“Jemi vend i NATO”. – Shqipëria pranon se ka dërguar pajisje ushtarake në Ukrainë, mohon të gjenden në tregun e zi
Në 10 qershor, qeveria shqiptare miratoi vendimin për dhënien e ndihmës humanitare prej 1 milionë eurosh për Ukrainën. Por a ka kontribuar Shqipëria edhe me ndihmë ushtarake?
Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksportit të Mallrave Ushtarake në Tiranë (në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes) pranon për herë të parë se Shqipëria e ka mbështetur edhe ushtarakisht qeverinë ukrainase. Por nuk u dha asnjë detaj tjetër se çfarë municionesh dhe armësh u dërguan nga Tirana zyrtare.
“Republika e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, i ka dhënë kontributin e saj shtetit të Ukrainës, nëpërmjet dërgimit të mallrave dhe pajisjeve ushtarake. Këto mallra dhe pajisje janë dhuratë e qeverisë së Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Ukrainës” – shpjegon AKSHEE për Faktoje.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në 16 qershor hodhi akuza ndaj Perëndimit, për armët që dërgon në Ukrainë, duke përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën me alibinë se ato po shiten në tregun e zi. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve hedh poshtë çdo akuzë:
“Referuar eksportit drejt shtetit të Ukrainës, mallrat ushtarake janë marrë në dorëzim nga autoritetet e qeverisë së Ukrainës, të cilët kanë konfirmuar zyrtarisht nëpërmjet dokumentit zyrtar të marrjes në dorëzim të mallrave, duke përjashtuar çdo mundësi që këto mallra ushtarake të kenë përfunduar në tregun e zi”.
Këtë konfirmim bën edhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Maksim Malaj i cili kujton edhe mbështetje të tjera ushtarake të dhëna prej vendit tonë.
“Shqipëria si çdo vend tjetër aleat i NATOS, garanton si të tjerët jo vetëm ndihmë financiare, por edhe ushtarake karshi vendeve që u rrezikohet sovraniteti. Është një veprim i drejtë dhe ka protokoll të rreptë sa i takon furnizimit me municion dhe armatim. Njësoj u veprua gjatë kohës kur isha Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura edhe me Afganistanin, ku ne dërguam edhe trupa, edhe municione, madje edhe për të trajnuar forcat afgane, atashuam një grup që quhej ekipi i OMLT”- shpjegon z. Malaj.
Megjithatë në websitin e Interpol, apeli i parë mbi grupet që po shfrytëzojnë luftën në Ukrainë u dha gjatë një takimi të mbajtur në 22 mars. Kreu i Interpol Jurgen Stock tha:
“Kriminelët përdorin çdo mundësi për të rritur fitimet e tyre të paligjshme dhe jo të gjithë ata që janë dyndur në kufirin ukrainas muajin e kaluar, po e bëjnë këtë me qëllime të mira. Do të nisin të dëgjohen armët ilegale. Ne e dimë këtë nga shumë teatro të tjera konfliktesh. Kriminelët edhe tani kanë nisur të flasin për to, si një objekt i mundshëm përfitimesh”– tha Stock.
Gazeta Dita