9 Dhjetor 2023

Nga Gazeta Sot

Shqipëria, me një tjetër pasuri në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit.

Në Konferencën e 18-të të Komitetit Ndërqeveritar të UNESCO-s u vendos pranimi i Transumancës, shtegtimit të bagëtive dhe riteve që e shoqërojnë atë, ku Shqipëria kandidonte bashkë me shtete të tjera, që këtë dukuri e kanë traditë.

Lajmi u bë me dije nga ministrja e kulturës Elva Margariti pak ditë më parë, por sipas studiuesit Jaho Brahaj duhet të ketë më shumë informim. Brahaj shpreh shqetësimin se nga Ministria e Kulturës jo vetëm duhet të informohet më shumë, por të ketë dhe masa për të ruajtur traditën. “U vendos pranimi i Transumancës, shtegtimit të bagëtive dhe riteve që e shoqërojnë atë, por Ministria e Kulturës duhet të informojë publikun cila formë e shtegtimit të bagëtive është përfshirë në UNESCO.

E dyta të hartojë një plan për të popullarizuar këtë punë, për ta njohur publikun, ku edhe shteti të marrë masa për ta ndihmuar që kjo traditë të ruhet bashkë me ritet, zakonet, ndarjen e punëve, etj”, thotë Brahaj.

Studiuesi Jaho Brahaj shprehet se që kur është shpallur kohë më parë që dosja e shtegtimit të bagëtive do jetë pjesëtare edhe Shqipëria për t’u përfshirë në UNESCO ka pasur mangësi, sepse nuk është njoftuar cila traditë do jetë në propozimin e Ministrisë së Kulturës.

Ai thotë se janë dy forma të shtegtimit të bagëtive tradicionalisht me një histori të lashtë.

“Është shtegtimi i bagëtive brenda pronave të një komuniteti nga lugina, ku zakonisht ishin banesat e përhershme drejt lartësive po pronë e komunitetit.

Dhe e dyta kemi shtegtimin e bagëtive, në zona të largëta të cilat ndryshojnë shumë gjeografikisht edhe nga ana klimaterike.

Cila formë e shtegtimit të bagëtive ekziston në Shqipëri që ruhet akoma dhe ka një jetë të gjallë megjithëse të vakët për arsye se dhe numri i bagëtive ka rënë, i njerëzve që merren me blegtori, etj”, shprehet më tej Brahaj.

Shtegetimi kishte rregulla tradicionale te miratuara nga Komuniteti, kishte ceremoni para nisjes së shtegtimit, dhe feste ceremoniale me rite e kulte kur bagëtitë ktheheshin ne vendbanimin e perhershëm (ndenjetar). Ndarje te punëve nga komuniteti për ruajtjen e bagëtive, përpunimin e bylmetit, gatimin e ushqimeve dhe bukës per shtegëtarët. Shtegëtimi nderkrahinor kishte te percaktuar rrugët në të cilat do shtegëtonin dhe kodet zakonore të mbrojtjes së tyre në vendbanimet e fshatrat ku do kalonin etj, pagesat tek pronaret ose komunitet për kullotjen që ishin të nderlidhura dhe me mbrojtjen brenada komunitetit ku shtegëtonin.

Vendimi një vit pasi xhubleta u pranua në UNESCO

Plot një vit pasi xhubleta u pranua nën mbrojtjen e UNESCO-s, Komiteti Ndërqeveritar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale votoi përfshirjen e Transumancës në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale botërore.

Por sipas studiuesit Jaho Brahaj mbase dhe vetë MK nuk e ka parasysh se çfarë forme është përfshirë.

“Duke qenë se opinioni në vend është  i painformuar se cilat nga këto forma të shtegtimit të bagëtive është përfshirë bashkë me shtete të tjera në dosjen e UNESCO-s, ku Ministria e Kulturës (ka mundësi që as ajo nuk e ka mirë parasysh se cilën formë ka përfshirë UNESCO), atëherë të jeni të sigurt që nuk ka asnjë platformë se si do pasqyrohet, do popullarizohet, se si mund të zgjerohet, ndihmohet e ruhet kjo traditë.

Jemi në një errësirë të plotë informacioni se cilat nga format e shtegtimit të bagëtive do ketë përparësi dhe cila nga këto forma është bashkëngjitur me shtete të tjera përfshirë në këtë vendim të UNESCO-s”, thotë Brahaj.

Komiteti Ndërqeveritar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale votoi përfshirjen e Transumancës në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale botërore, për të cilën u aplikua në një dosje të përbashkët me Spanjën, Andorën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun dhe Rumaninë. Duke iu bashkuar Italisë, Austrisë dhe Greqisë, që ishin përfshirë në vitin 2019 për këtë dukuri.

Nga JULIA VRAPI