30 Dhjetor 2022

Nga ELMAS BOGDANI

Gazeta Sot

Kryeministri Edi Rama po tregon nga dita në ditë që ka një luftë të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në veçanti. Deri para se të merrte mandatin e tretë qeverisës, në 25 prill të vitit 2021, Edi Rama ishte i “përkëdheluri” i SHBA-ve, por gjithçka ka ndryshuar dhe marrëdhëniet mes kreut të qeverisë dhe amerikanëve janë më keq se asnjëherë më parë. Por çfarë prapaskenash fshihen pas këtij ndryshimi drastik? Kush është marrëveshja që hodhi në erë bashkëpunimin e fortë të Ramës me SHBA? Gazeta “SOT” po sjell për lexuesin pazaret e fshehta politike, faktet e fshehura për publikun dhe mesazhet e koduara të Ramës drejt SHBA.

Ja si nisi sherri i Ramës me amerikanët

Krisja e kryeministrit Rama e ka zanafillën pas zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021. Si asnjëherë tjetër në 30 vite pluralizëm, Partia Socialiste dhe Edi Rama fituan mandatin e tretë. Por kjo fitore pritet të kthehet shumë “e hidhur” për qeverinë socialiste. Kreu i qeverisë “preu në besë” SHBA duke devijuar nga marrëveshja ku rol kryesor kishte ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. PS dhe PD pritet të shkonin drejt bashkëqeverisjes pas 25 prillit, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi Rama “e drodhi” gjatë rrugës. Gazeta “SOT” e ka theksuar edhe më parë disa herë se ky skenar kishte vite që diskutohej, por disa ditë para zgjedhjeve të 25 prillit amerikanët insistuan duke e kërkuar me ngulm një gjë të tillë. Ndryshe nga Rama, Basha i kreu të gjitha porositë e SHBA. Para zgjedhjeve të 25 prillit, ambasadorja amerikane Yuri Kim i kërkoi gjatë një takimi largimin e Sali Berishës nga partia dhe Basha e mbajti fjalën. Kërkesa e dytë ishte bashkëqeverisja. Mesazhin e dha vetë ambasadorja amerikane në deklaratën për shtyp, ku e bëri të qartë se me rikthimin e PD në Parlament, PS duhet që të tregohet serioze në angazhimet e saj. “Teksa PD kthehet në Parlament, do të jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit”, tha Kim gjatë zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021.

Si i “drodhi” Rama

Vetë Kryeministri Edi Rama para edhe pas zgjedhjeve i bëri ftesë të hapur Bashës për bashkëqeverisje, ndërsa ambasadorja Yuri Kim pasi mori dhe konfirmimin e Bashës i dërgoi shpesh mesazhe kryeministrit që të mbante fjalën. Në prapaskenë gjithashtu punuan dhe gjermanët me qëllim që të kishim një koalicion të gjerë PD-PS. Shpallja i padëshiruar i Berishës ishte një skenar i mirëmenduar. Fillimisht iu dha goditje LSI. Amerikanët mbështetën ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat hiqnin koalicionet. Përmes këtyre ndryshimeve LSI doli më e humbura dhe u katandis në 4 deputetë. 2 ditë para zgjedhjeve, Yuri Kim lëshoi bombën në Presidencë, ku i tha Metës të tërheqë akuzat për rrëmbim sfurqesh. Kaq u desh dhe ata që ishin me dy mendje nuk votuan për LSI. Pra përmes 25 prillit u largua Meta.

Dalja jashtë loje e Berishës dhe Metës

Ndërkohë personi tjetër që amerikanët nuk e donin në një qeveri PD-PS ishte Sali Berisha. Në lojë hyri Departamenti i Shtetit, i cili e shpalli “non grata” Berishën, por edhe goditja përfundimtare që i dha Lulzim Basha duke e përjashtuar nga Partia Demokratike. Pra me largimin e Berishës dhe Metës, amerikanët donin të hidhnin një hap të madh, duke sjellë diçka që nuk kishte ndodhur në 30 vite: bashkëqeverisje mes mazhorancës dhe opozitës. Muajt e parë pas zgjedhjeve të 25 prillit Rama nuk ndryshoi qëndrim dhe i shtriu Bashës dorën e bashkëpunimit duke qenë i hapur si për bashkëqeverisje, ashtu dhe për zgjedhje të reja vendore, për të zgjedhur presidentin dhe për të përmbyllur reformat, por rrugës ndodhi kthesa e madhe. Kryeministri Rama thyen paktin me amerikanët dhe fut në lojë sërish Sali Berishën.

