Jaho Brahaj: – Butrinti po jepet për biznes, një goditje e madhe për trashëgiminë, e palejueshme që Margariti të jetë në bord.
Jaho Brahaj: – Butrinti po jepet për biznes, një goditje e madhe për trashëgiminë, e palejueshme që Margariti të jetë në bord.
Nga Julia VRAPI
29 PRILL 2022
Nga Gazeta Sot
Ne kundershtim me Kushtetuten, ne kundershtim me Ligjin “Per Trashegimine” dhe ne kundershtim me cdo ligj tjeter: – Ministerja e Kultures ANTARE BORDI.
Qeveria ka vendosur që t’i japë Butrintin për menaxhim një fondacioni, i cili do ta mbajë për një periudhë 10-vjeçare, gjë e cila u kundërshtua nga specialistë të ndryshëm fushës së trashëgimisë kulturore. Marrëveshja për administrimin e pasurisë kulturore të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të parkut kombëtar të Butrintit, lidhet ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin Butrintit.
Për studiuesin e trashëgimisë kulturore Jaho Brahaj parku kombëtar i Butrintit po jepet për biznes. Sipas tij, kjo që po ndodh është një goditje për trashëgiminë kulturore. “Butrinti po i jepet dikujt për biznes ekonomik dhe nuk është prioritare trashëgimia kulturore dhe njohja e publikut tonë dhe e të huajve, me këtë pasuri kulturore të krijuar nga populli ynë në shekuj. Por sipas marrëveshjes, e cila u publikua së fundmi ajo po kthehet biznes. Fatkeqësia dhe goditja më e madhe për trashëgiminë kulturore është gjithmonë kur ajo përdoret si biznes, dhe nuk përdoret për qëllimet e saja sipas ligjeve”, tha Brahaj për gazetën.
Organi më i lartë vendimmarrës i fondacionit është bordi i drejtorëve, i cili përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen për një mandat 2 vjeçar dhe mund të riemërohen për një numër të pakufizuar mandatesh, bëhet me dije për sa i përket Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Ky bord drejtorësh përbëhet nga ministrja Elva Margariti, Martin Mata, Aleksandër Sarapuli, Flonja Boriçi dhe Richard Hodges, ndërsa drejtor ekzekutiv do të jetë Lorenc Bejko.
Për studiuesin Jaho Brahaj, i cili kundërshton këtë që po ndodh me parkun e Butrintit, një ministre Kulture nuk mund të jetë në këtë bord. “Problemi fillon që nga që shpallja në atë dokument plani menaxhimi, dhe lind pikëpyetja: a kemi një ministre Kulture apo e kemi një anëtare bordesh? Siç shpallej në atë dokument, që emri i ministres do jetë dhe anëtare bordi, gjë që nuk e pranon as ligji. Ministrja është urdhërvënëse nuk mund të jetë në bord, nuk e lejon ligji”, thotë Brahaj.
Nuk lejohen ndërtime
Për çfarë po ndodh me parkun kombëtar të Butrintin më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti u akuzua për mungesë transparence. Kjo për arsye sipas asaj që deklaroi ministrja, të dhënat financiare mund të keqinterpretoheshin. Sipas marrëveshjes për rijetëzimin e Butrintit nevojitet një investim total kapital prej 7.5 milionë USD, ku 39 për qind e të cilit do të shpenzohet për konservimin e sajtit dhe 61 për qind për ndërtimin e strukturave të reja për vizitorët dhe stafin, i shpërndarë në 4 vitet e para. Por kur flitet për ndërtime, studiuesi Jaho Brahaj thotë se këtë nuk e lejon ligji për trashëgiminë.
“Në Butrint sipas dokumentit zyrtar, që u publikua do bëhen restorante me kafiteneri, por të dhënat janë që do të bëhen edhe rezidenca, të cilat ligji për trashëgiminë kulturore i republikës së Shqipërisë nuk i lejon”, thotë ai. Me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës për çfarë po bëhet për këtë park kombëtar, Jaho Brahaj thotë se po flitet vetëm për biznes dhe fitime. “Ky plan menaxhimi, marrëveshja, po e ndërron komplet destinacionin që kanë objektet trashëgimi kulturore në Shqipëri, dhe po e kthen në një biznes që do të fitojë dikush që ne nuk e dimë. Nuk përcaktohet shumë qartë dhe ajo që është më kryesorja, thuhet që i jepet një OJQ jo fitimprurëse kur vazhdimisht në dokumentin shtetëror të paraqitur para parlamentit flitet për biznes dhe fitime”, thotë ai. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.