
Jaho Brahaj: – Një pjesë e trashëgimisë sonë arkitekturore historike është shkatërruar nga mosvlerësimi
22 Prill 2025
Nga: Gazeta Sot
Dita Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike riktheu në vëmendje edhe problemet me të cilat përballet trashëgimia kulturore në vend. Studiuesi Jaho Brahaj thotë se nga shoqëria dhe nga institucionet ende nuk kemi një ndërgjegjësim për vlerësimin dhe ruajtjen e monumenteve të kulturës. Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi i njohur Jaho Brahaj, i cili herë pas here ka reaguar për dëmtimet në monumentet e kulturës thotë se është e dhimbshme të kujtosh që shumë monumente gjatë periudhës nga 1990 e deri më sot janë shkatërruar. Studiuesi Brahaj thotë se tek ne ndër vite është shkatërruar një pjesë e trashëgimisë sonë arkitekturore historike, diku nga mosvlerësimi apo edhe duke shkatërruar vlera për të ndërtuar antivlera.
Ndërsa shpreh kritika për institucionet në vend që marrin vendime për trashëgiminë kulturore, studiuesi Jaho Brahaj vijon më tej se më e rëndë është që ide pa vlerë nuk kundërshtohen nga specialistët e trashëgimisë. Brahaj ndalet dhe te mungesa e një Muzeu Etnografik të Shqipërisë, që sipas tij puna fillon me projektin nga specialistë të etnografisë, si dhe arkitektë. Si studiues Jaho Brahaj ka botuar artikuj dhe studime, si dhe ka kumtuar në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit.
– 18 prilli Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike. Ju si studiues herë pas here keni reaguar për problemet që keni parë në ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë sonë kulturore. Çfarë mund të thoni më shumë mbi rolin e institucioneve?
Është e dhimbshme që në Ditën e Monumenteve të kujtosh shumë monumente që gjatë periudhës 1990 deri më sot janë shkatërruar. Kjo nuk do të thotë, se nuk është bërë punë për ruajtjen, vlerësimin e konservimin në drejtim të monumenteve të artit dhe kulturës. Nga shoqëria dhe nga institucionet ende nuk kemi një ndërgjegjësim për vlerësimin dhe ruajtjen e monumenteve, që janë pjesë e zhvillimit shoqëror e kulturor të trashëgimisë sonë dhe pjesë e identitetit tonë.
-Ju thoni që ende nuk kemi një ndërgjegjësim për vlerësimin dhe ruajtjen e monumenteve të kulturës. Çfarë ka humbur trashëgimia kulturore në vend?
Kemi shkatërruar një pjesë të trashëgimisë arkitekturore historike, ku nga mosvlerësimi, ku duke parë dhe vënë interesa ditore, dhe diku tjetër edhe duke shkatërruar vlera për të ndërtuar antivlera siç kemi rastin në qytetin e Durrësit. Kemi një boshllëk dhe mosvlerësim dhe përkujdesje për arkitekturën historike fshatare, ku nuk vihen interesa të rindërtimeve si në qytete duke asgjësuar monumente kulture të shpallura dhe vlera të shpallura në mbrojtje nga shteti. Kjo e theksuar sidomos për qytetet, ku ose u prishen vlera kulturore ose edhe ku janë lënë ato janë rrethuar nga ndërtime shumë të larta nga babëzia e fitimeve dhe mosvlerësimi i traditës historike. Më e rrezikshme është edhe mendimi i institucioneve shtetërore deri në instancat më të larta. Projektohen e financohen nga buxheti i shteti imitime monumentesh pa asnjë vlerë dhe pa asnjë lidhje me të shkuarën e historinë tonë.
Është shpallur i miratuar plani për t’u ndërtuar me paratë e shqiptarëve disa kopje godinash me vlera nga Lindja, por që për traditën e etnisë tonë nuk kanë asnjë vlerë, por janë dekore që e deformojnë identitetin tonë. Para pak muajsh u shpall që do ndërtohen në Petrelë disa kryevepra të arkitekturës Turko-Arabe. Pyetja që shtrohet është: Kujt i shërbejnë, kemi para për të ndërtuar godina të një arkitekture që nuk përfaqëson identitetin tonë? Kush e merr guximin dhe e vendos të harxhohen paratë tona për të popullarizuar vlera të një bote tjetër nga ajo e frymës së kombit tonë? Më e rëndë është faktori që këto ide pa vlerë nuk kundërshtohen nga specialistët e trashëgimisë tonë. Pse nuk mendohet e planifikohet një Muze Etnografik, që i mungon Shqipërisë, të gjitha vendet Europiane dhe të Ballkanit e kanë. Edhe institucione si Akademia e Shkencave dhe ministria që përfshin kulturën nuk e planifikojnë dhe nuk kanë asnjë projekt.
