“Ja pse e dëbuan mësuesin turk”, Mustafa Nano: Rama s’ka fuqi t’i thotë Erdoganit “I dashur Rexhep, të kam xhan e shpirt, por…”
“Ja pse e dëbuan mësuesin turk”, Mustafa Nano: Rama s’ka fuqi t’i thotë Erdoganit “I dashur Rexhep, të kam xhan e shpirt, por…”
11janar 2020
Mustafa Nano në monologun e tij në “Provokacija” është ndalur te çështja e dëbimit të nësuesit turk, Harun Çelik nga Shqipëria.
Mes të tjerash, Nano zbulon sipas tij Çelik u dëbua nga vendi sepse kryeministri Rama nuk ka fuqi “t’ia prishë Erdoganit”.
Teksa e quan poshtërsi, Nano i kërkon mësuesit turk falje publike në emër edhe atë atyre që mendojnë si ai.
Monologu i plotë nga Mustafa Nano:
Në datën 1 janar, një shtetas turk me emrin Harun Çelik, i hipi një avioni të linjës Air Albania, dhe u kthye në vendin e tij, në Turqi. Por nuk u kthye si një udhëtar i zakonshëm. Nuk u kthye as me dëshirën e tij. Përkundrazi, u kthye pa dëshirën e tij. Dhe u kthye në pranga. Ishin autoritetet shqiptare që ua dorëzuan atyre turke. Ndonëse ai iu tha: “Ju lutem, mos më çoni në Turqi, pasi unë jam gylenist, dhe si i tillë, jeta ime është në rrezik”, autoritetet tona as që deshën t’ia dinin. Ato bënë çfarë iu kërkua nga Ankaraja. E bënë këtë me ngut, me zell, në shkelje të procedurave ligjore që ekzistojnë në Shqipëri.
Ai iu dorëzua autoriteteve turke në Rinas vetëm disa orë pas marrjes së vendimit për largimin e tij. Vetëm disa orë, në një kohë që duheshin pritur disa ditë, në një kohë që duhej pritur ankimimi i tij ndaj këtij vendimi. Pse u veprua kështu? U veprua kështu, sepse kryeministri shqiptar nuk ka fuqi t’ia prishë Erdoganit. Nuk ka fuqi t’i thotë: “I dashur Rexhep, të kam xhan e të kam shpirt, dhe ti e di që nuk të gënjej kur them se të kam xhan e të kam shpirt, por këtë gjë mos ma kërko. Këtë gjë nuk ta bëj dot, pasi së pari kjo është një gjë që vendoset nga gjykatat tona, dhe së dyti unë nuk kam ndërmend të dal kundër qëndrimeve të SHBA-ve në këtë pikë, pasi SHBA-të janë aleati ynë i madh, pa kushte, për jetë. Edhe juve turqit jeni aleatët tanë, jeni shumë të rëndësishëm madje, por nuk jeni më të rëndësishëm sesa amerikanët.”
Kjo do të ishte alamet alibie për Ramën. Por ai nuk e shfrytëzoi këtë alibi. Sepse për të është më e rëndësishme t’i bëhet rrogoz Erdoganit.
Harun Çelik, me profesion mësues, është në Turqi tanimë. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me të. Dhe mua më vjen që, në emër të të gjithë atyre shqiptarëve që këtë punë e shohin si unë, t’i kërkoj falje publikisht.
“Të kërkoj ndjesë i dashur Harun! Nuk është se më dhemb kauza jote. Madje, në do ta dish, as që më bëhet vonë për kauzën tënde. Jo për gjë, por nuk e kam të qartë deri në fund se çfarë jeni ju gylenistët e për çfarë luftoni e sakrifikoni. Por unë mendoj se shoqëria shqiptare, dhe sidomos shteti shqiptar, duhet të të merrte në mbrojtje, duhet të të jepte azilin politik. Sepse dikush mund të dorëzohet në duart e dikujt që thotë: ma jepni se dua ta gjykoj mbi bazën e provave që kam mbledhur, por nuk mund të dorëzohet në duart e dikujt që thotë: ma sillni këtu terroristin. Sepse kështu i bie që tjetrit i është dhënë dënimi pa u bërë gjyqi.
Edhe njëherë, të kërkoj ndjesë, i dashur Harun, për këtë poshtërsi të kryer nga autoritetet e shtetit tim!”
/abcnews.al