29 Shtator 2024
Ja si Edi Rama dhe Belinda Balluku morën 180 mln euro nga buxheti i shtetit për të çuar rrugën te resorti i Samir Mane ku strehohen politikanë, biznesmenë, pronarë mediesh, gazetarë dhe personazhe të dyshimtë që nuk justifikojnë paratë

U desh vetëm një vit që tuneli i Llogarasë të hapej. I gjatë afro 6 km, tuneli nis nga ana e Dukatit në Vlorë dhe del mbi fshatin “Green Coast Resort”, të ndërtuar nga oligarku Samir Mane. Në resortin luksoz të tij kanë vila shumë politikanë, pronarë medias, biznesmenë dhe shumë personazhe të dyshimtë që nuk justifikojnë paratë. Fillimisht ndërtimi iu dha me tender kompanisë që kërkoi më shumë para, në garën e hapur nga Ministria e Infrastrukturës. Një bashkim i dy kompanive turke, përfituan 170 milion euro për këtë projekt, teksa më herët u shpenzuan 7.5 milionë euro për studimin e fizibilitetit.

Skandali

Një infrastrukturë e tillë i nevojitej ortakut të Edi Ramës, i cili urdhëroi përfundimin e këtij ndërtimi në kohë rekord. Po pse e quajmë në kohë rekord? Një tunel me gjatësi 6 km i gjatë dhe një shkallë vështirësie të lartë u hap për 365 ditë, ndërkohë që tuneli i Murrizit është ende një mit për shqiptarët. Punimet për Rrugën e Arbrit kanë të paktën 6 vite që kanë nisur zyrtarisht dhe pritet që të zgjasin edhe më shumë. Ndonëse Rama premtoi se ky segment do të hapej në vitin 2021, kryeministri nxitoi të bëjë fushatë elektorale me daulle ende pa u bërë as gjysma e punimeve. Tuneli i Murrizit, vetëm 3.8 km i gjatë, ka marrë miliona euro shtesë dhe drita në fundin e tij nuk po shihet ende.

Edi Rama përdorte argumentin në këtë rast me tunelin e Llogarasë se duhet në mënyrë urgjente për të thithur turistët në jug. Por nga shpjegimi që do të bëjmë, kjo rrugë është bërë vetëm për vilat private të Samir Manes. Ata, të cilët pretendojnë njësoj si Edi Rama se me këtë tunel u afrua jugu, kanë nocionet elementare të gjeografisë së Shqipërisë. Jugu i Shqipërisë është Saranda, Delvina, Gjirokastra. Ky tunel nuk ka shkuar në Sarandë, por te vilat e Samir Manes, ndryshe përshembull nga tuneli i Elbasanit, në të cilin banorët e Shqipërisë së Mesme dhe Juglindore, banorët e Maqedonisë që mësyjnë Durrësin, Tiranën dhe plazhet e vendit. Pra edhe njëherë shteti iu vendos në dispozicion Samir Manes dhe në këtë rast dhe vetë Edi Ramës, i cili ka një vilë në Drimadhë. Ndaj ky kryeministër e ka shumë të lehtë të hedhë 180 mln euro nga lekët e taksapaguesve shqiptarë që ai të shkojë të pushojë i qetë dhe sa më shpejt në vilën e tij. Nga ana tjetë, fshati i Samir Manes është nën lupën e drejtësisë, pasi Prokuroria e Posaçme dhe BKH kanë indicie dhe dyshojnë se Green Coast është përdorur gjerësisht si lavatriçe për pastrimin e parave, si nga persona me rekorde kriminale, ashtu edhe nga zyrtarë të korruptuar të të gjitha niveleve.

Këtë e vërtetoi dhe Arben Ahmetaj, i cili kishte vilë me para të pista në këtë resort. Pastrimi i parave është një proces që kërkon dy palë. Njëra palë është ajo që ka paratë në të zezë e që synon t’i fusë në sistem. Pala tjetër është ajo që e mundëson t’i fusë në sistem. Përgjegjësitë ligjore të secilës palë përcaktohen nga nenet 287 dhe 287/a të Kodit Penal. Për rastin e parë, neni 287 parashikon dënim me burg nga 7 deri në 15 vite. Kjo është njëra nga tre akuzat e ngritura ndaj Arben Ahmetajt. Për palën e dytë, neni 287/a parashikon tekstualisht se: ‘Kushdo që blen, merr, fsheh apo, në një mënyrë tjetër, përvetëson për vete ose një palë të tretë, apo ndihmon në blerjen, marrjen, fshehjen ose përdorimin e parave apo mallrave të tjera, duke ditur se një person tjetër ka përfituar këto para apo mallra, si pasojë e kryerjes së një vepre penale ose veprimtarie kriminale, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në tre vjet’.

