Jaho Brahaj: – MBI emrin BERISHA dhe BERISHASIT.

Nga Jaho BRAHAJ. Botuar ne Gazeten Rilindja, 20 Nentor 1993.

Emëri i Alpeve të Shqipërisë është emër librash i cili është futur në fondin e shqipes me sa dimë ne së pari nga Hani (Georg von Hahn), kurse gjuha e popullit nuk e njeh, u fut vetëm në fillimin e mësimit në shkolla në gjysmën e parë të shek. XX.
Tradita popullore njeh dy grupe bjeshkësh: Bjeshkët e Namuna që janë të gjitha malet që i përmbledhin Alpet e Shqipërisë dhe Bjeshkët e Zeza.

Bjeshkët e Zeza e kanë humbur emrin e tyre duke u thërritur në tre male: Krrabi, Tërbuni dhe Konore Dardha, nga mesjeta kemi të dokumentuar që ky emër ekzistonte, Karl Hopf na thotë se Dukagjinët janë zotër të Zadrimës, Maleve të Zeza, të Pultit dhe të Shatit.

Duke ditur se cilat ishin zotërimet e Dukagjinëve na del se Malet e Zeza të dokumentit janë Bjeshkët e Zeza që prekëm më lart, e në mes të këtyre Bjeshkëve është ruajtur emri i krahinës, Malzi, i cili nuk përcakton një mal, por disa katunde që shtrihen shpateve të pyllëzuara me drunjë pishe.
Nuk është pa interes ta shohim fjalën bjeshkë, e cila haset vetëm në Shqipërinë e Veriut në dy anët e kufirit dhe nuk e hasim as në Jug dhe as tek Arbëreshët e Italisë. Prof. Eqrem Çabej e quan një mbeturinë të periudhës paraballkanike e të shqipes.

  • Historia e termit.

Ajo që do e mbajmë objekt në këtë shkrim është emri Berishë dhe banorët që e mbajnë si mbiemër. Ajo që deri më sot nuk është vënë re dhe analizuar është se Straboni, i cili jetoi nga viti 63 para erës tonë deri rreth vitit 20 të erës sonë, në veprën e tij të njohur GEOGRAPHICA, në librin VII, të erës sonë, që na jep Straboni, përkon me zonën ku sot janë Alpet e Shqipërisë (Bjeshkët e Namuna). Diçka na sqaron arkeologu i njohur Karl Paç në librin e tij “Ilirika” të botuar shqip në Tiranë më 1926, ku shprehimisht na thotë se Bertiscus është emër i moçëm, me të cilin quheshin Alpet e Shqipërisë.
Se si gjatë shekujve emëri Bertish e ka humbur “ T-ja” është e shpjegueshme me anë të gramatikës historike të shqipes që nuk është qëllimi i kësaj trajtese. Për fat të keq, që nga shekulli i parë nuk na del më ky emër deri në shekullin e XIII, kur del si mbiemër i një tregëtari në Ulqin, por në gjinin mashkullore, Gjin Berishi, e po kështu në gjinin mashkullore na del dhe në shekullin e XV te Barleti, vëllezërit Berishi, kurse sot ky emër kudo si në Shqipërin e Veriut dhe atë Lindore ( Republika e Kosovës) na del në gjininë femërore si emër dhe mbiemër.

Pra, me ç`ka parashtruam më lart, kemi të drejtë të themi se në Lashtësi Alpet e Shqipërisë thirreshin nga vendasit Berishi, dhe ndoshta emëri më i vjetër Bjeshkë që përcaktonte territore gjeografike të caktuara në Berishe, sepse në rrethinën e këtij territori kemi të ruajtura emëra gjeografik si Bjeshkët e Zeza, vlen të përmendet se në Ciklin e Kreshnikëve i hasim që të dy këto terma, si Bjeshkët e Namuna dhe Bjeshkët e Zeza.

Jaho Brahaj

  • Shtrirja gjeografike e fisit.

Të përcaktojmë pak a shumë se ku u gjejmë berishasit dhe Berishat në dokumentacion dhe në traditën gojore.
Thamë që në shekullin e XIII kemi një Berishi në Ulqin, pra në pjesën perëndimore të Bjeshkëve të Namuna, kurse në shpatet jugore kemi një Kastrat nga tradita për mesjetën se të ardhurit nga Drekalët kanë prejardhjen nga Berisha, pra këto janë vetëm një pjesë e fisit të Kuçit i cili është një pjesë e fisit Berishë që e ka vendndodhjen në perëndim të Bjeshkëve të Namuna.

