Jaho Brahaj: – Mungon interesimi për trashëgiminë dhe kulturën, vlerat po zhduken dhe amatorët janë kthyer në “profesionistë”
Jaho Brahaj: – Mungon interesimi për trashëgiminë dhe kulturën, vlerat po zhduken dhe amatorët janë kthyer në “profesionistë”
03/10/2019 –
Intervistoi: Julia Vrapi.
Gjendja e objekteve të trashëgimisë kulturore në vend është jo me pak probleme, por dhe për trashëgiminë shpirtërore pak bëhet nga institucionet.
– Studiuesi Jaho Brahaj shprehet se dhe veshjet popullore po zhduken, por për problemet që has sot trashëgimia pak mendohet. Në intervistën për “SOT” studiuesi Jaho Brahaj pohon se përgjegjësia kryesore është te Ministria e Kulturës, por dhe në pushtetin lokal. Sipas tij, duhet të ketë shumë më tepër bashkëpunim që objektet monument kulture të konservohen dhe të mos shkatërrohen. Problem për studiuesin është dhe mungesa e vëmendjes se çfarë po ndodh me festivalet folklorike në vendin tonë. Sipas tij, amatorët janë kthyer në “profesionistë”, por askush nuk po shqetësohet për këtë problematikë. Duke folur për trashëgiminë tonë, studiuesi Jaho Brahaj shprehet se institucionet duhet ti njohin dhe ti vlerësojnë objektet e trashëgimisë, por dhe pronarëve t’ju shpjegohet që kanë vlerë.
-Ju e vlerësoni shumë turizmin kulturor, por jeni shprehur se nga institucionet nuk bëhet sa duhet për trashëgiminë. Çfarë ka munguar?
Turizmi kulturor është një fushë shumë e gjerë dhe një bazë jashtëzakonisht e rëndësishme e turizmit në Shqipëri, që ne e kemi shpallur dhe si prioritet për ekonominë. Por nëse në turizmin tonë kulturor pasuritë tona trashëgimi kulturore arrijmë që ti njohim në shqiptarët në rradhë të parë, suksesi edhe për vizitorët dhe turistët e huaj do të jetë i sigurtë. Unë kam mendimin dhe e konstatoj që trashëgiminë kulturore kombëtare jemi ne vetë shqiptarët, që në fillim nuk e njohim. Prioritetet dhe programin e saj Ministria e Kulturës asnjëherë nuk e bën ashtu si kërkohet dhe siç ia kërkojnë dhe detyrat e saj si ministri për të gjithë republikën.
-Kur thoni këtë çfarë duhet bërë nga ministria në programin e saj?
Në radhë të parë marrim cilat janë resurset e trashëgimisë kulturore? Ato janë doket, zakonet, mënyrat e të kënduarit, të gatimit, etj, që quhen kulturë shpirtërore, por kemi dhe kulturën materiale që është e dukshme, është tërheqëse sidomos në turistët e huaj në Shqipëri. Sa janë ruajtur dhe ruhen veshjet, që prodhoheshin në shtëpi, objektet dhe e punishtet duke filluar që nga mullinjtë e blonjës, kovaçhanat, derstilët, mjetet e punës që ne kemi, e deri tek enët dhe orendit e perpunomit prodhime bujqesore blegorele e te kuzhinës? Po ashtu kemi dhe banesën popullore, që ka një arkitekturë të veçantë dhe në bazë të saj organizohej dhe jeta familjare brenda saj. Por këto ne, jo vetëm që nuk po i ruajmë, por nuk kemi asnjë lloj përkujdesi për t’iu treguar atyre banorëve, që jetojnë nëpër zona kryesisht rurale dhe pushtetit lokal, që kanë vlera dhe ruani. Nëse një kulle të vjetër 200 vjeçare me një arkitekturë të veçantë i pikon çatia, ne nëse e lëmë të pikojë ajo do të shkatërrohet. Por kush interesohet për këto? Askush. Ne kemi monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, por duhet që të shpallim sa më shumë monumente të tjera të kategorisë së dytë, sepse nuk kërkojnë dhe fonde të jashtëzakonshme nga shteti. E dimë që shteti shqiptar nuk ka mundësi që ti restaurojë, por do të bëjë investime sidomos konservimi që ti mbrojë deri kur të kemi mundësi financiare, që ti riparojmë e ti kthejmë në përjetësimin e përditshëm. Por askush nuk e ka mendjen për gjithë pasurinë, që nuk është e shpallur monument kulture dhe që ka vlera të jashtëzakonshme. Për shembull kullat e veriut. Sa kulla kemi ne që i ruajmë? Nëse Ministria e Kulturës nuk merr nismën që ti njohë dhe t’ia bëjë të njohur pushteti lokal dhe banorit, atëherë edhe interesimi bie. Ne po shohim gjendjen se si po shkon drejt degradimit të plotë. Kur të kujtohemi pas 15 apo 25 vitesh atëherë nuk do ti kemi më. Por ne kemi dhe veshje popullore, që po na zhduken.
