Nga: Gazeta Sot

5 mars 2021

Xhubleta sipas studiuesit Jaho Brahaj është një pasuri e etnise tone e jashtëzakonshme me rrënjë, që nga lashtësia. Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi i njohur i etnografisë Jaho Brahaj thotë se nga ana shpirtërore xhubleta është një objekt shumë i rëndësishëm, pasuri e jashtëzakonshme me rrënjë, që nga lashtësia. Eshte jo vetem pasuri e ne shqiptareve, por vlere per Ballkanin dhe veshje nga me te lashtat e Europes.

Një grup pune i ngritur nga Ministria e Kulturës është marrë me përgatitjen e dosjes së xhubletës për në UNESCO.

Sipas studiuesit, xhubleta është nga veshjet tradicionale, e lidhur ngushtë me komunitetin dhe botën shpirtërore të bartësve dhe të atyre që e kanë prodhuar, që reflekton jo vetëm si kulturë materiale e shqiptarëve, por dhe si një pasuri shpirtërore. Por me problem për studiuesin e njohur është mungesa e një muzeu etnografik kombëtar. Sipas tij, fqinjët tonë xhubletën dhe pjesë të saj i kanë të ekspozuara me përzgjedhje dhe për fatin e mirë ata e shkruajnë në diçiturat që vënë, se kjo është kulturë shqiptare, ndërsa në Shqipëri nuk e kemi një muze etnografik kombetar. Duhet të kemi më shumë vëmendje për të ruajtur kostumet tona popullore, por sipas tij nuk kanë munguar dhe deformimet.

Jaho Brahaj ka botuar artikuj dhe studime në shtypin periodik e shkencor dhe ka kumtuar në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë atdheut. Libra monografik të botuar: “Il primo Albanese d’Italia”, Brindizi 1995; “Emblema Shqiptare-Gjurmime heraldike”, 1997; “Kurora Mbretërore Shqiptare” 1998; “Kronikë e Derës së Gjon Buzukut”, 2005. Flamuri i Kombit Shqiptare. Vellimin “Artikuj dhe studime për Gjeçovin”, 2009. Është fitues i çmimit për librin shkencor-historik të dhënë nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës, Tiranë në vitin 1997, për botimet historike të periudhës 1992-1997.

Kohet e fundit botoi vellimin me tregime “Balada e Mjegulluar” etj.

Ka përgatitur dhe botuar nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim të Shtjefën Gjeçovit, vëllimet “Shtyllat e Kombit” publicistikë; “Mnera e Prezës” novelë; “Tomor e Pashtrik Përpiquni” vëllim poetik, “Shqyptari Ngadhnjyes” dramë,etj.

Intervista

-Për ju si studiues çfarë përfaqëson xhubleta dhe rëndësia e saj, në trashëgiminë tonë?

Nga ana shpirtërore xhubleta është një objekt shumë i rëndësishëm, eshte nje ekspozite-galeri arti levizese me vepra arti qe pasqyrojne dhe japin mesazhin e artistik por edhe te kulteve dhe permbajtjes mitike qe populli yne i ka patur pjese te pasurise se tij shpirterore ne mijravjecar.

Nganjëherë madje shohim dhe na shfaqet qartësisht, që kemi figura grafike shumë të lashta që na vijnë nga 2 mijë vjet para erës së re, të cilat si shëmbëlltyra grafike i gjejmë dhe në pikturat shkëmbore të Ballkanit dhe më gjerë.

Për dijenite e atyre që i bënin, ato tregojnë mjeshtëri të rrallë, një nivel dhe një botëkuptim artistik të konsoliduar më skena-tabllo dhe të habitshme, sepse kemi rezonime të mrekullueshme të ngjyres se zezë mbi të zezë ose edhe nga ngjyrat, që ato përdorin dhe i harmonizojnë me njëra- tjetrën. Xhubleta nuk mund të mendohet jashtë arealit të artit te lashte, te trashëgimisë dhe të kulturës së popullit tonë siç janë arkitektura me kullën, e drejta zakonore, besimet e ndryshme popullore pagane, ritete te motmotit, që gjallonin deri vonë në malësitë shqiptare. Pastaj është e lidhur me besytnitë që ka për djepin, me kultin e femrës, me kultin e pjellorisë etj, etj.