Në vitin 1614 kemi një fshat afër Podgoricës me emërin Berish Lavzi, për të mos folur dhe për një fshat tjetër që na del me emërin Beri po aty rrotull, po kështu në fshatin Pukë kemi një vlllazëri Kuçi që për nga fisi e njeh veten me Berishën.

Gruda, këtu tradita njeh se nja 80 shtëpi janë denbabaden aty dhe e quajnë veten e tyre Berishë. Plani një pjesë janë Merturas, Berishas (siç do e shohim më poshtë). Një grup fshatrash të Arrnit, në mes të Fanit, Lumës e Lurës janë Berishas.
Rrethina e Gjakovës dhe vetë Gjakova sipas traditë është themeluar nga berishasit që popullonin atë zonë.

Në mesjetë në rrethinat e Pejës kemi toponimin Fusha e Berishës. Në rrëzë të Alpeve në Tropojë kemi Berishët që nuk njohin kurrfarë prejardhje nga ndonjë zonë tjetër.

Në mes të Drinit dhe Hasit kemi Berishën e Rodogoshit, siç duket me një mbiemër që administrata sllave Berishasit e popullit të Gashit.
Në qendër të Bjeshkëve të Namuna ne veri e jug të Drinit, disa fshatra të Lekbibajt të sotëm dhe Berisha që me ndërprerje kap nga Komani e deri në Arst me Bukurishtin, Aprripën e Gurit dhe Aprripën e Keqe, Poravin e tjerë jane Berishe.

Në zonën e grykës së Kaçanikut kemi disa fshatra Berishë, e po kështu në Drenicë kemi disa fshatra që madje të gjitha së bashku si krahinëz quhen Berishë.

Tradita popullore themelin e origjinës e tregon në Berishë, Pukë ku kemi dhe faltoren shumë të lashtë me emërin me nji prashtesë të shtuar nga latinishtja gjatë pushtimit romak (Alto) AlShiqeja, kishë që i përkushtohet Zoja e Alshiqes e që përkujtohet e festohet pikërisht në ditën që tradita gojore kalendarike e shekullore e nderon si Dita e Bjeshkës e që përkon me ditën e Baba Tomorrit, ku shohim Lidhjet e lashta ndërkrahinore të besimeve të moçme pagane të të parëve tanë.

  • Pamë se Bjeshkët e Namuna (Alpet) janë bjeshkë me periferitë popullsi berishase, po shtrirja e berishasve në zonën lindore shqiptare kur u krye?

Marin Barleti tek “Histori e Skënderbeut” na tregon se pas tradhëtisë së Moisi Golemit në Dibër “ Ndërmjet më fisnikëve të tjerë të atij vendi dhe kryetrimave të rinisë ishin dy vëllezër nga familja e lashtë e Berishvet, Dhimitri dhe Nikolla, ndihmën e të cilëve Skënderbeu e kishte të shënuar dhe të dendur.
Këta kur dëgjuan për fatkeqësinë e ushtrisë sonë dhe për përfundimin e rrethimit të Beratit, kur muarën vesh për rebelimin dhe pabesinë e Moisiut nuk vonuan aspak por vrapuen fluturimthi për tek roja dhe kryeporta e Mbretërisë, të trembur se mos roja atje shpërndahej nga frika apo ngaqë s`kish kush I frenonte dhe se mos vendi mbetej pa mbrojtës…”. I shënuam këta rrjeshta për të theksuar dy gjëra që na i tregon Barleti.
E para Berishët ishin një familje shekullore. Kur është fjala për të vënë në pah trimërinë, Barleti ka të gatshme lavdërimet, po kur vjen fjalë për hierarkinë familjare, Barleti është gjithomë i matur, e prandaj këtu kemi një përcaktim me shumë rëndësi: “…nga familja shekullore e Berishvet…”
Dihet se Dibra ishte kryeporta e mbretërisë së Skënderbeut, pra këtu na del qartë se ato, Berishët vrapuan drejt saj, pra nuk janë dibranë.

  • Berishasit ne Kosovës.

