Jaho Brahaj: – Xhubleta në UNESCO pasuri e rrezikuar. – Vlerësim i trashëgimisë së etnisë tonë, por detyrat janë për ne shqiptarët
Gazeta Sot.
Intervistoi Julia Vrapi
Intervista: Jaho Brahaj: – Xhubleta në UNESCO pasuri e rrezikuar. – Vlerësim i trashëgimisë së etnisë tonë, por detyrat janë për ne shqiptarët.
Xhubleta shqiptare është marrë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës është pranuar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s, dhe tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit. Studiuesi Jaho Brahaj shprehet se është një vlerësim për trashëgiminë tonë.
Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi Brahaj shprehet se Ministria e Kulturës pas pauzave të plogështisë, mori nismën dhe organizoi punën për plotësimin e dosjes. Por xhubleta është trashëgimi në rrezik dhe studiuesi shprehet se ka disa dekada që xhubleta me material autentik nga mjeshtre e me mjete tradicionale nuk punohet në vazhdimësi. Përballë kësaj gjendje studiuesi Jaho Brahaj thotë se disa mjete e vegla pune, që shërbejnë për punimin e xhubletës kanë dalë nga përdorimi e ndoshta po harrohen dhe duhet t’i rindërtojmë, e me ato shumë të pakta mjeshtre të moshuara ta kalojmë mjeshtërinë e dijenitë tek brezat.
-Si e pritët lajmin e UNESCO-s për xhubletën, sepse ju jeni ndër të parët që e keni kërkuar këtë?
Lajm i gëzueshëm, vlerësim për trashëgiminë tonë. Tregues që po lëvizim pak ne shqiptarët, organizmat botërorë na përkrahin dhe mirëpresin me vlerësime për kontributin e etnisë tonë në qytetërimin botëror. Ministria e Kulturës pas pauzave të plogështisë, mori nismën dhe organizoi punën për plotësimin e dosjes për xhubletën. Njoftimi i vendimit të UNESCO-s ishte i gëzueshëm, vlerësues dhe na bën krenar.
-Çfarë do thotë xhubleta trashëgimi në rrezik?
Dihet se ka disa dekada që xhubleta me material autentik dhe nga mjeshtre e me mjete tradicionale nuk punohet në vazhdimësi. Kjo ndërlidhet me disa faktorë, ekonomik, social, shoqëror, etj. Në këto kushte është vështirë që të gjenden ekzemplarë autentikë të ruajtura jashtë fondeve muzeale. Këtë e tregoi dhe përvoja dhe përpjekjet e disa institucioneve dhe shoqatave, që zhvilluan aktivitete në këtë periudhë të shkurtër pas plotësimit dhe dorëzimit të dosjes. Në të gjitha këto veprimtari nuk u shikua asnjë veshje me xhubletë me të gjitha akasesorët (pjesët) tradicionale të saja. Kjo është edhe tek koleksionet. Mungesat u plotësuan ose duke marrë “hua” pjesë nga ndonjë kostum tjetër dhe kjo e deformonte, ose se u bënë sajesa (quhen falsifikime) duke shtuar pjesë që nuk kanë lidhje me këtë veshje.
-Cila është detyra e institucioneve dhe e shoqërisë pas këtij lajmi, që është vendim i rëndësishëm i organizmave botëror?
Detyra e parë është të vlerësojmë ne shqiptarët rëndësinë dhe çfarë është kjo pasuri, që të parët na e trashëguan nga mijëravjeçarët.
Kur themi vlerësim, ky është për xhubletën, por edhe për faktorët e kushtet që e sollën nga thellësia e qytetërimit të lashtë ballkanik deri tek ne. Janë disa fakte, që po nuk i vlerësuam me njohje e studim atëherë nuk do kuptojmë dhe çfarë pasurie materiale dhe shpirtërore na ka ruajtur në vazhdimësi nga qytetërimi i etnisë sonë. Nuk do kishim xhubletë sikur ajo të mos ishte e ndërthurur dhe e bashkangjitur me shumësinë e elementëve të qytetërimit tonë të lashtë si arkitektura popullore, kultet e mitet, mjetet e punës tradicionale për punimin e fillit të leshtë dhe copën. Element që është bjerrur është dijenija dhe praktika e ngjyrosjes, e cila kryhej me material bimor e të tjera nga natyra si gurkali dhe nga produkte të përfituara nga frutat, si uthulla, etj. Rëndësi ka p.sh, edhe zakoni që veshja e krahinës mos të ndryshohej se ishte si një pasaportë publike. Po kështu jane besimet kultike, mitologjia, etj. Xhubleta është një ekspozitë në lëvizje e njerëzve e lidhur pazgjidhshmërisht me veshjen e burrave, me objekte të tjera si shtroje, mloje, djepin, furkën, etj.
