Jemi që pa ardhur deti –me poetin Lefter Çipa… –
Jemi që pa ardhur deti –me poetin Lefter Çipa…
- Libri “Jemi që pa ardhur deti”, i Akri Çipës dhe botuar nga OMBRA GVG është, siç shkuhet në faqen e parë të brendshme: “një dialog unik i poetit me nipin e tij”. Që mua më duket se shpreh një të vërtetë të librit, sepse ky dialog është patjetër i veçantë
Nga Diana Çuli
Libri “Jemi që pa ardhur deti”, i Akri Çipës dhe botuar nga OMBRA GVG është, siç shkuhet në faqen e parë të brendshme: “një dialog unik i poetit me nipin e tij”. Që mua më duket se shpreh një të vërtetë të librit, sepse ky dialog është patjetër i veçantë.
Por, le të fillojmë me autorin e pastaj me intervistën. Akri Çipa është studiues i ri, poet, që ka studiuar në Universitetin Amerikan në Bullgari e më pas ka fituar bursën e ekselencës për maste shkencor në Columbia University, SHBA. Pra, kemi të bëjmë me një brez tjetër studiuesish shqiptarë, që janë njëkohësisht europianë e perëndimorë, me pika referimi dhe hapësira mendimi që i tejkalojnë prej kohe kufinjtë tanë të ngushtë, të dikurshëm, të ndrydhur brenda kuptimërive dhe perceptimeve që i përçonim njeri tjetrit. Prandaj dhe ka shumë rëndësi zëri i tyre, i cili qëndron përmbi lokalizmën shqiptare, por që është njëherazi thellësisht shqiptar, në një pikëvështrim tjetër, të hapur, pa stereotipe, pa paragjykime dhe pa konotacione detyruese.
Një intervistë e veçantë, thamë që në fillim të shkrimit. Sepse, Akri Çipa, që i ka rënë globit mespërmes për të studiuar, interviston gjyshin e tij, poetin Lefter Çipa, që nuk ka lëvizur kurrë nga malet e Pilurit dhe nga deti i Himarës. Ai e kapërcen barrierën brezore – e natyrshme dhe e kuptueshme – dhe rikthehet në brigjet e të parëve të tij, për të mbajtur vesh zërin dhe mendimet e Lefterit. Kërkon të dijë më shumë, përveç poezive. Kërkon të kuptojë kredon estetike, gjenezën, burimin e identitetit dhe të humanizmit, botëkuptimin e njeriut që, në breg të një hapësire të pamatë dhe në majë të një lartësie të paarritshm, ka kaluar jetën duke reflektuar mbi ekzistencën, mbi të shkuarën, mbi të ardhmen, “mbi lindjet”, vdekjet, dritën, veset, dashurinë dhe fluturimet”. Nuk është thjesht poeti nga Himara – megjithë lidhjen e pashkëputshme të tij me zonën dhe me madhështinë e saj, nuk është vetëm njeriu i angazhuar për gjithçka që ndodh në botën e tij të vogël, por që në të vërtetë – si në çdo vepër letrare – përfaqëson një univers të tërë – është shqiptari i të gjitha kohërave, i mishëruar brenda një qënieje.
Akri Çipa ka realizuar një operacion estetik të tillë, që përmes pyetjeve, komenteve, mënyrës se si ka nxjerrë në pah botëkuptimin dhe kredon e poetit, e vendos lexuesin në qendër të diskurit të të dyve. Ky diskur e përthith këtë lexues me patosin e stilit, rjedhshmërinë e narracionit, thellësinë filozofike, përmasat universale. Neve, lexuesve, në fillim na hapet një deriçkë. Por, pas saj shpaloset kjo botë e pafundme, ku të duket sikur dëgjon në sfond polifoninë dhe kuptimin e saj, që poeti e shpreh me fjalët: “polifonia është një lumë që nuk luan nga shtrati i saj. Ajo pranon vetëm djepësim, djepësimin e të gjithë zërave e tund vërtetësisht një dorë. (…) Polifonia shqiptare krijon një oshëtimë qiellore, e cila të jep përshtypjen se bota qiellore është pjesë e shpirtit të saj dhe shpirti i polifonisë e gjen hapësirën e saj vetëm në kupën qiellore, në dallgëzimet e detit, në fëshfërimat e erërave, në vrapësinë e e kohës dhe në çlodhjen e vetë tokës”.
Libri nuk është vetëm një intervistë mbi poezinë dhe çështjet ekzistenciale të njeriut. Ai është pasqyrimi i përbashkët i dy brezave të ndryshëm, i shqetësimeve për jetën e përditshme, për të ardhmen e traditës kulturore, për origjinën, për shqiptarizmën e gjithë fshatrave të Himarës dhe traditat e saj të mrekullueshme, për atë “oshëtimë” të përhershme të zërave të brendshëm, për bukurinë, njerëzoren, trimërinë, dinjitetin…Për tingullin, për dashurinë, për këngën, për poetët, për rilindasit, për fëmijët, për gratë, për majat e maleve, për jehonat e detit….Për monumentet që janë ndërtuar, që mund të ndërtohen, por që, në thelb, qëndrojnë gjithnjë brenda shpirtrave të njerëzve.
E gjithë kjo botë dhe shumë më tepër se kaq është pëshkruar në këtë libër unik, në këtë bisedim estetik, filozofik e poetik, po edhe social, ndërtuar me një mjeshtëri të veçantë nga Akri Çipa. Një përsiatje e njeriut për botën që na rrethon, duke u nisur nga e njohura, për të arritur në skajet e saj, për të zbritur në thellësitë dhe për t’u ngjitur përsëri lart.
Akri Çipa me këtë libër dëshmon një aftësi të hollë të zhbirimit estetik dhe kritik letrar, të cilit i jep një dimension të gjerë e të shumëfishtë. Një mirëseardhje përgëzuese e përshëndetëse në këtë botë të vështirë, por magjike, të hulumtimit letrar!