Fakt 1/ Rama sulmon dhe nuk njeh Bashën, bashkëpunon me Doshin dhe Berishën

Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Rama mbështeti në prapavijë dyshen Berisha-Meta, pasi së bashku me Tom Doshin dhe Aqif Rakipin, ndihmuan koalicionin “Shtëpia e Lirës” që të fitonte Bashkinë e Shkodrës. Në këtë kontekst, Rama “tradhtoi” amerikanët, sepse u bë bashkë me “non grata”, referuar zotit Doshi, Rakipi dhe Berisha, duke i dhënë kështu ndihmë dhe fitoren e Bashkive të Shkodrës, Rrogozhinës dhe Vorës, akuzat këto që janë artikuluar edhe nga Lulzim Basha. Madje, Rama para se Lulzim Basha të jepte dorëheqjen nga drejtimi i PD, refuzoi ta njihte atë si kryetar të opozitës, deklaratë kjo që detyroi ambasadoren Kim të takonte kreun e Grupit Parlament të PS, Taulant Balla, i cili një ditë pas kryeministrit, deklaroi se njohin Partinë Demokratike të Bashës dhe jo Berishës. Pra kjo ishte zanafilla se si filluan në prapaskenë sherret mes Ramës dhe SHBA.

Fakt 2/ Rama e krahason ambasadoren Kim me Sekretaren e Partisë së Punës

Konflikti u thellua edhe më tej. Më 18 mars të këtij viti, kryeministri Edi Rama e krahasoi ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, me një personazh nga e kaluara moniste, si  sekretare e partisë, të cilët në memorien kombëtare kanë ngelur njerëzit më të egër të diktaturës së proletariatit. Ky incident ka ndodhur, teksa kryeministri Rama dhe ambasadorja Kim ka qenë prezent në një tryezë, ku Universiteti Bujqësor i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje me universitetin e Miçiganit. Kreu i qeverisë, ironizoi fjalimin e rektorit të UBT-së, duke i hequr paralelizëm me fjalimet që bëheshin në kohën e komunizmit në Shqipëri përballë sekretarit të partisë. Kjo pasi rektori Fatbardh Sallaku, vlerësoi kreun qeverisë për strehimin e refugjatëve afganë, ndërsa nuk i kurseu as lavdërimet, çka ka sjellë edhe reagimin e Ramës. “Na vjen mirë që jemi të gjithë bashkë këtu. Më pëlqeu shumë ajo që tha rektori “ju garantojmë zonja ambasadore”. Më kujtoi kohën kur vinte sekretari i partisë dhe i thotë rektori i vjetër ju garantojmë shoku sekretar që ne do punojmë. Faleminderit shumë. Këto kisha unë. Rroftë miqësia shqiptare-afgane”, u shpreh Rama më 18 mars. Pra ky ishte momenti i parë ku kryeministri Rama e nxori përplasjen e fshehtë me SHBA jashtë korridoreve.

Fakt 3/ Blinken injoron Ramën, vlerëson vetëm ministren Xhaçka

Ofensiva e Ramës kundër ambasadores Kim, nuk zgjati shumë, pasi disa ditë më vonë i është përgjigjur Uashingtoni. Ka qenë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili i dha një goditje të fortë shefit të qeverisë shqiptare. Të martën e 22 marsit të vitit 2022, diplomati Blinken publikoi një foto nga mbërritja e afganëve në SHBA, teksa me një postim në “Tëitter” ka falënderuar ministren Xhaçka dhe popullin shqiptar për mikpritjen e tyre, por nuk përmendi fare qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Ky mesazh i fortë dhe injorues i zotit Blinken kundrejt shefit të ekzekutivit erdhi si kundërpërgjigj e gjuhës aspak diplomatike të përdorur nga ky i fundit ndaj ambasadores Kim.