-Këto janë të bashkëlidhura me xhubletën, por si duhet ti kuptojmë?
Ja, përshembull xhubleta dhe veshja me tirq plotësojnë njëra -tjetrën, duke huazuar ornamente grafike kulti e zbukuruese e në krijimin e linjave kanë gajtanat (nga fjala gojëza). Xhubleta është shumë më e organizuar dhe me më shumë pjesë e mbuluar me ornamente grafike me ngjyra, ku bie në sy kur ecën forma si një shpend gati për fluturim, e në veshjen e burrave mbizotëron e bardha ma gajtanat e zi, ku dallohet çdo lëvizje edhe prej së largu.
Objektet grafike të xhubletës përmbajnë e pasqyrojnë kultin e Diellit dhe të Hënës të dëshmuara në besime të lashta e që i ruajmë edhe në Epikën Gojore (Ciklin e Kreshnikëve) të lashtë. Kemi objekte grafike që pasqyrojnë kultin e pjellorisë, kult i lashtë që i ngulitur edhe i hyjnizuar tek paraardhësi tonë ndër breza për dëshirën për tu trashëguar. Ka edhe elemente grafike, që na befasojnë kur i shohim, se në xhubletë është edhe vetë njeriu në labirinthin e botës dhe universit. Këto e të tjera kuptohen dhe vlerësohen vetëm nëqoftëse e njohim e botën e besimeve dhe të mitologjisë së lashtë të popullit tonë dhe kultet, që ishin të shumta në botën iliro shqiptare. Përshembull tek xhubleta kemi rëndom brumbullin. Këtë e gjejmë edhe tek popuj te tjerë si përshembull në piramidat e Egjiptit të para katërmijë viteve. Ai ishte në besimet tona simbol i ripërtëritjes, sepse ai shfaqet për ta shikuar ne vetëm në perëndim të diellit.
Po të mos dimë këtë ne do ta quajmë “xhubletë me bubazhela”, dhe kjo ka ndodhur. Nga popullsia që praktikonte xhubletën ai quhej edhe kaçadre, dre është dreri. Dihet se dreri kur jep frymën e fundit ai kthehet gjithmonë me kokë nga lindja. Pra Dre -kult i lindjes, i diellit, kaçadreni kult i perëndimit. Prindërit i këshillonin fëmijët që të mos i preknin dhe mos të luanin me brumbullin e kaçadrenin. Po kështu gjuetia e drerëve dhe i dhisë së egër lejohej dhe organizohej vetëm në ditë të caktuara dhe e shoqëruar me rite e lutje, që Ora e tyre të ju lejonte që ato ti vrisnin. Këto që thamë ndërlidhen si një zinxhir e na lejojnë të shpjegojmë domethënien e objekteve grafike që mban xhubleta. Kështu mundet të flasim për akrepin, gjarprin që ishin të frikshëm, por të dy nga këto përdoreshin në mjekësinë popullore dhe kryenin efekt për disa sëmundje. Koto ishin edhe për mbrojtje nga syri i lig. I përmendëm këto simbole që i kemi në veshjen e burrave dhe të grave me xhubletë, për të hedhur vetëm një nga shumë fije ndërlidhëse të xhubletës më faktorë të tjerë.
-Në këto momente, cilat janë detyrat e institucioneve administrative shtetërore?
Në radhë të parë përmendim disa mjete e vegla pune, që shërbejnë për punimin e xhubletës, këto disa kanë dalë nga përdorimi e ndoshta po harrohen si p.sh Derstila (valanica). Duhet ti rindërtojmë që i kemi të ruajtura e me ato shumë të pakta mjeshtre të moshuara ta kalojmë mjeshtërinë e dijenitë tek brezat. Këto të ruhen edhe si objekte të trashëgimisë e të shërbejnë edhe si mjete pune. Duhet të kemi botime popullarizuese që në radhë të parë ne shqiptarët ta njohim këtë pasuri, sepse janë të mbushura mjetet e informimit masiv me lloj-lloj deformimesh të xhubletës që bëhen herë nga mosnjohja, e dija duke menduar se po bëjnë zbulime e po e fisnikërojnë xhubletën. Ajo fisnikërohet, në fakt tregon fisnikërinë tonë, po të arrijmë ta ruajmë origjinale si na e lanë të parët tonë.