Dosja në SPAK

Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të debatuara, për shkak të mungesës së konsultimit publik si dhe për shërbimin që pritet t‘i ofrojë realisht shqiptarëve, por më skandalozja fryrja e kosteve, si edhe shkelja së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, aferë e cila po hetohet nga SPAK. Në dispozicion të SPAK janë vendosur 10 prova abuzimi me miliona euro dhe procedura fiktive të shpalljes së fituesit, më konkretisht:

1- Në datën 14.12.2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur tenderin me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë”. Në këtë procedurë paraqiti ofertë shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë rreth 140 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi anullimin e tenderit dhe “çuditërisht” shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. e skualifikuar nga gara nuk bën ankim ndaj vendimit të skualifikimit nga procedura e prokurimit.

2- Në datën 24.06.2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rishpalli tenderin me të njëjtin objekt. Në këtë garë morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, nga ku rezulton se 4 operatorë u skualifikuan dhe vetëm Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK dhe ASL INSAAT TAAHHUT u kualifikua dhe u shpall fitues në datën 08.10.2021, me ofertë rreth 170 milionë euro. Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., nuk ka marrë pjesë në garë, ndërkohë që oferta fituese është 30 milion euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. në procedurën e parë.

3- Në datën 08.11.2021, operatorët fitues të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, themeluan shoqërinë e thjeshtë “INTEKAR – ASL”. Dokumentacioni për regjistrimin e shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit është bërë nga shtetasja Rovena Dorëzi, e cila rezulton të jetë e punësuar si juriste në shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a.

4- Nga verifikimi i pagesave nëpërmjet Degës së Thesarit Tiranë, rezulton se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer 36 pagesa, me vlerë totale rreth 170 milionë euro.

5- Punimet e nënkontraktimit janë kryer nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., logot dhe punonjësit e të cilës shfaqen në të gjitha inspektimet që janë kryer nga shtetasja Belinda Balluku, gjatë kryerjes së punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Përveç kësaj, nga verifikimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqëria “INTEKAR – ASL” nuk rezulton të ketë asnjë licencë aktive, të cilat janë të domosdoshme për kryerjen e punimeve të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

6- Nga analiza e pasqyrave financiare për vitet 2021 – 2023, shoqëria ka deklaruar se ka fituar në total 23.5 milionë euro, ndërkohë që në detajimin e zërave të shpenzimeve rezulton se 97.5% – 99% janë pagesa të kryera për nënkontraktim, pra kompanisë “Gjoka Konstruksion” sh.a.

7- Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.

8- Nga analiza e fakteve dhe të dhënave të mësipërme, del se punimet për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u kryen efektivisht nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., e cila kishte marrë pjesë në procedurën e parë të anulluar të prokurimit dhe kishte ofruar për ndërtimin e tunelit vlerën prej rreth 140 milionë euro. Në fakt, rezulton që shpenzimi për ndërtim u krye po me këtë vlerë, sepse shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. që bërë punimet me nënkontraktim u pagua po me këtë shumë, por në këtë rast jo drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit por përmes një ndërmjetësi që ishte kompania turke “INTEKAR – ASL”, i cila përfitojë 30 milion euro pa bërë asnjë punë.

9- Diferencë prej 30 milionë euro është “tarifë suksesi” e shoqërisë “INTEKAR – ASL”, pa kryer asnjë punë, pasi të gjitha punimet janë realizuar nga shoqëria shqiptare “Gjoka Konstruksion” sh.p.k..

10- Nga kjo skemë, mbi të cilën rëndojnë dyshime serioze për korrupsion apo abuzim me detyrën, Buxhetit të Shtetit provohet se i është shkaktuar një dëm prej të paktën 30 milionë euro, për shkak se nuk pasqyrohet ndonjë shpenzim për këtë vlerë”, thuhet në kallëzimin penal. Opozita konfirmoi pak javë më parë se dokumentacioni i plotë, së bashku me shkeljet përkatëse, që kanë sjell abuzimin me të paktën 30 milion euro ndaj Buxhetit të Shtetit, dhe që dyshohet se është vlera e “tarifës së korrupsionit”, i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Denoncimi i Ahmetajt

Ndërkohë, vlen të theksohet fakti se detajet mbi të cilat është mbështetur opozita për kallëzimin në SPAK, janë denoncuar në një intervistë televizive dhe nga ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili denoncoi aferën korruptive të tunelit të Llogarasë. Ahmetaj deklaroi se tenderi i fituar nga kompania shqiptare me një vlerë 140 milionë euro u anulua pas presionit ndaj pronarit të kompanisë dhe pas takimeve në Ankara të Turqisë, i është dhënë tenderi një kompanie turke për 50 milionë euro më shumë, ndërkohë që punimet i bëri kompania shqiptare që fitoi tenderin në fillim. Nëse kryen një verifikim nga rrjeti social i Belinda Ballukut, vihet re se takimi në Ankara është mbajtur më 3 Qershor 2021. Pjesë e takimit ka qenë edhe kryeministri Edi Rama si dhe ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, teksa Balluku konfirmon takimet me kompanitë aty.