Fakt 4/ Kryeministri Rama sulmon DASH

Megjithatë nuk ndalet me kaq, pasi kryeministri Edi Rama sulmoi edhe më 13 prill të këtij viti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ironizoi opozitën, teksa shkroi në rrjetet sociale se paska plasur “peshku” për ato që ata thonë. Gjithashtu Rama deklaroi se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është copy-paste i vitit më parë, ku sipas tij nuk figurojnë as arritjet që DASH i ka thënë vetë gjatë vitit që kaloi. “Paska plasur peshku për një raport vjetor të DASH se Amerika na paska thënë më në fund ato që opozitarët paskan thënë që në fillim! Kush e lexon çdo vit këtë raport e di që është aq shumë copy-paste i vitit më parë sa nuk figurojnë as arritjet që DASH i ka thënë vetë gjatë vitit”, nënvizoi Rama.

Fakt 5/ Kryeministri akuza ambasadës së SHBA: Po ndërhyni në punët tona

Ndërkohë shefi i qeverisë ka sulmuar ambasadoren Yuri Kim edhe më 21 prill. Ai e akuzoi se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. “Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë. Caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë, kush ka vjedhur e kush…merrni raportin e DASH sikur e keni nxjerrë ju! Ë! Është qesharake. Flisni sikur keni imunitet diplomatik nga ambasada amerikane. Gënjeni veten që të jeni shumë të qartë. Kapuni mbas Flamurit të PD, se atë amerikan ka kush e kap. E kapin amerikanët. E keni bërë si ato çarçafët e shtëpive të qejfit. Mos na e trego ne nga çfarë u distancuam ne dhe nga cila duhet që të distancoheni ju. E dimë shumë mirë çfarë bëjmë. Mos na e qani hallin për marrëdhëniet as më Amerikën, as Europën dhe as më shqiptarët. Për shkakun tuaj janë ekskluzive tonat. Këto lojërat me flamur amerikan, iu bëjnë qesharak”, deklaroi Rama.

Fakt 6/ SHBA bojkoton tryezën për Amnistinë Fiskale

Në 15 korrik të vitit 2022, SHBA bojkotoi tryezën për Amnistinë Fiskale. Në konferencën që qeveria zhvilloi për të sqaruar të gjitha argumentet pro dhe kundër Amnistisë Fiskale, ambasadorja amerikane Yuri Kim nuk ishte e pranishme. Nga ana tjetër goditje të fortë nga ndërkombëtarët kryeministri Rama mori dhe nga Gjermania e Franca. Ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe homologu i saj gjerman, Peter Zingraf kanë lënë pa fjalë kryeministrin Edi Rama, pasi e kanë braktisur konferencën në momentin që kreu i qeverisë ka nisur të flasë. Barsacq dhe Zingraf ishin të ulur në rreshtin e parë të të ftuarve në takimin e organizuar nga qeveria për amnistinë fiskale dhe kanë dëgjuar të flasë ministren e Financave, Delina Ibrahimi, zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe një ekspert nga Britania e Madhe, të cilët shpjeguan specifikat e ligjit dhe përfitimet nga nisma e qeverisë. Por në momentin që Rama mori fjalën, ambasadorja e Francës i ka bërë një shenjë diplomatit gjerman si për t’i treguar se kishte ardhur koha të çoheshin nga karrigia, dhe në atë moment të dy së bashku kanë braktisur sallën. Largimi i tyre u filmua nga regjia e kryeministrisë për disa sekonda, ndërsa me shpejtësi fokusi u zhvendos te kryeministri, fytyra e të cilit la përshtypjen e një njeriu të shtangur nga veprimi i ambasadorëve.

