Ja ëndrrat e Ramës për t’u bërë sekretar i NATO, mbreti i “shtetit bektashi” dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe, si…
25 Shtator 2024
Nga Elmas Bogdani
Prej pak ditësh, ideja për të pasur një shtet bektashi sipas modelit të Vatikanit ka trullosur opinionin në vend. Pasi kryeministri Edi Rama e shpalosi planin e tij në një prononcim për New York Times dhe e përforcoi më pas në fjalimin e tij në OKB, kanë nisur edhe teoritë konspirative. Një pjesë thonë se Ramës i duhet sheshi në qendër të Tiranës, ku qëndron një teqe, për të ngritur aty kullën e radhës. Një pjesë thonë se propozimi fsheh qëllimin për të sjellë myslimanët e dëbuar nga Gaza dhe propozimi i ka ardhur nga Izraeli. Një pjesë shohin një lëvizje që i paraprin propozimit të Vuçiçit për një shtet të vogël ortodoks në veri të Kosovës. Mediat turke raportonin konspiracione me Xhorxh Soros, djali i të cilit ka lidhje të ngushta me Ramën. Gjithsesi, për momentin mbetet ende një shashkë propagandistike, pasi edhe sikur ëndrra e kryeministrit të realizohet, ajo do shumë vite të implementohet dhe një buxhet shumë të madh investimi, të cilin Rama as në 100 vite pushtet nuk e mbledh dot. Ky kryeministër nuk ngriti dot pensionet, pasi u tall me këtë shtresë me 4 mijë lekë indeksim, flet për krijimin e një mini-shteti që do investim marramendës, përveç pjesës së ndryshimit të Kushtetutës, si edhe lobimit që ndërkombëtarët ta njohin, njësoj si Vatikanin. Kjo nuk është e vetmja marrëzi e këtij kryeministri. Gazeta do të rendisë disa çmenduri të tjera të Ramës të cilat vazhdojnë të shtohen nga viti në vit. Mjaftojnë të shihen nga distanca e sotme për të kuptuar se si është shfryrë e gjithë kjo tullumbace e propagandës së Ramës dhe vartësve të tij në qeveri dhe media.
Marrëzitë e kryeministrit
Rama para pak kohësh hodhi në treg një tjetër shashkë. Mediat pranë tij zbuluan se kryeministri mund të bëhej sekretar i NATO. Madje dhe vetë kreu i qeverisë kur u pyet për këto lajme, nuk i mohoi zërat se po lobohej fort për emrin e tij që ai të merrte drejtimin e Aleancës. Të gjithë e dimë historinë e kësaj ëndrre të kryeministrit. Rama për të krijuar idenë një lideri global, gjithmonë ka tentuar të marrë pa sukses vëmendjen në disa kriza të mëdha në rajon dhe botë. Për shumë njerëz këtu në Shqipëri, në atë moment i duket sikur lideri shqiptar është i përzgjedhuri dhe atë e respektojnë të gjithë ndërkombëtarët, por koha ka treguar se e gjithë kjo është bërë për interesa momentale dhe personale. Po e nisim nga përplasja e fundit e Serbisë dhe Kosovës për Veriun. Edi Rama lajmëroi para disa muajsh se kishte vënë “botën perëndimore” në lëvizje, si SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën, duke iu dorëzuar një draft për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi. Natyrisht, kuptohet që askush nuk ia ka kërkuar Edi Ramës këtë nder, pasi këtë fakt e konfirmuan dhe liderët e Beogradit dhe Prishtinës. Por ajo që është më e rëndësishme është se këtë herë, kreu i qeverisë shqiptare doli përfundimisht jashtë loje. Draftin e tij nuk e përfilli njeri. Çfarë do lloj plani që kishte planifikuar kryeministri nuk u realizua. Madje të vetmen gjë që arriti ishte që kosovarët të krijojnë një urrejtje të panevojshme ndaj vendin tonë dhe e gjitha për shkak të qëndrimeve të liderit tonë global.
“Ballkani i Hapur”
Për të marrë vëmendje, Edi Rama gjithmonë në kancelaritë perëndimore ka bërë zëdhënësin e Serbisë. Kur Brukseli i kërkoi Serbisë t’i bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, Vuçiç gjeti te Rama një aleat që i kërkonte mirëkuptim Bashkimit Europian për dualitetin e qeverisë serbe. Situata me pengmarrjen e tre policëve ishte rasti kur Vuçiç mund t’ia shlyente favorin Edi Ramës. Nëse do ta pranonte mikun e tij shqiptar si negociator të krizës jo vetëm do të mbante gjallë egon e Ramës për të bërë politikë përtej kufijve të Shqipërisë, por në fund të fundit, do të tregonte se Ballkani i Hapur e kishte një shans. Ndodhi e kundërta. Presidenti serb i mbajti në burg tre policët e Kosovës edhe pas telefonatave të Edi Ramës. Vuçiç priti telefonatën nga Sekretari i Shtetit, Blinken pastaj liroi tre policët. Ballkani i Hapur dështoi. Ky projekt që linte jashtë Kosovën, i trumbetuar gati në çdo dalje të Ramës për mediat, ka disa muaj që nuk përmendet më. Në atë kohë thuhej si nga politika serbe, por edhe shqiptare se presidenti serb dhe kryeministrat shqiptarë dhe maqedonas verior Zoran Zaev dhe Edi Rama meritojnë Çmimin Nobel për Paqe për gjithë këtë nismë që kanë marrë. Por të gjitha këto rezultuan vetëm fjalë dhe propagandë. Marrëveshjet dhe fitimet te mëdha që do të përfitonte Shqipëria nga Ballkani i Hapur, sipas Edi Ramës u zhdukën.
