15 Dhjetor 2024

Izraeli ka njoftuar se do të mbyllë ambasadën e tij në Irlandë, pas vendimit të Dublinit për të mbështetur një peticion në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë që akuzon Izraelin për “gjenocid”.

Masa u njoftua nga ministri i jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i cili tha se ishte nxitur nga “politikat ekstreme anti-izraelite” të qeverisë irlandeze, duke vënë në dukje vendimin e saj për t’iu bashkuar peticionit të GJND-së javën e kaluar.

Izraeli nuk ka aplikuar masa të ngjashme për vendet e tjera, duke përfshirë Egjiptin, Spanjën dhe Meksikën, të cilat gjithashtu iu bashkuan peticionit.

Marrëdhëniet midis Irlandës dhe Izraelit kanë qenë prej kohësh të tensionuara për shkak të qëndrimit të Irlandës si një nga shtetet më pro-palestineze të Evropës.