Barleti ka njohuri të sakta për zonën perëndimore të Shqipërisë, kurse për Lindjen e saj (sot Republika e Kosovës) rrallë e zë në gojë, prandaj dhe këtu fatkeqësisht nuk na jep një përcaktim të saktë se nga janë këto familje shekullore në Lindje të Dibrës.
Parashtrojmë këtu, se atyre duhet të ua kërkojmë vendbanimin shekullor në fshatrat e Grykës së Kaçanikut ku kemi shumë fshatra që banorët mbajnë po këtë emër, Berishas. Që kemi Berishas në këtë zonë në këtë shekull kjo na del edhe disa vjet më parë, e pikërisht në vitin 1434, në librin e borxhlinjëve të një tregëtari që vepronte në Novobertë kemi Paliç Berishi ( Paulixh Berich).
Nga këto na del e dokumentuar se berishas kemi në trevën e Republikës së Kosovës që në Mesjetë.
Për arsyen e lëvizjeve nga veriu drejt juglindjes të berishve të vendosur që në mesjetë e ku janë dhe sot, nuk duhet nënvlerësuar se edhe me pushtimin romak kemi pasur transferime të popullsisë nga rrafshnalta nëpër fusha e për aq më shumë kur dimë se një nga faktorët e mosromanizimit të popullsisë ilire është, se mënyra e administrimit në këto vise ka qenë e kushtëzuar nga tradita vendase, duke zbatuar sistemin administrativ romak në mënyrë kompromisi.

Thamë se këto bashkësi fshatrash berishase i gjejmë në Kosovë të dokumentuar që në shekullin XVI-XV, që të kenë ardhur gjatë sundimit serb të mesjetës është e pamundur, ato mund të jenë larguar ndoshta fill pas rënies së perandorisë romake të Perëndimit, kur vendasit u banë pronarë të tokave afër forcomave (fortifikimeve) strategjike që më parë kishin qenë prona të ushtarakëve pushtues. Mbiemërat e ruajtur në një periudhë kohore prej 20 shekujsh tregojnë vetëm një aspekt të karakterit të shqiptarit, traditën e dashurisë dhe fanatizmës së prejardhjes fisnore e gjenalogjike.
Tek shqiptari mbiemrat e huazuar nga emrat e maleve dhe të fiseve është një dukuri e zakonshme, Po përmendim nga mesjeta Gjon Muzaka, Kostandin Shpataraku, Millosh Kopiliqi, që e gjejmë dhe në lashtësi, ku kemi Bato i Desidiatëve, Pirro i Epirit, Niket Dardani etj.

  • Në vend të përfundimit.

Është e natyrshme që gjatë periudhës prej 20 shekujsh nga kjo popullsi me emrin Berishë kemi patur dhe shkëputje, duke marrë emërtime të tjera.
Nga tradita gojore dijmë për fisin e Drekalit (fis i njohur që në mesjetë) që më parë i është shkëputur fisit të Kuçit, i cili po ashtu është shkëputur nga Berisha.

Në mesjetë kemi shkëputjen e Mërturit që gjithnjë e ruajti kujtesën e traditës si një degëzim i Berishës.
Disa herë për thirrjen më emër të tij pjesëve të kësaj popullsie ka ruajtur rol dhe ndarja administrative e kishtare. E po kështu duhet të kemi parasysh dhe atë që është më se e natyrshme, që siç janë larguar nga territori me emërin gjeografik Berishë, po ashtu dhe fise të tjera janë futur në këtë territori, për këtë madje në mënyrë të veçantë na flasin dy etnografët me zë: Baron Nopça dhe Rrok Zojsi që nuk është temë shqyrtimi i këtij studimi. Këtu u munduam të hedhim dritë mbi një emër që ka shumë rëndësi për etnicitetin e popullit tonë e që nuk është analizuar më parë, siç është Berisha që ka një vjetërsi mëse 2000 vjeçare.

Ky nuk është rast i veçantë për historinë e gjjuhës shqipe, mund t`i rëndisim disa nga emrat që na erdhën nga lashtësia dhe u bashkëngjitet dhe Berisha, Dardania, Ulcinium (Ulqin), Scodr (Shkodra), Lisus (Lezha),  Drivast (Drisht), Naisus (Nish), Scardus (Shar), Durhachium (Durrës), Aulon (Vlorë), Scampinus (Shkumbin), Isamnus (Ishëm), Thyamis (Çam) e tjerë.
Ka kohë që studimet etnografike e kanë vënë në dukje se fisi i Berishës është një nga fiset më të vjetër të Shqipërisë së Veriut.
____________________________
Jaho BRAHAJ. Mbi emrin Berisha dhe Berishasit”. Studim. Gazeta “ Rilindja”, 20 nëntor 1993.