biçakun-1400-1470; Sinan bej Biçakun, mësues, profesor i vetë Sulltanit; Ahmet aga Biçakun, komandant në betejat e perandorisë për pushtimin e Arabisë dhe Egjiptit, Sedefqar, kryearkitekt i perandorisë; Ibrahim pashë Biçaku 1587-1632, vezir në Bursa; Halit pashë Biçaku 1690-1775, ushtarak i lartë i vëllai i tij arriti deri prefekt i Stambollit; Ibrahim pashë Biçaku 1715-1770 disa herë vezir i perandorisë si në Manastir, Hungari, poet, muzikant; Muhamet Biçaku, arkitekt i ujësjellësit të parë në Elbasan; Ibrahim pashë Biçaku, vezir, më tej dhjetëra e dhjetëra ofiqarë deri tek ai më afër nesh, Sefedin bej Biçaku, ushtarak i lartë. Ndërtoi dy kisha të krishtera në qytet, ndonëse paguhej e trajtohej prej vetë perandorisë. Një biçakçi i madh gjendet komandant i lartë ushtarak që bashkë me Mustaf pashë Bushatin komandoi forcat e mëdha në luftën ruso-turke. Një tjetër pinjoll i këtij fisi dhe familjeje, Dervish bej Biçaku1820-1885, drejtoi dhe sundoi në ato vite në Elbasan njëherazi Dervish beu është i ati i pashait të ardhshëm Aqifit. Elbasanit, 1860-1926.
Aqifi lindi në qytetin e Elbasanit, mbaroi arsimin e mesëm në vendlindje, studimet e larta për drejtësi i kreu në Stamboll, ku u lidh herët me qarqet patriotike shqiptare. Pas fitores së Revolucionit xhonturk, ai u bë kryetar i klubit “Bashkimi”. Ky moment shënon jo vetëm kurorëzimin e veprimtarisë shoqërore e patriotike, gjatë studimeve, por dhe themelon patriotin konseguent. Ai nga sot e në vazhdim do të jetë në të gjitha tubimet, kongreset ku luhen e vendosen fatet e atdheut..Është pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës, në atë të Elbasanit, 1909, si dhe kontribuues aktiv në çeljen e Normales në vitin 1909.
Qe ndër njerëzit më të shquar, me më merita në organizimin e kryengritjes së përgjithshme për shpalljen e Pavarësisë dhe u vu pa hezitim në krah të Ismail Qemalit, jo pa shkak e qëllim , vjen për të ajo konsideratë e përmendur dhe e pashoqe prej plakut të Vlorës, kryetarit të parë të shqiptarëve. Aq sa qe e çmuar vepra e tij në organizimin dhe drejtimin e kryengritjes së përgjithshme , po aq e çmuar dhe e lavdëruar qe nisja e punës e detyrave të shumta të shtetit më të ri në Europë, ku aftësitë e tij, aftësitë e Aqif Pashës në lëmin e shkencës së drejtësisë dhe jurispudencës do të ishin për Shqipërinë e Mëvetme si ujë, si drita, si dielli!. ..Në nëntor 25-11-1912, në harmoni me patriotët e tjerë e të lavdishëm të qytetit, ngriti flamurin e pavarësisë në Elbasanin e zemrës, duke u treguar pushtuesve serbë, që patën marrë revan si qen të tërbuar, se do të quheshin, thjesht armiq, pasi po shkelnin një vend sovran dhe të pavarur.
I njohur si besnik i Qeverisë së Vlorës u ngarkua me shumë detyra, të cilat i kreu me përgjegjësi e përkushtim atdhetar. Dha një kontribut të shënuar në vendosjen e drejtësisë shqiptare, e cila nuk kishte kurrfarë baze shkencore. Hartoi dhe zbatoi në praktikë punën për të drejtën penale e civile, duke vendosur për herë të parë në vend jurinë në gjykatoren e noterisë. Po në këtë kohë kemi përkujdesjen e tij të madhe ndaj përpjekjeve që vinin nga të gjitha anët për copëtim të Shqipërisë, për gllabërimin e trojeve etnike. E përjetoi me dhimbje këtë mallkim dhe do t’i mbështeste me armë e para luftëtarët dibranë të Elez Isufit .
Në protestat e qytetit të Elbasanit realizuar në 1913 kundër copëtimit të trojeve etnike, Aqif Pasha ishte figurë qendrore. Ngjarjet rridhnin më shpejt se ujërat e Shkumbinit, Qeveria e Vlorës dha dorëheqjen nën trysninë e Fuqive të Mëdha dhe po këto “gatuan” princ Vidin. Aqif Pasha, sikundër dhe shumë patriotë të tjerë, duke mbajtur edhe këshillën e ish-kryetarit të tyre, e mbështetën princin. Në këtë kohë, Ai, së bashku me Gurakuqin, Hilë Mosin krijuan Komitetin Kombëtar që do t’u shërbente në mënyrë të organizuar dhe me platformë të qartë Çështjes Kombëtare.
