
Ja si PS rrezikon të përçahet pas 11 majit, lista e hapur po nxit përplasje mes kandidatëve socialistë…
21 Prill 2025
Zgjedhjet e 11 majit po afrohen me një atmosferë të ndezur jo vetëm në kampin opozitar, por edhe brenda vetë Partisë Socialiste. Për herë të parë, PS përballet me një sfidë të brendshme që ka potencialin të tronditë unitetin e saj politik: listat e hapura. Kjo risi elektorale ka nxitur jo pak tension mes kandidatëve, të cilët tashmë jo vetëm që garojnë përballë opozitës, por edhe mes njëri-tjetrit. Në këtë klimë delikate, deputeti socialist, Fatmir Xhafaj ka bëë disa deklarata të forta, të cilat kanë trazuar ujërat në selinë rozë, duke paralajmëruar se nëse nuk ruhet etika dhe kohezioni, përplasjet mund të thellohen pas zgjedhjeve. Xhafaj nuk e fsheh se ka tensione dhe ndarje potenciale që mund të minojnë stabilitetin e forcës politike në të ardhmen.
Ai thekson se socialistët duhet të tregojnë maturi, pasi votuesit nuk e duan konfliktin e brendshëm dhe i refuzojnë figurat që përpiqen të imponohen. Paralelisht, Xhafaj mbetet kritik ndaj opozitës aktuale, duke e konsideruar lidershipin e saj të papërshtatshëm për t’u përballur me PS-në në këtë garë. Ai nënvizon se mazhoranca do të ruajë numrin e mandateve dhe përshëndet punën e SPAK si produkt të një reforme që vetë socialistët e iniciuan. Megjithatë, nuk mohon se arrestimet e fundit kanë lënë gjurmë edhe brenda Partisë Socialiste. Pra këto zhvillime e kthejnë 11 majin në një provë të madhe jo vetëm për rezultatin elektoral të PS-së, por edhe për kohezionin e saj të brendshëm pas votimit.
Konkretisht Fatmir Xhafaj, i cili garon për mandatin e deputetit në listën e hapur të Partisë Socialiste për Tiranën, shprehet se ka një tension në garën brenda socialistëve, por uron që kjo të mos çojë në thyerje. Në këtë kuadër, socialisti i cili në 2021 arriti të thyejë herësin dhe të marrë mandatin e deputetit, duket se paralajmëron tensionet që mund të krijohen pas zgjedhjeve në Partinë Socialiste, nëse këto tensione do të arrijnë pikën e vlimit. Teksa ishte i ftuara këtë fundjavë në një studio televizive, Xhafaj thekson se gara në listën e hapur ka dy tablo: “lufta” brenda partive, për të siguruar vota secili kandidat, si dhe përballja me kundërshtarin politik. Ai këshilloi kandidatët e tjerë kur tha se “duhet të kujdesemi që i gjithë ky konkurrim të mos çojë në thyerje të kohezionit dhe etikës midis nesh”. Qëndrojmë pak brenda familjes politike.
“Të them që nuk ka tension do të ishte e gabuar. Vetë gara ka brenda tensionin sepse është konkurrim, kjo është normale. Kjo është një eksperiencë e parë por besoj se do të duhet që në të ardhmen të ketë disa rregulla të qarta për konkurrimin e brendshëm sepse nëse këto tensione shkojnë në një pikë të lartë vlimi këto mund të kenë pasoja në të ardhmen për kohezionin e brendshëm të forcës politike. Duke e konsideruar një gjë shumë pozitive konkurrimin brenda nesh dhe marrëdhënien që krijohet me qytetarët në saj të këtij konkurrimi duke i konsideruar këto vlera të dobishme, duhet të kujdesemi që i gjithë ky konkurrim të mos çojë në thyerje të kohezionit dhe etikës të një gare konkurruese midis nesh.
Unë besoj se nëse do të kishte gjëra të tilla do të ishin jo shumë të dobishme. Ka edhe një gjë tjetër, i seleksionon edhe vetë familja politike, socialistët nuk i pëlqejnë tensionet e brendshme, nuk e kanë në natyrën e tyre konfliktin e brendshëm dhe nuk i pëlqejnë njerëzit konfliktuale që duan t’ju imponohen në bindjen e tyre dhe në votën e tyre. Kandidatët që do të tentojnë të bëjnë një gjë të tillë nuk besoj se do të jenë të suksesshëm”, deklaroi ai.
