“Je kot në atë detyre”- Deputeti i PS kritikon ashpër Denar Bibën e Konkurrencës: – Do makina të shtrenjta të gjesh monopolet dhe tregjet abuzive
20 Korrik 2024
Deklaratat e Denar Bibës, mbi veprimtarinë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2023, ka sjellë debate të forta në sallën e Kuvendit.
Ka qenë deputeti i mazhorancës, Erion Braçe, ai që kritikoi ashpër Bibën, sa që arriti të shprehej se ky i fundit ndodhet më kot në postin e tij.
Teksa Denar Biba deklaroi se Autoriteti i Konkurrencës e ka të pamundur të hetojë të gjitha tregjet me shkelje në vend pasi nuk ka staf, makina e zyra, Braçe kërkoi prova se ku është bazuar institucioni për të pushuar monitorimin e kompanive të tregut të plehrave kimike.
Deputeti socialist theksoi se këto kompani nuk presin asnjë kupon tatimor dhe abuzojnë me çmime, duke ironizuar më pas Bibën me pyetjen retorike “Do makina të shtrenjta të gjesh monopolin në tregjet abuzive?”.
“Një autoritet që miraton shumicën e kërkesave për përqendrime, bën përshtypje kjo gjë. Keni mbyllur monitorimin e tregut të plehrave kimike pas një viti. Më bën habi që konfirmoni se në këtë treg ka vetëm dy kompani deri në 3. Kësaj radhe keni konfirmuar që çmimet e këtyre produkteve janë të ndryshme. Po si e provuat, pasi këta operojnë në të gjithë vendin dhe nuk presin një kupon tatimor. Nëse ju dilni sot dhe më tregoni një bujk që të ketë marrë një kupon tatimor që të certifikojë çmimin e një thesi me dap, me ure apo nitrat unë ua pranoj këtë që keni shkruar. Edhe pse ka filluar furnizimi në normalitet çmimi nuk ndryshon pasi dy kompani që ja dalin në gjykatë të fitojnë mbi ju dhe mbi të gjithë ne këtu, dhe mbi fermerët, arrijnë të fitojnë përsëri dhe marrin këtë nga ju”, tha Braçe.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e pyeti Bibën nëse ka një monitorim apo hetim të tregut të telefonisë celulare, e këtu ka ardhur dhe përgjigjia e kreut të Autoritetit të Konkurrencës, që irritoi deputetin e mazhorancës.
“Ne nuk mund t’i hetojmë të gjitha tregjet sepse nuk kemi staf, ndaj ne i hetojmë në mënyrë selektive dhe bëjmë fillimisht hetime, vetëm kur kemi indicie ne vijojmë hetojmë. Kemi kërkuar nga kompanitë e telefonisë informacione për tarifat për kontratat me ose pa parapagesë, nuk na janë vënë në dispozicion. Ne nuk i dimë kostot ja kemi kërkuar AKEP, por nuk i kemi akoma. Ne nuk na është vënë në dispozicion ndonjë analizë si është dalë në atë faturë që ka një paketë e telefonisë”, tha Biba.
Erion Braçe, nuk e la këtë përgjigje të Bibës të anashkalohej lehtë, duke i replikuar :
“Ku e keni vënë në rezolutë që autoriteti nuk ka zyra, që nuk ka makina. Si ka mundësi që të gjitha ato makina që sekuestroni, lihet puna e autoritetit pa u kryer dhe mos të vihen në dispozicion. Nga ato makinat që i merrni atyre modeleve që janë dhe të bukura që janë të shtrenjta dhe të shpejta se kartelet kapen shpejt e shpejt. Është kapur duopoli në telefoninë celulare thonë këta pa makinë është kapur pa makinë, me një akt heroik, dhe duhet ta vini në rezolutë. Unë e quaj të tepërt që të vazhdoni të jeni në detyrë. Jo vetëm ju si drejtues, por i gjithë bordi i autoritetit të Konkurrencës, ju jeni kot atje”