Jaho Brahaj

16 Dhjetor 2024

Nga Gazeta Sot

Intervistoi Julia Vrapi

“Kcimi i Tropojës” në ditët e para të dhjetorit u shpall zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO. Studiuesi Jaho Brahaj thotë se kjo duhet shikuar si vlerësim për pasurinë dhe traditën e etnisë tonë. Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi Jaho Brahaj flet për rëndësinë e K’cimit të Tropojës në listën e UNESCO-s, por shprehet edhe me kritika për institucionet në vend.

– Për hartimin e dosjes janë përfshirë studiues e më gjerë. Sipas jush në kohët sot çfarë duhet bërë më shumë për transmetimin e K’cmit të Tropojës, pra një detyrë që iu del institucioneve për këtë pasuri kulturore?

Kjo është një valle që ka përmbajtje dhe formën e një tabloje të gjerë koreografike dhe tepër masive e njohur dhe që praktikohet në mbarë popullsinë shqiptare. Së pari duhet ruajtur që në këtë popullaritet të gjerë masiv që ka kjo pasuri shpirtërore të ruajë karakterin dhe shtratin me veçoritë e saja nga ku u zhvillu në këtë masivitet e përhapje që ka, që është rrjedhojë e faktor i vlerave dhe karakterit masiv të trashëguar nga na është trashëguar.

Masivizimi i kësaj vlere mundet edhe ta dëmtojë, duke i ç’vlerësuar elementët bazë nga ku u bë pasuri masive, kërkon kujdes që ajo në zhvillimet e kushteve shoqërore të sotme të mos humbi vlerat burimore nga ka zanafillën dhe karakterin e sotëm tepër optimist, masive  dhe e gëzueshme.

-Në tre vite Shqipëria me tre pasuri kulturore regjistruar në UNESCO (xhubleta, një vit pas xhubletës Transhumanca në 2023 dhe tani në 2024 K’cimi i Tropojës). Për ju, ku duhet të vijojë më tej puna për pasuri të tjera që duhet të jenë pjesë e listës së UNESCO?

Si e thamë edhe më sipër organizmat botërore, në rastin konkret e mirëpresin pasurinë tonë të trashëguar që e përfshijnë si pasuri botërore, dhe edhe ky rast tregon se ajo është tepër e hapur për vlerat tona, por është detyrë e grupeve të studiuesve dhe specialistëve tanë që të përgatisin pas punës së mirëorganizuar dosje të tjera, dhe madje edhe dosje të tjera me dukuri të trashëgimisë tonë duheshin të ishin dorëzuar pranë UESCO-s. Dosja “Kcimi i Tropojës” është dorëzuar që në vitin 2021, e që atëherë nuk kemi asnjë përpjekje dhe projekt serioz për një propozim tjetër.

Kjo kur ka patur shtete të Ballkanit edhe me raste që gjatë një viti i janë pranuar dhe shpallur 3 dhe katër dukuri (pasuri) të trashëgimisë së tyre në një vit. Shqipëria në qoftë se pret me vite sa të shqyrtohen propozimet tona për tre ose katër vite që të ndërmarrë dosje me propozime të tjera, atëherë diferenca me shtete e tjera do jetë tepër e vonuar dhe kjo është kryesisht neglizhencë dhe burokraci e institucioneve qëndrore të shtetit tonë. Si numër evidencash janë tre, por në fakt janë dy dukuri që kanë vlerë dhe jetë në Shqipëri. Transhumanca as që u ndje si event në vendin tonë dhe këtu tek ne as në parapërgatitjen e dosjes nuk u bë asnjë studim e hulumtim, por ishte bashkëngjitje dhe sipas traditës që kanë pasur disa grupe popullsish të Ballkanit.

Kjo jo se nuk kishte një traditë të tillë në vendin tonë, madje në Shqipëri ka ekzistuar lëvizja e bagëtive me vendqëndrim të ndryshuar për disa muaj brenda territoreve te komunitetet malore që ishin pasuri e vetë komunitetit dhe me shtegtime stinore në largësi, në kullota që kryesisht merreshin me qera. Në rastin e parë kemi pasur edhe traditë zakonore si rregullohej bashkëjetesa, përpunimi i bylmetit, gatimi i ushqimit me detyra komunitare dhe, edhe disa gatime të veçanta që ishin tipike për jetën në stane, bujtina provizore stinore gjatë vendqëndrimit disa mujor. Merrnin dhe bagëti që nuk shoqëroheshin nga pronarët e tyre dhe kishte traditë zakonore për garancinë e kokëve të bagëtive dhe për shpërblimin e pronarit dhe pjesën e të ardhurave që merrte ai që ju shërbente këtyre bagëtive në shtegtimin stinor.

