Ja vendimet e Samitit të Athinës, Serbia detyrohet të pranojë agresionin rus në Ukrainë, Kosovës iu njoh flamuri dhe Edi Rama shpallet “non grata” për BE
23 Gusht 2023
Liderët e Ballkanit u mblodhën më 21 gusht 2023 në Athinë, ndërsa të ftuar ishin edhe krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, ndërkohë që i pranishmi surprizë ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Takimi u organizua nga Mitsotakis me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”. Në këtë Samit ndodhën zhvillime shumë të rëndësishme. Si fillim, Serbia pranoi më hapur se kurrë agresionin rus në Ukrainë. Gjithashtu Kosovës iu njoh flamurii. Por goditja më e rëndë erdhi për liderin shqiptar Edi Rama. Samiti në Athinë nxori zbuluar shpalljen “non grata” të Edi Ramës për BE.
Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës
Në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të Ballkanit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua në Athinë edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nga i cili mori mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës. President serb u shpreh në Instagram se pati një bisedë “të mirë dhe të hapur” me presidentin ukrainas në kuadrin e takimit të Ballkanit dhe se diskutuan për çështje të lidhura me integritetin territorial të të dyja vendeve. “U shpreha se kur bëhet fjalë për çështjen e integritetit territorial, Serbia, në dallim nga të tjerë, është e sinqertë dhe mbështet integritetin territorial të Ukrainës. Ishte një bisedë e sinqertë dhe miqësore që shpresoj se do të krijojë bashkëpunimin me një vend që nuk i ka bërë dëm ndonjëherë Serbisë. Mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin e Ukrainës, për sa i përket integritetit territorial të Serbisë”, tha zoti Vuçiç. Pra prania e presidentit Vuçiç në një tavolinë me liderin ukrainas në një moment kur lufta Moskë-Kiev është më e nxehtë se kurrë tregon kthesën e madhe që po merr Beogradi nga presioni i Perëndimit.
Kosovës iu njoh flamuri
Mes pjesëmarrësve në takim ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Greqia, një vend që nuk e ka njohur ende zyrtarisht Prishtinën, pranoi “De Facto” në këtë Samit pavarësinë. Flamuri i Kosovës u valëvit në Athinë në prani të liderëve të Ballkanit, BE, por veçanërisht Aleksandër Vuçiçit, politikani që muajt e fundit del çdo ditë nëpër konferenca dhe tregon se Kosova nuk do të jetë kurrë shtet për Serbinë. Pra takimi në Athinë tregoi dhe njëherë se planet përfundimtare të Perëndimit me Kosovën janë që në fund të gjitha shtetet ta njohin si të pavarur.
Edi Rama shpallet “non grata” për BE
I vetmi që nuk ftua në këtë takim ishte Edi Rama. Problemi nuk është Shqipëria, por vetë personalisht kryeministri Rama, pasi ftesa nuk iu drejtua atij për të qenë në këtë takim të një niveli kaq të lartë, por iu dërgua presidentit Begaj. Mesa duket Bashkimi Evropian, të cilët zgjodhën Greqinë pë këtë takim nuk e donin të pranishëm në këtë takim Ramën. Lënia jashtë këtij Samiti për çfarë do lloj arsyeje është një goditje “vdekjeprurëse” nga Brukseli për kryeministrin shqiptar.
Ja vendimet e Samitit të Athinës
11 liderët pjesëmarrës në këtë takim, përfshirë këtu kryeministrin Mitsotakis nënshkruan një deklaratë të përbashkët me 8 pika, ku mes të tjerash u shpreh mbështetja e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Deklarata e përbashkët e lëshuar në Athinë: Ne, Presidenti Aleksandar Vuçiq, Presidentja Maia Sandu, Presidenti Volodymyr Zelenskyy, Presidenti Jakov Milatovi?, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri Ion-Marcel Ciolacu, Kryeministri Albin Kurti, Kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Krishna, Kryeministri Dimitar Kovachevsky, Kryeministri Nikolai Denkov dhe kryeministri Andrej Plenkoviç lëshuam sot në Athinë, Samiti BE-Ballkani Perëndimor, njëzet vjet pas Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Selanik, deklaratën e mëposhtme:
1. Pushtimi rus i Ukrainës është një moment kyç për Evropën, duke krijuar një nivel të ri ndërgjegjësimi për parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët brenda BE-së. Kjo është një kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit tonë evropian. Ligjet dhe parimet që kontribuan në një rend sigurie të qëndrueshme dhe të parashikueshme evropiane për kaq shumë kohë janë shkelur dhe ne jemi dëshmitarë të shfaqjes së efekteve katastrofike të revizionizmit.
2. Përballë agresionit rus, ne shprehim mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
3. Në diskutimet tona sot në Athinë, ne shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për përpjekjet e zellshme të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në përcaktimin e parimeve për paqen në përputhje me Kartën e OKB-së, në Formulën e tij të Paqes. Ne mirëpritëm gjithashtu përpjekjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të promovuar një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
4. Ne ramë dakord se nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet kundër civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajë përgjegjësi.
5. Njëzet vjet më parë, Samiti i Selanikut pranoi se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ne besojmë fuqishëm se sot kjo deklaratë mbetet më e rëndësishme se kurrë. Lufta e përshkallëzuar e agresionit kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themel i paqes dhe prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohërave sfiduese.
6. Theksuam se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republika e Moldavisë, gjeografikisht ngjitur me Shtetet Anëtare të BE-së, kanë një trashëgimi të përbashkët evropiane, histori dhe një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Si një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, është e rëndësishme që këto rajone të përqafohen si anëtarë të plotë të familjes evropiane.
7. Sot në Athinë diskutuam rrugën përpara, për ta bërë realitet këtë vizion të Evropës. Ne nënvizuam rëndësinë e vendosjes së vetes një objektiv për plotësimin e vizionit të një BE të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Ne nënvizuam nevojën për një proces zgjerimi të ringjallur dhe të fokusuar që të jetë i prekshëm dhe i besueshëm, pa shkurtore për kushtet e vendosura. Ne shprehëm angazhimin tonë për të mbështetur Ukrainën dhe Moldavinë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e tyre të anëtarësimit sapo të kenë përfunduar reformat e nevojshme. 8. Ne besojmë fort se 20 vjet pas Samitit të Selanikut dhe në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, ka ardhur koha për të miratuar një qëllim përfundimtar të guximshëm dhe ambicioz që do të shërbejë si udhërrëfyes, frymëzim dhe kontekst.”
Gazeta Sot