-Ju si studiues thoni që vendit tonë i mungon një Muze Etnografik i Shqipërisë, por ka qenë një projekt dikur për pavionin etnografik në Muzeun Historik Kombëtar që ishte menduar të luante dhe rolin e një muzeu. Ai pavion nuk u hap sa ishte hapur dhe MHK. Kur thoni vendit tonë i mungon një Muze Etnografik i Shqipërisë, nga duhet të nisë puna?
Për Muzeun Kombëtar Etnografik, puna fillon me projektin nga specialistë të etnografisë dhe arkitektë. Dhe krahas kësaj krijohen grupet e punës për materialin, artefaktet që do ekspozohen. Por që të fillohet duhet kërkesa e institucioneve shkencore, dhe vullneti i qeverisë që të ndërtojë vepra që i shërbejnë njohjes dhe studimit të kulturës dhe identiteti tonë për shekuj. Këtë e kërkon edhe zhvillimi i turizmit, i cili po gjallërohet vitet e fundit. Çdo ditë, muaj dhe vite që Muzeu Kombëtar i domosdoshëm Etnografik shtyhet, ne vetëm se humbim pasurinë e disponueshme për ekspozim. Mjafton të kujtojmë se çfarë kishim në fillim të viteve ’90-të, çfarë ka mbetur sot? Shumë serioze është se edhe kur vihet dorë për t’u restauruar dhe konservuar monumentet e kulturës, punimet bëhen nga njerëz dhe firma të paspecializuara. Shumë punime bëhen në drejtim të monumenteve të kulturës edhe me nismën e privatëve individë dhe institucione sidomos në banesat me vlera dhe në objekte kulti.
Me gjithë dashamirësinë dhe përkushtimin me fonde të dhuruara ose të vetë pronarëve kjo punë po sjell dhunim të vlerave arkitektonike, të artit e mjeshtërisë së ndërtimit. Kjo vjen se Instituti i Trashëgimisë ka rrëshkitur nga detyrat e tij dhe nuk vlerëson as kriteret më bazë të restaurimit, por certifikon punë jashtë detyrave që ka. Kemi trashëguar me qindra tablo arti, sidomos nga piktorët e talentuar mesjetar dhe që në shumë raste kanë ruajtur edhe shprehur (në art) edhe karakterin etnik të ne banorëve pronarë të këtyre kishave ortodokse, dhe as nuk popullarizohen dhe as nuk restaurohen. Kjo pasuri arti bashkë me arkitekturën shpeshherë lokale e dallueshme me veçori dhe me ndikime edhe nga banesa tradicionale shqiptare, që veçohet nga ajo e shteteve të tjera lihet në mëshirën e fatit. Përgjigja e institucioneve është se nuk kemi fonde monetare. Më të varfër jemi se periudha e mbretërisë shqiptare kur e dimë se në ato vite janë konservuar afresket e kishave të Voskopojës, e të mos flasim për periudhën para viteve ’90-të. Pasuri që po dëmtohet e po na humbet para syve.
-Ju keni renditur një sërë problematikash, por ndërkohë institucione apo dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit herë pas here ndan në faqen e saj në rrjete sociale ndërhyrje në objekte monumente kulture, publikohen dhe numrat e vizitorëve, zhvillohen aktivitete, etj. Çfarë mund të na thoni?
Rrjetet sociale janë të mjete për popullarizimin e trashëgimisë dhe monumenteve. Por vëmë re se në mungesë të punës konkrete që duhet të kryejnë institucione, bëhet vetëm propagandë. Kaq vizitor, kaq fonde për restaurim dhe konservim, pa specifikim për çfarë u përdorën (shpenzuan), punë e kualifikuar apo punë si në ndërtim, ku realizohen vetëm plane, dhe brenda një ose dy vitesh kërkohet ndërhyrje shpeshherë, sepse puna e kryer ishte jo cilësore dhe pa kriteret që kërkon disiplina e restaurimit. Është bërë praktikë që puna me monumentet dhe trashëgiminë të matet me sa postime kemi në rrjetet sociale, kur kjo është pa vlerë gjithmonë kur nuk ka punë konkrete me monumentet dhe në studimet, restaurimin dhe konservimin e tyre.
Intervistoi: Julia Vrapi