Nuk pranoi dhe refuzoi prerë të merrte pjesë në të ashtuquajturën qeveri të Durrësit. Nuk pati dhe kurrë nuk qe në një mendje me Esat Pashë Toptanin, madje shumë shpesh u ndesh me forcat regresive të atij krahu, pas pati zbuluar qysh herët qëllimet e errëta nga ku buronte edhe ajo urrejtje karshi Princit të sjellë nga Europa.
Për hir të çështjes pranoi dhe kreu me zell detyrën e ministrit të Brendshëm. Kohë të vështira dhe pa stabilitet Aqif Pasha, një jetë e tërë në luftë e përpjekje! Së bashku edhe me Ahmet Zogun, atëherë fare i ri, u përpoq që të organizonte një kongres në Elbasan , por forcat austro-hungareze që ishin të mirinformuara për qëllimin e atij kongresi nuk e lejuan, megjithatë përpjekjet nuk reshtën.
Në vitin 1918 i dërgon me kurajë atdhetare, ndonëse nuk mori pjesë në të, por me pjekuri të lartë i dërgoi një letër kryetarit të Kongresit të mbajtur në Durrës më 1918 ku i kërkonte votimin e ideve dhe mendimeve të tij e më pas votimi të gjykonte për to. Platforma e paraqitur ishte një platformë e shenjtë e largpamësi, qe një platformë për veprim të mëtejmë të Çështjes Kombëtare, për mënyrën dhe mjetet e duhura në kundërvënie të qëllimeve shoviniste të fqinjëve e më gjerë.
Gjatë kësaj kohe vlen të përmendet lidhja e tij e ngushtë me Hoxhë Kadrinë dhe Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Kjo veprimtari e zjarrtë e me vizion tërësisht atdhetar, tërë ky angazhim i shquar në organizimin, ruajtjen, fuqizimin e shtetit e çon në mbledhjen e Kongresit të Lushnjës, kongres që e nxori në krye të Asamblesë. Njihet mirë prej historisë dhe dëshmive të shumta si tregime, gojëdhëna mbi ndihmesën e madhe të qytetarëve të Elbasanit për Luftën e Vlorës, ku pa dyshim roli i këtij patrioti në organizimin dhe drejtimin e ndihmave dhënë luftës qe i pakursyer dhe tepër i veçantë. Le të përmendim kontributet e shumta njerëzore apo pjesëmarrjen e bandës “Afërdita” dhe tepër sinjifikative “aksionin”e grave, nuseve, vajzave në dhurimin me dëshirë të stolive të tyre. Zgjedhja e tij në krye të Asamblesë është një nga pikat e arta të veprimtarisë së Tij të mëtejme. Mund të thuhet me fakte e prova se qe fat për vendin që pikërisht në atë vit të vështirë e të rrezikshëm siç qe ai i luftës heroike të Vlorës, Aqif Pasha, kjo figurë e adhuruar fund e majë, qe jo vetëm krah, por dhe ndihma e parë për finalen fituese të luftës.
Pa dyshim qe pikërisht, edhe këtë radhë kontributi i madh i tij dhe patriotëve të shumtë të Elbasanit, që luftës së Vorës i dhanë frymë kombëtare.
Një jetë e tërë në shërbim të pavarësisë dhe lirisë së Shqipërisë , duke i bërë nder jo vetëm në punët e brendshme, por dhe në stimujt dhe lidhjet e fuqishme me emigracionin. Autoriteti i Aqif Pashës ishte i pranishëm edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, të fqinjëve dhe më gjerë.
Në vitin 1922 jo vetëm për shkaqe shëndetësore, po dhe për shkak të fillimeve të sherreve, me natyrë alla shqiptare, kjo figurë e famshme e historisë sonë, emigron në Baden e më pas në Vjenë, domosdo assesi i tërhequr, assesi i lodhur prej Atdheut.
Edhe këtu ai mban lidhje më shokë e miq atdhetarë aq sa grupi politik i Nolit e kandidoi në zonën e Korçës në vjeshtë të 1923, dhe ku Aqif Pasha do të kurorëzohej me fitore, ashtu siç do të kurorëzohej gjithmonë, kur këtë “dhuratë” do ta kishte në dorë populli, do ta kishte në dorë Shqipëria, prandaj sot, dhe në këtë 100 vjetor të lavdishëm këta “Dy miq” të përhershëm të atij burri të madh, përulen me dashuri e respekt.
Nga: Bahri MYFTARI, – Serxhio MAZREKU.