Fakt 7/ Edi Ramës “i mbyllen dyert” e SHBA

Gjatë tetorit kanë dalë zbuluar të tjera fakte nga përplasja e Ramës me amerikanët. Kjo gjë u pa qartë gjatë vizitës së kreut të qeverisë në SHBA, ku Rama nuk u prit nga asnjë zyrtar i lartë, përveçse “vodhi” një foto me presidentin Joe Biden, gjatë qëndrimit në selinë e OKB në Neë York. Por ndërsa kryeministri po izolohet nga amerikanë, ministrave të tij u janë hapur dyert, sikundër e tregon vizita e fundit në SHBA e zonjës Olta Xhaçka, por edhe e kryebashkiakut Erion Veliaj. Të dy ata kanë zhvilluar takime të rëndësishme dhe janë takuar me zyrtarët më të lartë në Uashington, Shtëpinë e Bardhë apo Departamentin Amerikanë të Shtetit. Kulmi i takimeve të ministres së Jashtme Xhaçka ishte ai me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, vartësin e tij, Gabriel Escobar dhe Karen Donfried, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë si zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jon Finer. Kjo vizitë e zonjës Xhaçka, jovetëm që ka “eklipsuar” Ramën, por tashmë për amerikanët shihet ajo si e preferuar e qeverisë dhe jo kryeministri që është treguar “arrogant” dhe “kryeneç” në raport me me zyrtarët e SHBA. Gjithashtu amerikanët thërritën Xhaçkën me përfaqësuesit e 9 ministrive në 24 tetor,  ndërkohë që Edi Ramës i mbyllën dyert e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se ai ka nuk ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar, ndonëse mungesën e tij mund ta justifikojë me arsyetimin se ka pasur axhendë të ngjeshur për shkak të vizitës në Izrael dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Fakt 8/ “Zëvendësimi” i Yuri Kim

Një tjetër përplasje e fortë mes qeverisë dhe SHBA u shënua pak javë më parë. Dhe këtë herë në qendër të vëmendjes u vendos zëvendësimi i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim. Kjo procedurë ka qenë gjithmonë një detyrë e Departamentit Amerikane të Shtetit, por kësaj herë ka “ndërhyrë” edhe një institucion që nuk i takon. Stafeta e dorëzimit dhe ndërrimit të ambasadorëve në Shqipëri ka qenë një praktikë e kahershme e DASH, por kësaj here në mënyrë të paprecedentë vendi pritës shpall largimin pa asnjë njoftim nga Amerika duke përdorur si pretekst shkrime në media periferike. Kur në fakt, vetë MEPJ vetëm sa informohet procedurialisht nga DASH për ndryshimin e ambasadorit që caktohet me detyrë në Shqipëri. Kjo situatë lexohet ndryshe edhe si ashpërsim i marrëdhënieve të kryeministrit Rama me amerikanët. Ambasadorja amerikane u shpreh se do të qëndrojë në detyrë më shumë se mandati 3-vjeçar. Nga ana tjetër ishte Zëri i Amerikës që i vuri vulën kësaj situate. Kjo media u shpreh qartë se qeveria shqiptare gaboi pasi mori kompetencat e Senatit.

Fakt 9/  Altin Dumani, prokurori që futi në sherr Edi Ramën me Yuri Kim

Sherri mes Ramës dhe ambasadores amerikane Yuri Kim kapi majat me Altin Dumanin, kreun e ri të SPAK. Gjatë një mbledhje plenare maratonë që zgjati afro gjashtë orë të premten më 16 dhjetor 2022, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Votimi u krye pasi tre prokurorët kandidatë, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili paraqitën platformat e tyre për mënyrën se si do të drejtonin SPAK, si dhe u intervistuan prej anëtarëve të këshillit. Dumani u emërua si drejtues i SPAK për tre vitet e ardhshme me pesë vota të 10 anëtarëve të Këshillit të pranishëm. Në media dhe në korridoret e politikës u përfol për një përplasje të fortë mes qeverisë “Rama” dhe amerikanëve, për shkak se socialistët synon të kapnin institucionin e SPAK, duke katapultuar në krye të saj një “besnik” të tyre, por në fund kryeministri Rama e humbi betejën me amerikanët.  Loja e pistë, duket se u nuhat me të drejtë nga Uashingtoni, i cili ka mbështetur reformën në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj me milona dollar fonde, ndërsa u fut në lojë, duke “prerë” duart e zgjatura nga politika, për të kapur Prokurorinë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe shantazhuar anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë gjatë 2023, por një gjë është e sigurt, marrëdhëniet e kryeministrit Rama me amerikanët nuk kanë qenë kurrë më keq sa tani.