-A ka ndërhyrje në xhubletën e ditëve tona?
Ka ndërhyrje edhe për atë që e popullarizojmë xhubletë tradicionale (etnografike, po themi). Përshembull që natën që u njohëm që xhubleta u pranua nga UNESCO, vërshuan në Facebook, etj, me një gëzim të ligjshëm foto të ndryshme, gjithkush duke u munduar të tregojë se fotot e tyre janë objekte tradicionale të ruajtura.
Ja një shembull. Dikush që pretendon e po përgatitet të hapë nje Muze Etnografik Privat shpaloste nje xhubletë të vajzave, ku me teknikat e reja te sotshme në dispozicion e kishte ngjyrosur këtë xhubletë me ngjyra, duke e publiku si një mrekulli. Dihet se xhubletat e vajzave nuk i kanë patur në asnjë rast ngjyrat e forta, por bardh e zi. Këtë foto nesër do e shikojmë të botuar dhe nuk është e pabesueshme që në vazhdimësi ta ribëjmë (ripunojmë) e ta shohim të përfshihet si ekzemplar i rrallë të vlerësuar si objekt trashëgimi.
– A ka detyra edhe për muzetë për ruajtjen e kësaj pasurie, që tani e vlerësuan edhe institucionet botërore?
Po, për xhubletën muzetë janë shumë të varfër. Xhubleta që para nje shekulli nga studiuesit është klasifikuar në dy tipe. Xhubleta që ka trashëguar Malësia e Shkodrës dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi, po e quajmë xhubleta klasike dhe Xhubleta e Ngushtë e krahinës së Iballes Pukë, Dukagjinit në rrethin e Shkodrës, etj. Xhubletat janë shumë të larmishme edhe brenda të njëjtës tipologji.
Studiuesit vlerësojnë si tipin më të vjetër Xhubletën e Ngushtë. Ajo ruan edhe elemente sipas studimit të antropologëve më në zë të veshjeve edhe të zanafillës së praktikimit të veshjeve nga popujt në hershmëri. Të mos keqkuptohemi; xhubleta e ngushtë nuk është veshje që në fillimin e njerëzimit, por ruan elemente (pjesë) të këtyre fillesave, siç është prapaniku ose pshtjellaku i mbrapmë. Kjo pjesë organike e xhubletës së ngushtë mungon tek xhubleta e Shkodrës, ashtu siç mungon edhe kerdhokula, por e zëvendësuar me një pjesë, që kryen edhe funksione të tjera. Për të mos u zgjatur po vëmë në dukje se mungojnë këto tipe në muzetë tona dhe variante të tjera në zbukurimore dhe pasurinë e motiveve grafike. Prandaj bie detyra që institucionet muzeore në varësi të ministrisë dhe ato në varësi të pushtetit lokal të bashkërendojnë dhe të krijojnë një Qendër Muzeale për Xhubletën. Është e domosdoshme. Kjo pasuri u shpall edhe nga UNESCO pasuri në rrezik.
-Me një fjalë si mundet ta përmbledhim veshjen me xhubletë në vështrimin e sotëm estetik?
Kjo është vështirë ti përgjigjem shkurt. Po përmend vetëm një fakt. Xhubleta në pamjen e gruas e rrit elegancën e saj, si figurë femërore dhe po përmendim se tek veshja e xhubletës ka që në hershmëri elemente (pjesë) që më vonë i përvetësoi veshja e grave moderne europiane, çanta e dorës e stolisur dhe zbukuruar e që nuk mungonte asnjëherë tek nusja e veshur me xhubletë.
-Deri tani kemi folur për pak pjesë të xhubletës, që punoheshin nga puna e mjeshtreve në ambientet shtëpiake…
Xhubleta nuk mundet të mendohet dhe është e mangët pa aksesorët: stolitës e metalit, që janë një kapitull i gjerë dhe i pafund.
1 Dhjetor 2022