Jaho Brahaj: – Ministria e Kulturës dhe DRTK më shumë propaganduese të projekteve se sa te punëve konkrete

NGA JULIA VRAPI

Nga: Gazeta Sot, 23.11.2021

Punë konkrete për trashëgiminë kulturore dhe jo propagandë. Kështu shprehet studiuesi Jaho Brahaj, sipas të cilit institucionet duhet të zhvillojnë dhe aktivitete me të rinjtë për trashëgiminë tonë, ku shumë rëndësi ka dhe promovimi e ruajtja e vlerave. Studiuesi Brahaj, i cili dhe më parë është shprehur për problemet në fushën e trashëgimisë kulturore thotë se duhet bërë më shumë në këtë fushë. Ndërsa nga Ministria e Kulturës apo Drejtori Rajonale të Trashëgimisë Kulturore publikohen dhe foto e projekte për objektet monument kulture në rrjetet sociale, studiuesi thotë se ato janë material sipërfaqësor. “Facebook është një mënyrë sipërfaqësore dhe pothuajse edhe e pavlerë, sepse aty është vetëm një foto, imazh. Përshembull një banesë që ka një fasadë, por nuk dihet te ai monument se cila është historia, veçoria, pse ruhet nga shteti, pse është monument kulture, cila do të jetë mënyra për ta mbrojtur, etj”, thotë studiuesi Brahaj.

Ajo që po ndodh sot me institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore në vend sipas studiuesit është më shumë propaganduese se sa të flitet puna konkretet. Projektet në fushën e trashëgimisë kulturore kanë rëndësi në zbatimin e tyre, por institucionet duhet të tregojnë më vëmendje në monumentet e kulturës. “Ministria e Kulturës dhe DRTK pa mohuar që bëjnë dhe ndonjëherë punë, ato në fakt janë kthyer në propaganduese më shumë të projekteve. Pa projekte punët nuk bëhen. Por ministria dhe DRTK edhe në popullarizimin që duan t’ju bëjnë monumenteve, më shumë iu bëjnë projekteve se sa punës konkrete që do të bëhet dhe asaj pune që realishte bëhet. Përshembull te Mozaiku i Tiranës u zbulua që ka dhe një shtrirje më të gjerë arkeologjike dhe aty po bëhen gërmime. Çfarë është thënë deri më sot? Vetëm që kemi siguruar një fond në para për të vijuar gërmimet. Kaq nuk mjafton”, thotë ai.

Trashëgimia dhe të rinjtë

Aktivitetet kushtuar trashëgimisë kulturore kanë rëndësi për brezin e ri, sepse përmes tyre njihet dhe më shumë me vlerat e saj. Kështu shprehet studiuesi Jaho Brahaj ndër të tjera kur flet për të rinjtë dhe institucionet. Disa ditë më parë studiuesi Brahaj mori pjesë në një aktivitet, që zhvilloi Muzeu Historik Kombëtar, që sipas tij veprimtari të tilla kanë rëndësi. “Brezi i ri e ka tepër të domosdoshme njohjen e trashëgimisë kulturore. Me brezin e ri duhet të bëhen sa më shumë aktivitete dhe biseda për njohjen e saj. Njohja kuptohet që ka dhetrshegimine, historinë, pastaj edhe mënyrën se si duhet ta ruajmë dhe ta kemi dhe për brezat që vijnë trashëgiminë tonë”, shprehet Brahaj.

Në ditët e para të nëntorit studiuesi Jaho Brahaj ishte i ftuar në Muzeun Historik Kombëtar, që nisi ciklin e aktiviteteve të titulluar “Drejt Pavarësisë”, me aktivitetin “Një pasdite në muze”. Pjesëmarrës në këtë veprimtari ishin nxënësit të gjimnazit “Kristo Frashëri” në Tiranë. I ftuar në veprimtarinë “Një pasdite në muze” studiuesi Jaho Brahaj referoi mbi temën “Origjina e flamurit kombëtar”. Në këtë referim që u zhvillua dhe në formë bashkëbisedimi me nxënësit studiuesi Brahaj trajtoi tematika të ndryshme mbi origjinën dhe simbolikën e flamurit kombëtar të shqiptarëve duke vënë theksin në rëndësinë, që mbart ky simbol.

– Nga: Gazeta Sot, 23.11.2021