Italia në alarm nga koronavirusi/ Shkon në 17 numri i të prekurve. Mbyllen disa shkolla, bare e institucione publike, gati 2 qendra karantine
Italia në alarm nga koronavirusi/ Shkon në 17 numri i të prekurve. Mbyllen disa shkolla, bare e institucione publike, gati 2 qendra karantine
21 shkurt 2020
Ka shkuar në 17 numri i personave të infektuar nga koronavirusi në Itali, ku 15 prej tyre në Lombardi dhe dy të tjerë në Padova.
Në Lodigiano një 38-vjeçar është në gjendje të rëndë, ndërsa infektoi gruan shtatzënë dhe po ashtu edhe disa të afërm të tjerë. Ai nuk kishte qenë në Azi, por kishte drekuar me disa kinezë, në një drekë pune.
Kastilione d’Ada, e ndodhur 50 km në jug të Milanos po ashtu edhe Kodonjo e Kazalpusterlengo, ku ndodhen të infektuarit e tjerë kanë mbyllur shkollat, baret, institucionet publike, ndërsa mbi 35 mijë banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi.
Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes Civile ka identifikuar në aeroportin ushtarak San Damiano, në komunën e San Giorgio, strukturën në të cilën do të ndërtojnë spitalin, për njerëzit që do t’i nënshtrohen karantinës.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se nuk ka vend për alarm dhe se vendi ishte përgatitur për këtë.
“Deri më tani ne nuk e shohim të arsyeshme pezullimin e Shengen, por do të marrim çdo masë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve”, tha ai.
Gazeta Panorama