12 Qershor 2024

Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka zbardhur dje prapaskenat e vendimit të Gjykatës së Apelit për kalimin e vulës dhe logos së PD te ish-kryeministri Sali Berisha. Pas 30 muaj luftë juridike me kuvende e përplasje në seanca gjyqësore më në fund ka një vendim për Partinë Demokratike. Partia më e madhe opozitare në vend do të drejtohet me tagra të plotë përfaqësimi nga ish-kryeministri Sali Berisha i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe dhe në “arrest shtëpie” nën akuzë për korrupsion nga SPAK. Një vendim ky që gjithashtu rrëzon alibinë kryesore që Berisha vazhdon të përdorë për të justifikuar arrestimin e tij dhe të familjarëve të tij, pra që ekziston një komplot i Drejtësisë kundër tij i koordinuar nga amerikanët. Por për të mësuar më shumë rreth këtij vendimi dhe asaj që pritet të ndodhë, gazeta “SOT”, kontaktoi me avokat Ngjelën. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, shprehet se kalimi i vulës së PD rek Berisha nuk është ndonjë lajm i madh. Kjo pasi siç thekson ai, politika shqiptare do të spastrohet nga Sali Berisha, për shkak se ish-kryeministri ka llogari të hapura me drejtësinë.  “Nuk është ndonjë gjë serioze, pasi ai është ‘non-grata’ nga Amerika dhe ai është i arrestuar. Ai do të marr llogarinë që të mos dënohet, se po u dënua ai përjashtohet nga politika. Mirë e kanë bërë në lidhje me vendimin e Apelit, me që ky do të përjashtohet nga politika, gjendet mundësia të bashkohet PD. Ai ikën pasi të dënohet. Ai është në SPAK duke u hetuar. Dënimi i tij, bashkon PD dhe po u dënua, Berishës i hiqet e drejta për të qenë deputet”, deklaroi ai.

Kontradiktat

Më tej avokat i njohur, Spartak Ngjela u pyet nëse duket kontradiktore teksa Amerika e shpall Sali Berishën “non-grata” e ndërsa Gjykata e Apelit me vendim gjykate i kalon vulën dhe logon e Partisë Demorkatike. “Ato duan ta bashkojnë PD, por se kush kërkon ta bashkojë ne nuk e dimë. Tani të shikojmë sesi do të eci. Ky është ‘non-grata’ nga Amerika dhe është në proces penal. Po të dënohet qoftë dhe një vit, ai ikën nga politika. Kështu që, ata që e kanë menduar këtë vendin, mendoj se e kanë menduar mirë, pse duhet ta shkatërrojnë PD”, u shpreh ai për gazetën “SOT”. Ndërkohë avokat Ngjela u pyet nëse eksiton mundësia që Partia Demokratike të shpallet tashmë “non-grata” nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nuk e di, nuk di ça të them Të shikojmë tani a do të bashkohet Basha me Berishën. Në qoftë se partia bashkohet, ato kanë deklaruar dhe vjen Saliu në krye dhe del nga ‘non-grata’. E ka deklaruar politika amerikane. Tani të shikojmë si do të rrjedhin ngjarjet”, nënvizoi Spartak Ngjela për gazetën “SOT”.

Reagon Spahiu

Por ndryshe nga avokat Spartak Ngjela, juristi Kreshnik Spahiu ka një tjetër version për këtë çështje. Kështu vendimi i Apelit për t’i dhënë vulën e PD-së Sali Berishës, sipas juristit Kreshnik Spahiu, ka zbuluar teatrin Berisha-Basha për të mashtruar amerikanët. Teksa ishte i ftuar dje në një media, juristi Kreshnik Spahiu theksoi se shqiptarët duhet të kuptojnë sot se saga e vulës ishte thjesht një lojë që nisi, pasi SHBA i kërkoi Bashës që të largojë Berishën “non-grata” nga partia. “Shqiptarët duhet të kuptojnë sot lojën Basha-Berisha. Lufta mes Bashës dhe Berishës ishte një teatër për të mashtruar amerikanët. Skenar që filloi pas shtatorit 2021, kur SHBA detyruan Bashën të përjashtonte nga politika dhe partia Berishën, pasi ai ishte shpallur familjarisht non ngrata. Të gjendur përballë kësaj situate Basha dhe Berisha vendosën të zhvillojnë një lojë luftash për t’u rikthyer pas 3 vitesh si fitimtar, për të kthyer vulën, partinë, në emër të gjykatës, shumicës”, deklaroi ai. Sakaq, sipas Spahiut, SHBA e ka zbuluar këtë lojë dhe ka qëndruar indiferente, madje edhe duke e izoluar Lulzim Bashën nga takimet e nivelit të lartë, siç ishte rasti i Antony Blinken. Juristi shprehet se SHBA zbuloi se Basha dhe Berisha komunikonin ende me njëri-tjetrin dhe se bashkëpunimi mes tyre nuk kishte mbyllur. “SHBA zbuloi lojën dhe teatrin mes Bashës dhe Berishës, dhe prandaj 1 vit qëndruan indiferent dhe izoluan Bashën nga axhenda diplomatike, dukë përjashtuar mbështetësit dhe ata që bënin lojë të dyfishtë, nga takimet e nivelit të lartë, siç ishte përjashtimi nga takimi me Blinken”, u shpreh ai. Po ashtu, Spahiu theksoi se grupi i Bashës do shpërbëhet dhe gjysma do kalojnë tek Berisha. E vetmja mënyrë mbijetese për Bashën, sipas Spahiut është që të nxjerrë zbuluar tetarin dhe të fute në listat e Berishës për deputet në zgjedhjet e 2025. “Ai grupim do shpërbëhet, gjysma do flirtojnë do shkojnë te Berisha, gjithë do jenë në varësi të emrave dhe listës së deputetëve të Berishës. Po të pëlqeu Berisha dhe Argita je në listë, po s’të pëlqeu Berisha dhe Argita nuk je. Basha e ka të pamundur krimin e një partie politike, të mbajë deputetë. E vetmja mënyrë që të mbijetojë është të nxjerrë zbuluar lojën dhe teatrin dhe të futet në listat e Berishës”, nënvizoi dje Spahiu.

Nga  Rigels SELIMAN, Gazeta Sot.