“Jeni vija parë e…”, Presidenti Begaj ‘habit’ me deklaratën në stërvitjen e FA në Pukë: Për mbrojtjen e vendit nuk shpenzohet
13 Shkurt 2024
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z Bajram Begaj, ishte sot i pranishëm në stërvitjen “Mbrojtja e Qëndrueshme” të Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë që u zhvillua në rajonin Luf të Pukës.
Kjo njësi e certifikuar nga NATO konsiderohet si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me Aleancën Veri-Atlantike.
Presidenti Begaj vlerësoi se stërvitja e Grup-Batalionit tregon që Shqipëria është e gatshme dhe e aftë për t’u mbrojtur dhe për të kontribuar aktivisht në mbrojtjen kolektive, sidomos në krahun Juglindor të NATO-s.
Gjatë stërvitjes u testuan kapacitetet operacionale dhe pajisjet e reja. Presidenti Begaj, duke iu drejtuar Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, u shpreh: “Në këtë mënyrë, ju dëshmoni aftësitë operacionale për të vepruar dhe kryer operacione luftarake në çdo lloj terreni gjeografik dhe në çdo lloj rrethane”.
Kjo stërvitje zhvillohet në të njëjtën kohë me “Steadfast Defender 24”, më të madhen stërvitje të NATO-s prej dekadash dhe në këtë kontekst Kreu i Shtetit vlerësoi se “ NATO po tregon se është një aleancë e fuqishme, e aftë dhe e gatshme për të mbrojtur popullsinë dhe territorin e vendeve anëtare në hapësirën Euro-Atlantike nga të gjitha kërcënimet, në një qasje 360 gradë”.
Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin krah NATO-s për Ukrainën, ndërsa u shpreh, gjithashtu, për rrezikun real të përshkallëzimit të vatrave të nxehta duke iu referuar situatës në Lindjen e Mesme, por edhe situatës së brishtë në Ballkan.
“Në këtë kontekst, stërvitja juaj merr një tjetër kuptim dhe rëndësi. Ju, si pjesëmarrës në këtë stërvitje, dhe e gjithë trupa e Forcave të Armatosura, jeni vija e parë e mbrojtjes dhe e garantimit të sigurisë dhe paqes.
Roli juaj për Shqipërinë dhe shqiptarët është jo vetëm jetik, por dhe strategjik”,– deklaroi Kreu i Shtetit.
Presidenti i Republikës theksoi, gjithashtu, rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të lidhjeve transatlantike, duke u shprehur: “NATO, që këtë vit feston 75-vjetorin, është mishërimi i mbrojtjes kolektive të një komuniteti vlerash, ku Shqipëria ka nderin të jetë pjesë.”
Ndërsa vlerësoi përparimin e Forcave të Armatosura shqiptare që nga koha e anëtarësimit në NATO, Kreu i Shtetit u shpreh se vijimi i modernizimit të tyre është çështje e sigurisë kombëtare.
“Vlerësoj çdo iniciativë në drejtim të mbështetjes së sigurimit të mirëqenies së personelit të Forcave të Armatosura, sepse për mbrojtjen e vendit nuk shpenzohet, por investohet për sigurimin e të tashmes dhe të së ardhmes”.
Ai theksoi, gjithashtu, rëndësinë e imazhit dhe të mesazhit që Forcat e Armatosura përcjellin në publik, duke deklaruar se “Mbi të gjitha, duhet të transmetojë misionin thellësisht patriotik që ju përmbushni. Ky komunikim duhet të ndodhë sidomos me brezin e ri”.
“Të jesh pjesë e Forcave të Armatosura sot nuk është thjesht një profesion, është çështje krenarie kombëtare dhe patriotizmi” , – deklaroi Presidenti Begaj në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjatë stërvitjes së Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, ku morën pjesë dhe Ministri i Mbrojtjes, Peleshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Kingji, dhe Komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral Xhebexhia.
Gazeta Sot