Për xhubletën megjithëse kaluan më shumë se tre vite që kur u pranua si Pasuri e Njerëzimit, ende edhe sot nuk kemi një punishte tradicionale ku të punohet xhubleta sipas dijenive të trashëguara. Kemi raste që janë dhënë fonde edhe nga paratë publike për xhubletën, por pa një projekt të studiuar, mundet të themi se më shumë i kemi bërë dëm pasurisë xhubletë shqiptare pas vlersimit nga UNESCO, duke e deformuar e duke treguar hapur mosvlerësim për këtë veshje etnike, por deformime, tjetërsim të pasurisë kultike, mitike dhe mitologjike që të parët tonë na e sollën nga mijëravjeçarët. Në për pak vite po ndikojnë në deformim e tjetërsimin e vlerave. Ka një garë e kjo nga artizanët (qëndistarë) pa njohje e dijeni të fondit universal ornamental kultike, mitike e mitologjike që na sjell në ditët tona xhubleta.

Jaho Brahaj.

– Nëse rikthemi te “Kcimi i Tropojës”, për të ruajtur elementet autentikë, çfarë mund të bëhet?

Kcimi i Tropojës është na arealin e pasurisë sonë etnike të trashëguar në mijëravjeçare. Tradita e besimeve ilire është vetëm besime hyjnizim i natyrës, e thënë me fjalët e fjalorit të sotëm: Është Fe Natyrore. Ato, besimet e trashëguara nga fondi ilir i paganizmit hyjnizojnë e pasqyrojnë pyjet, ujërat, malet, kontaktin dhe të mirat e natyrës, efektet e natyrës, forcat e saj. etj. Këtë e shohim vetëm me një kundrim e edhe pa hyrë në brendësi të kulteve e besimeve pagane të fondit tonë etnik, që na ka sjellur deri në ditët e sotme Cikli i Kreshnikëve. Kcimi i Tropojës sipas asaj që njohim nga pasqyrimi e dokumentimi i mesit të shek. XX, ai fillonte me një çift burrash ose burrë grua me lëvizje me zanafillë në kultin e Diellit.

Njëri krah harkohej mbi kokë dhe tjetri harkohej drejt brezit, ku pjesa e dorës kalohej pas shpinës në ije, e kjo lëvizje vazhdonte me ndryshimin e pozicionit te krahëve, por me të njëjtën lëvizje. Kjo është e dokumentuar nga artefaktet arkeologjike të paktën që para 2600 vitesh. Ka pasur edhe udhëzime politike që këto lëvizje me zanafillë kultin e diellit me paraqitjen e lëvizje si svastike (zvastike) të mos paraqitej në skena që nga fundi i shek. XX, dihet për arsyen historike të praktikimit të zvastikës në mesin e shek. XX. Faza e dytë e kësaj valleje është bashkimi i grup-vajzave (femrave) në pozicion rrethor dhe me dy duart lart të fillonin shpërthimin e lëvizjeve tepër të gëzueshme e entuziaste. Vendosja në rreth me duar të ngritura po ashtu është dhe pozicioni i Faljes së Diellit, një rit i zakonshëm kryesisht të kalendarit të solstidit dhe ekunoksit Diellor.

Mos të harrojmë se po në këtë krahinë në malet e larta (bjeshkët), ku shtegtonin për peligrinazhe dikur ky komunitet i gjerë, aty ruhen edhe toponime (emër vende) që tregojnë se kishte një tempull të Diellit. Ruajtja këtyre fazave me pozicione të valltareve ka rëndësi për ruajtjen e elementeve zanafillor. P.sh, elemente të tillë janë përfshirë në vallet tona, ato të kultivuara nga Panajot Kanaçi. Ai ka huazuar te Elegjia (valle) për Bajram Currin ecjen e valltarëve në një moment me koreografi të huazuar nga Gjama e Burrave, ku ecej me formën Kamdyrek për disa hapa, që e forconte dhimbjen me elementë koreografik të traditës së ritit të lashtë të Gjamës së Burrave. I përmendëm vetëm këto dy elemente koreografik, që është domosdoshmëri të ruhen, ndryshe do zhvillohet vallja vetëm me një kakofoni lëvizjes pa ruajtur elemente bazë të zanafillës.

Kjo nuk do thotë se entuziazmi masiv të zbatojë lëvizje koreografike të përcaktuara, ajo shpërthen, por do ishte vlerë që valltaret te dinin dhe ti njohin elementët bazë dhe zanafillën e tyre mijëravjeçare. Cdo vallëzues do ishte edhe më krenar kur përfshihej nga entuziazmi dhe hareja e kësaj që sot është një tablo koreografike tepër të gëzueshme dhe entuziaste me zanafille ne mijravjecare.