Ja pse duhet të merret i pandehur kryebashkiaku i Tiranës!
7 Gusht 2023
Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, aktualisht deputetja e PL ka reaguar lidhur me sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës nga SPAK dhe hetimet që po kryen për këtë aferë.
Sipas Kryemadhit për këtë ngjarje duhet të merret i pandehur, Erion Veliaj, pasi sipas saj, kryebashkiaku Tiranës ka firmosur procedurën për inceneratorin e Tiranës.
“Pse duhet të merret i pandehur Erion Veliaj për Inceneratorin e Tiranës.
Kështu u titullua kjo video e imja e postuar në 27 Korrik 2022. Ua solla si rikujtesë sot, që frytet e punës tonë të palodhur, për të denoncuar pa kompromis korrupsionin, nuk u mbyt dot as nga koha e madhe që ka kaluar, e as nga komisionet fallso që bashkëqeverisësit e 17 Majit orkestruan për ti hedhur hi syve shqiptarëve.
Shkresat që sot qarkullojnë në media, mbi rolin e Erion Veliajt në procedurën e inceneratorit të Tiranës, ne i kemi denoncuar që në momentin e parë që kam dorëzuar kallëzimin penal. Atëherë këto media dhe figura publike nuk e shikonin të volitshme ti konsideronin të rëndësishme zbulimet tona. Ndoshta prisnin nga do të frynte era, apo nëse SPAK do të pranonte ndonjë përqindje në bashkëpunim… Nejse, pak rëndësi ka tani që domino-të kanë filluar të bien… Rishikojeni miq këtë video dhe ato shumë të tjera që me përkujdesje kemi përgatitur për ju që nga momenti që kam kallëzuar mafien Rilindase të inceneratorëve.
Djalli fshihet në detaje. Deri në videon tjetër ”, thekson Kryemadhi.
Gazeta Panorama