![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2025/02/1f93d4b0-e6d1-11ef-a819-277e390a7a08_sd.webp?fit=1280%2C720&ssl=1)
Izraeli tërhiqet nga korridori që ndan në dysh Gazën, vërshojnë palestinezët
9 Shkurt 2025
Trupat izraelite janë tërhequr nga Korridori Netzarim, apo zona ushtarake që ndan veriun e Rripit të Gazës nga pjesa jugore e territorit.
Tërheqja duket është kryer në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hamas të 19 janarit, në bazë të të cilës deri më tani janë liruar 21 pengje izraelite dhe 566 të burgosur palestinezë. Deri në fund të fazës së parë të pushimzjarri pas tre javësh, pritet të jenë liruar 33 pengje dhe 1900 të burgosur.
Ndërsa është konfirmuar tashmë se 33 pengje të tjerë kanë vdekur. Fill pas tërheqjes së ushtrisë së shtetit hebre, me qindra palestinezë me makina e karroca të ngarkuara me dyshekë dhe mallra të tjera vërshuan në veri të enklavës, ku gjendja paraqitet e zymtë.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se tashmë dy të tretat e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar apo edhe shkatërruar krejtësisht nga sulmet izraelite.
Rreth 700,000 banorë të Gazës veriore u larguan në zonat jugore në fillim të luftës, kur ushtria izraelite lëshoi urdhra për evakuim masiv përpara se të fillonte një pushtim tokësor në territorin palestinez.
BBC kujton se shumë nga të zhvendosurit u detyruan më pas të lëviznin disa herë pasi forcat izraelite avancuan edhe në Gazën jugore, e palestinezët u penguan të ktheheshin në shtëpitë e tyre pikërisht përmes korridorit Netzarim, që shtrihet nga kufiri Gaza-Izrael deri në Detin Mesdhe.
Top Channel