Jaho Brahaj: – Nuk ka vëmendje për veshjet kombëtare të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës
7 Mars 2023
Nga Juli Vrapi, Gazeta Sot.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës rikthehet në muajin qershor.
Veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare do të zhvillohet këtë vit në muajin qershor pas edicionit të vitit 2015.
Lajmin për zhvillimin e festivalit e bëri me dije më parë vjet ministrja e Kulturës Elva Margariti në rrjete sociale, ku shprehej se përgatitjet kanë filluar.
Rikthimi i festivalit mirëpritet nga artistë dhe studiues të ndryshëm, por sipas tyre pak është treguar vëmendje për veshjet kombëtare gjatë këtyre viteve. Studiuesi Jaho Brahaj, i cili dhe më parë ka shprehur shqetësimin e tij për veshjet popullore dhe ruajtjen e tyre thotë se të gjitha problemet duhet të trajtohen nga Ministria e Kulturës.
Studiuesi Brahaj shprehet se Festivalet Folklorike Kombëtare kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, por sipas tij duhet një punë më serioze për veshjet kombëtare. “Periudha e tranzicionit që kaluam ka hapur shumë probleme dhe krijuar vështirësi për kostumet tradicionale popullore. Por nuk ka një punë serioze të vullnetshme, që kostumet kombëtare popullore të ruhen dhe ato të shpalosen në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës që do të jetë i radhës.
Nga përvoja dhe ajo që kemi parë nga festivali i mëparshëm, veshjeve në përgjithësi nuk iu është vënë rëndësi dhe kjo sjell edhe pasoja, sepse publiku i gjerë duke parë veshje të mangëta me mungesa dhe nganjëherë edhe të përçudnuara, atëherë ai krijon përshtypjen se kështu mund të jenë. Të gjithë problemet dhe çështjet trajtohen nga Ministria e Kulturës dhe punët kryhen nga baza.
Nuk iu është kushtuar vëmendje nga MK për t’u plotësuar për grupet e ndryshme dhe që do dalin në festival”, shprehet studiuesi Jaho Brahaj në reagimin e tij.
Festivalet folklorike.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës zhvilloi edicionin e 10-të në maj të vitit 2015 në qytetin e Gjirokastrës. Qëllimi kryesor i këtij festivali është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij. Studiuesi Jaho Brahaj thotë se festivalet folklorike janë një fill i florinjtë, që shpalos shpirtin e kombit tonë.
“Festivalet Folklorike të Gjirokastrës kanë bërë në Shqipëri një hop dhe ecje shumë përpara në popullarizimin, studimin e muzikës, valleve, veshjeve, këto vlera kanë qenë dhe janë të popullit. Por kur ballafaqohen krahinë më krahinë, rreth me rreth, grup folklorik me grup folklorik atyre vetëm sa iu shtohet vlera, nga ana tjetër për t’u bërë të pavdekshme meqenëse festivali ka qenë organizim administrativ, ato dhe janë dokumentuar dhe janë të ruajtur në brezat deri në ditët tona”, shprehet Brahaj, që shton se dhe parada e kostumeve popullore është hallkë e rëndësishme e FFK dhe e domosdoshme.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua për herë të parë në vitin 1968.
Gazeta Sot