-Sipas jush sa kemi humbur te veshjet popullore. Po me instrumentet tradicional çfarë ka ndodhur?
Veshjet popullore ne po na zhduken dhe po ngelen vetëm ato ekzemplarë, që i kemi futur në muze, sepse nuk ka një vlerësim. Nuk ka një përputhje për muzeumet, qoftë lokale dhe kombëtare apo ato që janë në qendër të rretheve të mëdha. Nuk kemi një interesim për kulturën shpirtërore, që dhe UNESCO e ngre me të madhe, që të ruhet. Nuk është problemi vetëm i ruajtjes së disa ekzemplarëve të disa veglave muzikore, por problemi qëndron te ruajtje e trashëgimisë se si punohen këto vegla muzikore. Çfarë vlere dhe rëndësie kanë të atyre, që i punojnë dhe të atyre që i praktikojnë. Nga Konispoli e deri në Vermosh kemi instrumente tradicional për krahina të veçanta, por pak ruhen ekzemplarët e tyre dhe në muzeume. Nëse nuk ruhen në muze, dhe aq më pak ruhen në institucionet lokale atëherë ne jemi drejt zhdukjes dhe harresës së tyre. Do fillojmë ti riprodhojmë më vonë ndoshta nga njerëz, që nuk e dinë mjeshtërinë origjinale të punimit të tyre.
-Çfarë mund të na thoni për festivalet folklorike, që zhvillohen në vend. Janë disa që organizohen brenda vitit?
Ne kemi një kalendar rutinë të aktiviteteve, që organizon Ministria e Kulturës me fondet e shtetit shqiptar. Vit për vit praktikohet festivali i Rapsodëve, që zhvillohet në qytetin e Lezhës. Rapsodët që vijën janë pothuajse të njëjtët, hanë bukë po në të njëjtin restorant, është po i njëjti grup drejtues apo udhëzues që shkon nga Ministria e Kulturës, kanë po të njëjtat veshje dhe instrumente dhe 90 për qind është po i njëjti repertor. Ne kemi dhe festivalin e valles, të iso-polifonisë, të sazeve, por po të njëjtit njerëz. Janë po të njëjtët njerëz edhe në inspektime, dhe kemi krijuar amatorë “profesionistë”. Amatorë, që para 15 vitesh ka kënduar një këngë, e ka kënduar dhe para 10 vitesh edhe para 5 vitesh, por e këndon dhe sot. A mund të vazhdohet me këtë gjendje apo do të hapet? Nëse ne do të vazhdojmë kështu, ne edhe amatorët i kemi kthyer në “profesionistë”, sepse po bëhen si manjetofon të njëjtën gjë.
-Ministria e Kulturës, në kuadër të organizimit të Festivali Folklorik Kombëtar, i cili do të zhvillohet në qytetin e Gjirokastrës në vitin 2020 ka shpallur dhe konkursin për realizimin e logos së festivalit. Ju si e keni parë deri tani festivalin?