Prishmëritë e PS në Tiranë
Ndërkohë deputeti socialist, Fatmir Xhafaj shprehet i bindur se PD do të mbetet në opozitë. Z. Xhafaj shprehet se PS do e kishte të vështirë përballjen elektorale, nëse në krye të PD-së do të ishte një lidership tjetër. “Berisha është lideri më i papërshtatshëm që mund të kishte opozita për ta çuar drejt një fitoreje. Nuk mund t’i kërkosh votën një votuesi në 2025 një lidershipi që ka 30 vjet në politikë dhe me një sërë problemesh, që nuk motivojnë elektoratin. Ne duhet ta kuptojmë se opozita është themelore për demokracinë dhe ajo duhet të jetë konstruktive në rolin dhe funksionin e saj. Ne kemi parë një opozitë me mungesë vizioni dhe përfaqësuese e një periudhe të errët në aktivitetin e saj politik. Kryesorja unë mendoj se nuk kanë përfaqësim dinjitoz për të përfaqësuar popullin opozitar”, deklaroi ai.
Më tej i pyetur për parashikimet e mazhorancës për numrin e mandateve që do të marrin më 11 maj, Xhafaj tha se PS ruan numrin e mandateve dhe mund të shkojë edhe më tej. Në lidhje me Tiranën, ai tha se nëse rrethanat para procesit elektoral do të ishin ndryshe, në garën e 11 majit, do të fitoheshin 20 mandate, ndërsa sot parashikimet janë për 19 të tilla nga mazhoranca. “Besoj që minimalisht PS e ruan numrin e mandateve kështu dhe në Tiranë, ka të garantuar numrin 19, nëse disa rrethana para procesit elektoral do ishin krejt ndryshe, sot do të flisnim për mandatin e 20”, theksoi ai.
Goditjet e SPAK brenda PS
Ndërkaq, deputeti Fatmir Xhafaj, e vlerësoi pozitivisht punën e SPAK dhe GJKKO-së. Ish-ministri Xhafaj theksoi këtë fundjavë në një media se sot këto dy struktura kanë mbështetjen maksimale të opinionit publik dhe mazhorancës. Ndër të tjera, zoti Xhafaj u pyet nëse mazhoranca ia dha shpatën e drejtësisë, SPAK, një shprehje që kryeministri Edi Rama e ka përsëritur në takimet elektorale, ndërsa u shpreh: kjo është e vërtetë. “Askush se mohon se kjo reformë u inicua nga ne. Sfidoj këdo që të më tregojë një rekomandim, një projekt të gatshëm më parë, pikërisht për ta sjellë në këtë nivel këto dy struktura. Pra ka qenë koncepti ynë, vullneti ynë. Nga kjo pikëpamje Edi Rama ka plotësisht të drejtë, që patëm vullnetin, vizionin për ta ndërtuar”, u shpreh ai. Sakaq ish-ministri Xhafaj theksoi se SPAK e GJKKO nuk janë reforma në drejtësi, por pjesë e saj.
“Ai institucion nuk do të ishte pa reformën në drejtësi. SPAK nuk është reforma, është një pjesë e reformës. Pjesa ku heton është më e ndjeshme, përfshi njerëzit me pushtet, do të ishte gabim i madh nëse do të gjykonim SPAK e GJKKO, si të vetmit që kishin në fokus çështjet e drejtësisë. Askush s’mund ta mohojë se pa reformë në drejtësi s’do kishte SPAK e GJKKO”, vijoi Xhafaj. Nga ana tjetër, Xhafaj theksoi se si iniciues të reformës në drejtësi, mazhoranca e dinte se do të ishte pjesë e hetimit të SPAK, pasi ata kishin përcaktuar objektet dhe subjektet e hetimit. I pyetur nëse PS ka pësuar tronditje me arrestimet e fundit të kryer nga SPAK, Xhafaj tha se po, sidomos kur bëhet fjalë për kolegë e bashkëpunëtorë. “Padyshim ne kishim përcaktuar që ishim pjesë e hetimit të posaçëm në këto nivele, kishim përcaktuar objektet dhe subjektet, pra kemi qenë mjaftueshëm se do të kishte pasoja dhe te ne. Ka tronditur SPAK?
Padyshim qëllon që hetohet, ndalohet dikush që e njeh jo më një koleg bashkëpunëtor, e quaj tronditje”, shtoi Xhafaj. Në lidhje me sulmet ndaj punës së Prokurorisë së Posaçme, Xhafaj tha se duhet të dallohet intimidimi ndaj punës së tyre dhe debatet për përmirësimin e këtyre institucioneve. “Mënyra si e bëjnë, standardet, janë pjesë e debatit. Këtu duhet të ndajmë. Intimidimin sulmin për ti larguar nga puna e tyre, nga debati për të qenë të suksesshëm në kufijtë e kushtetues e ligjit. E gabuar do të ishte të konsiderohej e panevojshme. Më mirë kur ka diskutim, më së pari e bëjnë institucionet e drejtësisë, shoqëria, si vjen asnjë e keqe nga debati apo diskutimi”, nënvizoi Xhafaj.