Zbulim apo Rizbulim nga Lucia Nadin per Barletin.-
Jahja Drancolli. -“Repetitio est mater studiorum” ose zbulimi i znj. Nadin të një libri të ri me autor Marin Barleci!-
Shfrytëzojë nga rasti që në “Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut” të përgëzojë znj. Nadin për këmbënguljen e saj në thëllim e studimeve albanologjike, ndërsa sa i përket zbulimit që është duke u trumbetuar zëshëm në shtypin tonë, do ta kisha quajtur vetëm për një “repetitio est mater studiorum”, dhe si një rikujtim për ditët e shkëlqyeshme të shkencave tona albanologjike!
Nga Jahja Drancolli.
Postim me shkas: “Repetitio est mater studiorum” ose zbulimi i znj. Nadin të një libri të ri me autor Marin Barleci!
Vepra e parë e njohur me titullin “De obsidione Scodrae” me autor Marinus Scodrensis, sipas testamentit të Marcus Marulus (1450-1524), një humanist zulmëmadh nga Spliti, ishte e njohur para korrikut të vitit 1501!
Zbulimi i veprës “Rrethimi i Shkodrës” me një datë më të hershme sesa ka mësuar deri vonë një pjesë e lexuesve tonë (1504), e adresuar në emër të znj. Lucia Nadin sipas njoftimeve që dalin nga përditshmet shqiptare të datës 22/VI/2018, natyrisht se ka gëzuar shumë dashamirës të shkencës e kulturës së lashtë arbërore (shqiptare). Sipas referencave, që i ndeshim në shypin e përmendur ditor, kemi të bëjmë me një kopje të librit nga viti 1500, libër ky “që mendohet të jetë kopja më e hershme e librit ‘Rrethimi i Shkodrës’, të cilin Marin Barleti e ka botuar për herë të parë në Venedik, në vitin 1504”.
Megjithatë, për hirë të së vërtetës shkencore më duhet të njoftojë se ekzistimi i një vepre të botuar para muajit korrik të vitit 1501 me titull “Rrethimi i Shkodrës” për opinionin tonë shkencor e kulturor është bërë i njohur në mënyrë ca më modeste duke e quajtur vetëm për “të dhëna të reja”, së paku 30-vite më parë me rastin e kthimit nga studimet pasdoktorale në Padova e Venedik përgjatë vitit akademik 1986/1987. Së këtejmi, opinioni lexues yni së pari është informuar për ekzistimin e dokumenteve origjinale, të cilat hedhin dritë për veprimtarinë e M. Barlecit në Padova, Vicenza e Venezia, së paku nga viti 1496 (”Dum ego presbytero Marinus Barleta Scodrenisis rector parochialis eccl. S. Stephani […]. 1496, ind. XIII, die Jovis 14, mens. ian.-In eccl. cath. Paduana […]”), dhe në këtë kuadër për ekzistimin e një vepre më të hershme sesa ishte “Rrethimi i Shkodrës” i vitit 1504, vepër kjo që dëshmohet nga testamenti i Marko Marulit (Marcus Marulus, 1450-1524), më të madhit humanist kroat me origjinë nga Spliti i Dalmacisë. Testamenti në fjalë është përpiluar më 14/VII/1501 (“Ego Marcus Marulus, Nicolai Maruli filius, adhuc sanus mente et corpore, condo meum testamentum. In nomine domini nostri Jesu Christi. Anno nativitatis eius ex virgine millesimo quingentesimo primo, die vero 14 Julii, irritando omnia alia testamenta, que antehac per me facta reperirentur. Primum volo, ut corpus meum sepelliatur in ecclesia s. Francisci prope muros in sepultura patrum nostrorum. Animam autem dimissis peccatis suscipiat idem dominus noster Jesus Christus in sua mesericordia, qui pro peccatoribus humanari, nasci pati et mori voluit, qui penitentibus regnum promisit celorum. Volo pretera, ad roborandum testamentum istud heres meus solvat, quantum lex iubet, in fabrica muri civitatis Spalati […]”). Pjesa më interesante për historinë tonë është treguesi i librave (Tenor repertorij librorum, manu D. Marci Maruli testatoris supradicti, reperti una cum supradicto aligati, sequitur videlicet Repertorim librarum), libra këto nga biblioteka personale e Marulit. Nga vargu i gjatë i librave nga të ndryshmet (Ecclesiastici, Poetae, Historici, Geographi, Grammatici, Commenta, Epistolae, De re rustica, Astronomi, Philosphi et oratores), të cilat kishin parë dritën para datës 14/VII/1501, tërheqë vëmendjen sidomos njoftimi se në kuadër të veprave monumentale historike përmendet edhe vepra e Marin Shkodranit (Marinus Scodrensis), “Rrethimi Shkodrës” (De obsedione Scodrae).
Me këtë njoftim që ofron testamenti i M. Marulit, përveç terminit kronologjik të botimit të veprës në fjalë (1496-1501), shtrohet edhe çështja, si, bie fjala, se a i parapriu Panegjiriku i M. Beçikemit, kushtuar dukës Leonard Loredanit dhe Senatit të Republikës së Venedikut, Rrethimit të Shkodrës, apo kjo vepër e M. Barlecit i parapriu Panegjirikut të M. Beçikemit, dhe në këtë kontekst edhe një varg çështje të tjera që ndërlidhen me krijimtarinë e humanistëve arbërorë në Itali gjatë epokës së Humanizmit dhe Rilindjes. Zgjerimisht për këto njoftime që u përmendën më sipër, lexuesit e vëmendshëm mund të informohën veçmas në këto studime: Jahja Drançolli. Të dhëna të reja për jetën dhe veprën e M. Barlecit, në: Rilindja, 6/VI/1987; Jahja Drançolli. Të dhëna të reja për jetën dhe veprën e M. Barlecit, në: Gjurmime Albanologjike, seria e shkencave albanologjike. Prishtinë: 18-1988; Kasem Biçoku & Jup Kastrati. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu: Bibliografi, 1454-1835. Tiranë: Biblioteka Kombëtare; Jahja Drançolli, Arbers Between East and West, Zagreb: 2008, e ndonjë tjetër).
Nga gjithë ajo që u tha më sipër, shfrytëzojë nga rasti që në “Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut” të përgëzojë znj. Nadin për këmbënguljen e saj në thëllim e studimeve albanologjike, ndërsa sa i përket zbulimit që është duke u trumbetuar zëshëm në shtypin tonë, do ta kisha quajtur vetëm për një “repetitio est mater studiorum”, dhe si një rikujtim për ditët e shkëlqyeshme të shkencave tona albanologjike!
Burimi: Archivio di Stato di Padova; Državni arhiv u Splitu; Archivio di Stato di Venezia