10 Mars 2023

Dhjetëra lëkundje toke që kulmuan me një tërmet të magnitudës 4.4 tronditën zonat qendrore të Italisë, sidomos qytetin e Perugias.

Raportet e Qendrës Mesdhetare Europiane të Sizmiologjisë treguan se epiqendra e tij ishte në qytetin e Umbertide. Të përfshirë nga paniku, banorët nxituan të dilnin nëpër rrugë e një pjesë e tyre nuk guxuan të kthehen në shtëpi për orë të tëra.

Një sërë ndërtesash në rajon, përfshirë shkolla e spitale u kontrolluan për dëme, por përpos kësaj nuk pati raporte për situata emergjence.

Në këtë pjesë të vendit, frika e lëkundjeve të tokës amplifikohet nga kujtimet ende të pranishme të tërmetit të magnitudës 6 sipas shkallës Rihter, që goditi rajonin gushtin e vitit 2016, duke marrë gati 300 jetë njerëzish. Asokohe, shkundja e dhunshme e tokës erdhi rreth orës 3:30 të mëngjesit e më pas pati pasgoditje të shumta.

Kreu i agjencisë italiane të Mbrotjes Civile Fabrizio Curcio, qe shprehur në atë rast se “tërmeti kishte një forcë dhe thellësi të tillë goditjeje, sa ishte e pashmangshme që të shkaktonte shembjen e ndërtesave e për pasojë, vdekjen. Zonat e goditura më rëndë ishin ato të Amatriçes dhe Accumolit.