Lideri global
Rama nuk ka patur ëndërr të jetë vetëm lideri i Ballkanit. Vitin e kaluar, Rama udhëtoi drejt Parisit ku u zhvillua Forumi për Paqen. Rama shkoi me një propozim konkret për zgjidhjen e konfliktit, një propozim që përfshin tërheqjen e Izraelit dhe futjen e një forcë ndërkombëtare në Gaza të udhëhequr nga Liga Arabe. Këtë rol askush nuk ia kërkoi. Ky është një nga këto raste që Rama kërkon të bëjë protagonistin. Kujtojmë se gjatë krizës së madhe të refugjatëve që vinin nga Siria dhe Libia, Edi Rama u vetëofrua përpara samitit të Brukselit në 28 qershor 2018, që i ishte lënë në atë kohë kancelares gjermane Angela Merkel si afat për zgjidhjen e krizës nga mazhoranca e vet, për të marrë refugjatë në Shqipëri. Në atë kohë qeveria i tha televizionit gjerman ZDF se Shqipëria ka kapacitet të mirëpresë deri në 600 mijë refugjatë. Kjo gjë nuk ndodhi. Një tjetër fabul është ajo e shpallur me bujë në mediat e Tiranës, se lideri shqiptar do të bëhej ndërmjetësi i zgjidhjes së mosmarrëveshjes Greko- Turke për kufijtë detarë dhe do të merrte rolin e nikoqirit në paqen mes tyre që do të nënshkruhej në fund të janarit në Tiranë. Ndonëse këtu kishte diçka të vërtetë dhe se Ankaraja me gojën e ministrit të jashtëm të Erdoganit, Çavushoglu, propozoi kryeqytetin shqiptar si vend takimi, roli i Ramës jo si ndërmjetës por as si korrier, nuk u vërtetua kurrë. Fillimisht ‘off” në media dhe pastaj dhe zyrtarisht Athina e flaku me përbuzje këtë hipotezë. Gjasat janë që ose Rama e ka shpikur vetë këtë rol, ose ai ka dashur thjeshtë të bëjë vasalin e Erdoganit, gjë që nuk i është pranuar nga pala tjetër. Pra, që në fillim të mandatit si kryeministër, kur mori përsipër të shpëtojë SHBA-në duke shkatërruar në Shqipëri armët kimike të Bashar Al Asadit, Edi Rama e ka projektuar veten si një udhëheqës të përmasave që i kalojnë mundësitë e tij. Herë me tentativa të dështuara, herë me subjekte të shpikura fund e krye, ai ka dashur të jetë dikush që nuk bëhet dot. Në disa raste duke përdorur teknikën e imponimit tek shqiptarët përmes aureolës që fiton jashtë dhe në disa të tjera si një politikan që do të sfumojë problemet e vogla të qeverisjes përmes zgjidhjes së interesave madhore, në këtë koktej narcizizmi, deliri dhe aventurieri, ai gjithmonë ka dështuar. Dhe kur nuk ka realizuar dot fantazitë e çartura, i kanë mbetur manipulimet mediatike që i shesin si të vërtetë atë që nuk e ka arritur dot në realitet.
Ëndrrat e dështuara dhe realiteti i hidhur
Gjatë këtyre 11 viteve, qytetarët donin rritje pensionesh, por për të moshuarit jetesa u vështirësua akoma më shumë. Nafta e Shpiragut që trumbetoi Edi Rama si zbulimin e madh që do të siguronte të ardhura marramendëse, veçanërisht për pensionistët ishin vetëm fjalë boshe. Qytetarët donin një shëndetësi normale, por në vend të shëndetësisë falas, Edi Rama u dha klientëve me koncesion jetën dhe shëndetin e tyre. Këtë po e faktojnë skandalet tek “Hemodializa”, “Sterelizimi”, apo “Check Up” që janë nën hetim nga SPAK për shkelje dhe vjedhje galopante në dëm të qytetarëve. Qytetarët donin të arsimohen më mirë, por me Edi Ramën, numri i nxënësve dhe studentëve ra ndjeshëm, shkollat u mbyllën. Qytetarët donin uljen e taksave, por me Edi Ramën përfunduan si qytetarët që taksohen më shumë në rajon. Qytetarët donin më pak korrupsion, por qeveria e Edi Ramës vazhdon të shpallet kampione europiane e korrupsionit. Qytetarët më fshat donin subvencione dhe disa investime normale për bujqësinë, por nuk morën kurrë asgjë nga qeveria e Edi Ramës. Madje lekët e taksapaguesve shqiptarë u vodhën nga “besnikët” e Edi Ramës . Qytetarët donin të merrnin e të gëzonin pronat sipas premtimit, por Edi Rama e dha bregdetin falas ose me 1 euro tek 4-5 oligarkë. Qytetarët donin të ishin sot anëtarë të Bashkimit Europian, por në fund të qeverisjes së tij, Edi Rama ka nisur një kurs përplasje me BE dhe SHBA, që rrezikon të na izolojë për interesat e tij personale. Qytetarët donin rrugë, por Edi Rama vazhdon i inauguron online. Rrugën e Arbrit e la rrugëve, Korçë-Ersekë dhe Qukës-Qafë Plloçë, mbeten ende të papërfunduara. Një gjë është e sigurt. Rama me njerëzit e tij po luajnë me paratë e buxhetit të shtetit. Ndaj nuk është e tepërt të themi se krye-oligarku i Shqipërisë është kryeministri, i cili komandon klientelën e tij dhe orienton paratë e shtetit drejt këtyre burimeve të sigurta dhe të “rinovueshme” për të.
Gayeta Sot