-Sipas jush si studiues, sa kujdes është treguar për etnografinë ndër vite, pasi për specialistë të ndryshëm duhet bërë më shumë për ruajtjen e këtyre vlerave?

Unë e kam theksuar dhe më parë, që fqinjët tonë xhubletën si objekt dhe pjesë të saj i kanë të ekspozuara me përzgjedhje dhe për fatin e mirë ata e shkruajnë në diçiturat që vënë, se kjo është kulturë shqiptare. Ndërsa ne në Shqipëri si shtet nuk e kemi asnjë muze të mirëfilltë etnografik, ku xhubleta të zërë vendin që meriton, përkundrazi edhe fondet e muzeve tanë përjashtuar fondin e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA) që nuk e njohim, por fondet tona muzeale nuk kanë vëmendjen dhe në inventarin e tyre mungon larmia e pasurise të xhubletes, dhe po ngelemi që pasurinë më të madhe të xhubletës shqiptare si objekt e kanë koleksionistët. Por ajo qe eshte me e dhimbshme dhe e rrezikshme per ruajtjen e saje eshte se xhubleta në shfaqjet publike ka pësuar deformime nga më të ndryshmet.

-Kur ju thoni ka pësuar deformime xhubleta, për çfarë bëhet fjalë?

Unë dua të citoj etnografen e njohur Afërdita Onuzi, që dhe më parë ka bërë thirrje që, mos vini dorë mbi xhubletën. Jo vetëm ajo, por edhe të tjerë specialistë e kanë konstatuar që mbi xhubletën po vihet dorë, kjo eshte e pafalshme. Është tjetër problem nëse modelistë, stilistë, duan të punojnë dhe të prodhojnë objekte me motive të xhubletës shqiptare. Atyre iu lejohet, iu pranohet dhe është shumë mirë që ata e bëjnë këtë, por aty ku themi që kemi xhubletën e lashte etnike shqiptare, ajo duhet të jetë ashtu siç ka qenë, sin a e sollen brezat. Me të gjitha aksesorët, me ngjyrat, me koloritin, me mënyrat e veshjes dhe me të gjitha objektet, që ka ajo deri dhe tek frizura e flokeve te asaj e e vesh.

-Ju përmendët xhubletën, por çfarë ka ndodhur me kostumet popullore ndër vite?

Jemi i vetmi vend në Europë, që nuk kemi një muze etnografik kombëtar. Ajo që përmenda pak më lart si problem, dhe merreni me mend se sa interes kanë treguar institucionet tona për këtë. Ne jemi shtet me mbi 100 vjet traditë, me muzeologë, me studiues, me muzeume të ngritura. Nëse etnografia është pjesa shpirtërore, kulturore dhe historike e popullit tonë, neve këtë nuk e kemi të shpalosur.

Rriten brezat e kalojnë dhe ata nuk e njohin etnografinë tone, pasurin e etnise tone. Krijohet boshllëku dhe më pas dhe teori të ndryshme dhe përçudnime sipas shijeve te njerit apo tjetrit nga më të ndryshmet zene vend deformime ne trashëgiminë tonë. Kjo realishte po demonstrohet dhimbshem tek veshjet tona kombetare

-Ju folët për etnografinë shqiptare dhe vlerat e saj, si studiues çfarë ka qenë më shqetësuese?

Shqetësuese është sepse shpeshherë janë të mbushura mediat ose organet e shtypit me “konkluzione historike” te “studiuesve” qe pasi lexojne shpeshhere reportazhe a ku ta dime se cfare, media ose shtypi i paraqet si kompetente te studimeve të etnografisë ose të folklorit. Keto publikime te medias si e thame shpesh nuk i qëndrojnë të vërtetës ose janë realisht të dëmshme për publikun. Media ne drejtim te trashegimise tone, shpesh ne vend qe te vere vetullat po nxierr syte, si thote nje shprehje e popullit.