Festivali Folklorik i Gjirokastrës është aktiviteti kulminant i trashëgimisë kulturore shqiptare. Cilat do të jenë prurjet, që do të ketë ky festival folklorik dhe kriteret a do të zbatohen? Por kanë lindur lloj-lloj veshjesh nga njerëz amatorë. Kemi ndryshim ngjyrash nga më të çuditshmet, që nuk janë përdor dikur. Por dhe veshjet, që do të riprodhohen duhen të jenë sipas traditës. Cilat do të jenë risitë, që do të sjellë Festivali Folklorik në Gjirokastër? Në radhë të parë edhe institucionet e specializuara duhet të udhëzojnë bashkitë dhe më pas të kërkojnë. Por në fakt çohen disa udhëzime dhe kritere nga Ministria e Kulturës, më pas shkojnë njerëz që janë si juri, inspektim, i kontrollojnë dhe thonë kush duhet në jetë për në festival. Pra jemi kthyer që në çdo festival kemi po të njëjtët numra, program dhe vlerë artistike, vetëm se kemi mbufatje, nëse e kanë kënduar këngën 3 veta tani vijnë 7 për atë këngë. Në këtë rast ministria duhet të japë udhëzime të sakta dhe një raport të gjërave të reja që të vijnë. Të kërkojë kritere, që ky është një festival folklorik dhe jo artistik masiv, të ketë kriter që të jenë burimore dhe sa më pak të përpunuara nga artistët që ne kemi sot.
-Ju përmendët dhe muzetë etnografikë, për ju si është gjendja e tyre?
Shqipëria kur hyri në proceset demokratike në ‘90 kishte një pasuri të jashtëzakonshme të kulturës materiale trashëgimi kulturore. U shit, u shkatërrua, u nënvlerësua dhe vazhdon dhe sot të jetë e nënvlerësuar. Askush nuk po kujtohet, që kjo pasuri është një pasaportë e identitetit tonë kombëtar për të ardhmen dhe brezat, që vijnë. Ka muze të mirë etnografikë si Berati, Kruja, por kur ne mund të kishim muze të tillë në të gjitha qendrat e rretheve dhe bashkive, sot ne kemi rrethe, krahina e mikrokrahina të vogla etnografike që po na zhduken veshjet popullore. Po përmend xhubletën e ngushtë të Pukës. Është shkruar nga studiuesit si një variant i xhubletës dhe ajo ka qenë masivisht e përdorur deri në vitet ‘50 të shekullit të kaluar. Sot mund të numërohen që janë 5-6 ekzemplarë dhe ato me dëmtime të shumta. Nuk po i bie askujt ndërmend për ti vlerësuar dhe trajtuar. Brenda 10 vitesh në zonën, ku ajo është përdorur me shekuj nuk ka asnjë ekzemplar. Institucionet qendrore të shtetit shqiptar duhet të njohin gjendjen dhe të informojnë e udhëzojnë se si duhet vepruar në rrethet e largëta të vendit, që këto vlera të mos humbin, por të konservohen dhe ruhen, sepse ne po na zhduken vlerat e trashëgimisë. Banesat popullore në vend, që janë monument kulture dhe mbrohen nga shteti në fshatra mund të numërohen me gishtat e dy duarve. Ju përmenda më lart, kullën e Shqipërisë së Veriut, që për vetë kohën që kaluam në tranzicion pothuajse po zhduken, ose po ndërhyhet për ti ndryshuar planimetrine dhe arkitekturen ne pershtatje me mënyrën e jetesës te sotme apo janë braktisur. Nëse janë braktisur atëherë ajo shkatërrohet. E para institucionet duhet ti njohin dhe ti vlerësojnë objektet e trashëgimisë, por as nuk i njohin. Ka monumente kulture te shpallura dhe njohura qe specialistet nuk i kanë parë asnjëherë. Të bashkëpunojnë me pushtetin lokal, që dhe pronarëve t’ju shpjegohet që kanë vlerë. Por kjo as që iu shkon mendje. Nëse kemi dhe një veshje popullore me vlera që e ka dikush, a ka një institucion që ti thotë, po e restaurojmë që mos të myket e ta hane insektet. Nuk ka njeri, që ti shpjegojë se cila është vlera e saj e pa zevendesuehme në trashëgiminë tonë.
Intervistoi: Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/