Ja vendi me 12.9 mln banorë, me 5 viktima nga koronavirusi

26/07/20

Bëhet fjalë për Ruandën. Vendi që ndodhet në Afrikën Lindore ka arritur ta fitojë betejën me koronavirusin, me 5 viktima për 12.9 milionë banorë. Ruanda ka në total 1752 raste pozitive me virus, nga të cilët 907 janë shëruar.

Në shumë vende, testimi për COVID-19, mbetet i vështirë, kurse në Ruanda, njerëzit testohen edhe rastësisht, kur janë duke ecur. Çdokush që shihet qoftë duke i dhënë biçikletës, makinës apo motorit, ai pyetet nëse dëshiron të testohet.

Edhe pse klasifikohet si një prej vendeve me të ardhurat më të ulëta nga Banka Botërore, Ruanda ia ka dalë të identifikojë çdo rast të COVID-19. Kushdo që del pozitiv vendoset në karantinë në një klinikë posaçërisht për COVID-19.

 Në vijim, punonjësit e shëndetësisë telefonojnë dhe kontaktojnë me çdo person me të cilin, i testuari me rezultat pozitiv ka patur kontakt.

Arsye tjetër që ndikoi në këtë sukses të Ruandës është fakti që vendi reagoi shumë herët, duke mos e lënë situatën të përkeqësohej. Qeveritarët vendosën rregulla më të rreptë se çdo vend tjetër afrikan.

Gazeta Mapo.