Jaho Brahaj: – Ministria e Kulturës nuk ka bërë asgjë për veshjet tradicionale shqiptare
27 Korrik 2022
Gazeta Sot, Nga Julia VRAPI
Veshjet tradicionale shqiptare janë pjesë e trashëgimisë sonë. Por për këtë pasuri të trashëgimisë kulturore duket se pak bëhet nga institucionet tona. Studiuesi Jaho Brahaj shprehet me kritika për punën që bën Ministria e Kulturës. Ai thotë se nuk është bërë sa duhet nga ministria edhe për xhubletën shqiptare.
“Çështja është pse bëhen këto dosje? Çfarë vlere kanë për ne këto objekte trashëgimie, që i futim në UNESCO vetëm për formën e tyre burokratike që të jetë një dosje, apo këto aksione për trashëgiminë kulturore në rastin konkret është fjala për xhubletën të evidentohen, popullarizohen, të dokumentohen edhe më shumë dhe të pasurohen muzeumet lokale dhe ato qëndrore?
Me një fjalë ne si shqiptarë na është bërë mania që të ngremë në këmbë opinionin, të bëjmë dosje, ti çojmë në UNESCO të na i vlerësojnë të tjerët dhe ne të rrimë, gati sa po presim që të vijnë ata ti hulumtojnë, të na i evidentojnë, dokumentojnë, të na i pasurojnë muzeumet, etj”, shprehet studiuesi Brahaj.
“Ministria e Kulturës nuk ka bërë asgjë për veshjet tradicionale shqiptare. Po kështu edhe për xhubletën, për ruajtjen e fizike dhe të trashëgimisë së dijebërjes së saj dhe për popullarizimin”, shprehet studiuesi i njohur.
Jaho Brahaj herë pas here ka folur për problemet që janë sot në trashëgiminë tonë kulturore, por ai thotë se dhe për xhubletën qëështë një pasuri e jashtëzakonshme nuk është ai vlerësim, që duhet nga institucionet tona. Dosja e Xhubletës nga Ministria e Kulturës është dorëzuar më synim përfshirjen në UNESCO, por studiuesi Brahaj shprehet se duhet parë sa bëhet në vendin tonë për këto pasuri kulturore. Ai thotë se duket sikur presim që dhe muzetë të vijnë të na i pasurojnë të tjerët.
Mungesa e aktiviteteve
Studiuesi Jaho Brahaj thotë se kanë munguar aktivitetet për xhubletën nga institucionet, por kjo është një pasuri që po zhduket.
Sipas tij këto që bëhen sot janë aksione për ti thënë botës,që ne i kemi këto pasuri, por nuk dimë ti ruajmë. “Kaluan pothuajse dy vjet që u përgatit dosja e xhubletës për në UNESCO dhe nuk është bërë asnjë aktivitet hulumtues, gjurmues, pasurues për muzetë, po ashtu në vështrimin estetik, në vështrimin e formës dhe të detajeve ornamentike, zbukuruese, me forcë dhe me peshë kulti, me prejardhje mitologjike, etj.
Atëherë pse bëjmë aksione të tilla vetëm për ti thënë botës që ne i kemi, por nuk dimë ti ruajmë, nuk dimë ti hulumtojmë, nuk i popullarizojmë? Dhe ajo qëështë më e keqja xhubleta po zhduket”, thotë ai.
Për studiuesin edhe ndonjë aktivitet që është bërë kushtuar xhubletës në këto muaj ose vitin e fundit nuk është paraqitur xhubleta ashtu siç është e na vjen nga e kaluara në tipologjinë e saj dhe me elementë të saj të ruajtur.“ Përkundrazi nga puna amatore dhe nga organizator ajo po paraqitet para publikut e deformuar, e përçudnuar deri dhe me ndryshim elementesh që nuk i përshtaten. Ministria e Kulturës nuk ka bërë asnjë gjë, përkundrazi edhe kur ka financuar ndonjë projekt për xhubletën dhe për veshjet në përgjithësi, ajo nuk e ka ndjekur çështjen, nuk e ka ndjekur problemin, nuk ka kërkuar që të zbatohen me rigorozitet projektet”, thotë Brahaj.
Sipas studiuesit në Shqipëri nuk kemi asnjë muze të mirëfilltë etnografik, ku xhubleta të zërë vendin që meriton.
Gazeta Sot