Ne tani si shtet me institucionet, që janë ngritur dhe nga botimet e mëparshme qe nga vitet ’30 te shek. kaluar kemi një literaturë mjaft të plotësuar shkencore për etnografinë, për historinë e artit, që duhet të jetë si gurthemeli për hapat e mëtejshëm te trashegimise, kushdo që do të merret qoftë në publicistikë, hulumtime, qoftë edhe në emërtime ka bazen nga fusha të ndryshme të traditës, historise dhe të trashëgimisë sonë.

-Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në tetor të vitit 1968. Çfarë ka përfaqësuar për ju ndër vite festivali i Gjirokastrës?

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës patjetër se ishte në ato kushte, ku përditshmëria edhe idealizimi i forcës udhëheqës së partisë mbizoteronte (busull orientuese), dhe duhej të ishte i pranishëm në çdo tematike të festivalit, por megjithe trysnine ideologjike festivalet Folklorike ishin një vepër madhështore e artit te popullit tone. Festivalet folklorike të bëra nje herë në 5 vjet në Gjirokastër, në Berat apo dhe në festivalet folklorike rajonale parapegatitese, që janë bërë nëpër rrethe të ndryshme vlerat jane shpalosur me madheshti. Atje në mënyrë taksative nuk lejohej, që të kishte deformim as nga më të voglat të veshjeve tradicionale popullore. Mundet që ndonjëherë janë bërë disa lehtësira në skenën e festivalit për një veshje sidomos te vallet popullore, por ama në fund të festivalit ishte paraqitja e veshjeve, që quhej Parada e Kostumeve Popullore. Në paradën e kostumeve popullore merrte vërejtje çdo rreth, ku vërejtjet ato vite para 1990 drejtoheshin tek organet e partisë ne rrethe dhe më pas te organet e pushtetit, nëse nuk kishe paraqitur realisht veshjet tradicionale popullore. Kështu që ato vite ka qenë kriter i domosdoshëm i paraqitjes me veshje tradicionale popullore. Por sot ka deformime, patjetër që nuk duhet të mohojmë edhe per sot dhe vlerat që sjellin individë të veçantë ose grupe të veçanta.

-Kur ju përmendni që kemi deformime në kostumet popullore, sipas jush sa mund të ndërhyjnë institucionet për ta ruajtur këtë pjesë të trashëgimisë sonë?

Qe në fillim kur shpallet organizimi i festivalit, të gjitha kriteret janë të qarta që jepen, që duhet të sillen ne festival, qoftë në anën muzikore, instrumentet muzikore, koreografinë popullore, në këngë apo dhe në veshjet popullore, që të jenë tipologjike folklorike. Jepen orientimet se çfarë është festivali folklorik

Më pas se çfarë del në skenë, me thënë të drejtën nuk duhet të mohojmë që ka vlera, por ka probleme shume shqetesuese, ka mosvleresim deri dhe ne percudnime .

-Me çfarë po merreni këtë kohë si studiues, ku është e fokusuar puna juaj?

Jaho Brahaj – Xhubleta s’mund të mendohet jashtë arealit të trashëgimisë dhe të kulturës tonë

Unë kam botuar para 3 muajsh edhe një vëllim me tregime. Ishte një përvojë e re, sepse unë nuk jam marrë me letërsi, por e solli koha e pandemise qe na detyroi te mbyllemi. Ka shumë vite, që po punoj për të realizuar një monografi për Ciklin e Kreshnikëve.

Titullin e kam “Lahuta e Eposit shqiptar”, dhe besoj se brenda këtij viti do të jetë e mbaruar, asnjehere nuk i dihet ecuria.

4 mars 2021, Gazeta Sot

Intervistoi: Julia Vrapi