Italianët i rikthejnë Tiranës laboratorin restaurues. –
Italianët i rikthejnë Tiranës laboratorin restaurues
Shpresë për mijëra objekte arkeologjike në pritje për tu rijetësuar
Vijnë italianët e Universitetit të Urbinos, i njohur në Evropë, për profesionalizmin në restaurimin e trashëgimisë arkeologjike dhe me financimet e Nismës së Evropës Qendrore i rikthejnë Institutit të Arkeologjisë në Tiranë laboratorin e restaurimit.
Më në fund kjo trashëgimi me të cilën mburremi, por e dëmtuar ndër dekada nga faktori kohë dhe njëri do të ri-jetësohet Restaurimi, në limitet e emergjencës, nis në Dhjetor, pasi specialistët e “Urbinos” e kanë nisur me kualifikimin e personelit.
“Kemi lokalizuar 120 mijë objekte në Tiranë, Durrës, Apolloni dhe Korçë. Ndërhyrja më emergjente është në objektet prej metali. Për shembull në Muzeun Arkeologjik ka shumë heshta apo shpata që me kalimin e kohës po zhduken. Shkak nuk është vjetërsia e tyre por kushtet në të cilat qëndrojnë. Aty ka shumë lagështirë dhe po përpiqemi që në ri-ndërtimin e laboratorit restaurues të instalojmë një sistem të posaçëm për të shmangur lagështirën”, tha Pietro D’Aleo, zhvillues i projektit “Hefa Albania”.
Laboratori bashkë me përgatitjen e personelit kushton 150 mijë euro. Pyetja është? Po të ardhurat për materialet restauruese si do të gjenerohen, kur Muzetë apo Institutet Arkeologjike nuk i përballojnë dot me buxhetet e tyre?
Propozimi i zhvilluesve të projektit ‘Hefa Albania” është: “Sa më shumë objekte të restaurojmë dhe sa më shumë të ekspozojmë nëpër muze më shumë turistë do të vijnë. Me rritjen e të ardhurave dhe kthimin e tyre tek këto institucione mundësohet edhe sigurimi i fondeve për mirëmbajtjen e tyre”.