“Jam krenar për qeverinë time”, Rama: Të prekurit nga tërmeti i trajtuam si turistë gjermanë. –
“Jam krenar për qeverinë time”, Rama: Të prekurit nga tërmeti i trajtuam si turistë gjermanë.
18 Dhjetor 2019
Kryeministri Edi Rama e quajti një punë të shkëlqyer, angazhimin e shtetit shqiptar pas tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i qeverisë la mënjanë modestinë dhe deklaroi se ndjehet krenar për ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkivë.
Ai ripërsëriti se qytetarët u angazhuan në kohë rekord në hotele luksoze dhe janë trajtuar si të ishin turistë gjermanë.
Rama thumboi qeveritë e kaluara, kur tha se Shqipëria ka kaluar fatkeqësi më të vogla, por njerëzit janë kalbur çadrave.
“Dua të shpreh ndjenjën e krenarisë time për qeverinë që unë drejtoj, për shumicën tonë qeverisëse, për të gjithë ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive që u angazhuan në vijën e parë, pas tërmetit tragjik të 26 nëntor. Nuk e di nëse dikush e kishte imagjinuar nëse qeveria do arrinte të bënte atë që bëri në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme. Ka patur fatkeqësi natyrore më të lehta dhe njerëzit janë kalbur rrugëve në çadra. Në më pak se 10 ditë, mbi 13 mijë persona janë akoduar në kushte, që kurrë më parë nuk i ka patur një banor i Shqipërisë në kushte të fatkeqësisë. Janë akomoduar në hotele luksoze si të ishin turistë gjermanë apo holandezë, me të gjitha kushtet”, tha Rama në Kuvend të mërkurën.
©Copyright Gazeta SHQIP