Ibrahim Roci

Jeta në vallëzim e Ibrahim Roçit.

Ibrahim Roçi ka lindur në Kavajë ku edhe jeton aktualisht. Sot është 77 vjeç. Ai ka bërë një punë që për shumëkënd mund të konsiderohet “punë qejfi”. Ka qenë valltar dhe jeta e tij kaluar në sheshet dhe skenat e festivaleve.

Edhe sot, e dallon shumë lehtë që Ibrahimi ka jetuar një jetë që i ka dhënë lumturi.  Ai ka arritur të ruajë një shtat të hollë e të gjatë, pavarësisht moshës.

Pasioni për kërcimin, dashuria për punën e kanë bërë atë që të spikasë në çdo skenë ku ka shkelur.

Roçi ka qenë valltar në qytetin e lindjes, ku ka jetuar një jetë të gjallë, mundësi të cilën ta jep kërcimi dhe muzika.

Vitet kanë kaluar dhe Ibrahimi nuk është më aktiv si valltar,  por nuk ka hequr dorë nga mësimdhënia duke i trashëguar dijet dhe teknikat te më të rinjtë.

Figura të tilla nuk duhen harruar asnjëherë, për kontributin që kanë dhënë në zhvillimin kulturor të qytetit dhe aktivitetet artistike që janë bërë në të.

Për këtë arsye, dy javë më parë kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, e nderoi Ibrahim Roçin  me titullin e Mirënjohjes për kontributin e tij si valltar dhe koreograf.

Aktiviteti si valltar ka bërë që ai të jetë aktiv dhe të mos i rëndojnë vitet mbi supe.

Sot ai vazhdon të angazhohet duke mësuar brezat e rinj, që përfaqësojnë Qarkun e Tiranës në festivale dhe gara të ndryshme që kanë lidhje me vallen dhe kërcimin.

Jeta

Ne kemi folur me Ibrahimin, duke e ftuar atë të na tregojë jetën e tij mes skenës dhe muzikës.

77-vjeçari na tregon se talenti i tij se valltar është zbuluar krejt rastësisht, ku në vallet e dasmave në fis, Ibrahimi binte në sy për zhdërvjelltësinë dhe finesën në kërcim.

E ftuan të bënte provat e para në Shtëpinë e Kulturës. Në atë kohë ishte 25 vjeç dhe mesa duket talentin për kërcim e kishte të lindur.

Nuk kaloi shumë kohë dhe në vitin 1967 ai i pranua si koreografi i grupit të valleve, “Remzi Gjeçi”.

Kavaja, si zemra e Shqipërisë së Mesme, në ato vite po afirmohej gjithnjë e më tepër si trevë ku traditat e valleve popullore po ruheshin dhe transmetoheshin nga brezi në brez, më mirë se në çdo trevë tjetër të rrethit të dikurshëm të Durrësit.

Ibrahim Roçi  kujton me nostalgji se iu deshën pak kohë për të filluar karrierën e valltarit në të parin Festival Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe më vonë në Festivalin e Valles së përpunuar të zhvilluar në qytetin e Vlorës në vitin 1969-1970.

Kush ka qenë artist në ato vite dhe ka marrë pjesë në këto festivale, ruan kujtimet me të bukura. Marrëdhënia me kolegët, garat për të dalë gjithmonë në krye, por edhe dëshira për të ruajtur dhe për të mbajtur gjallë traditën, i kanë bërë këto kohë të arta, për këdo që i ka jetuar.

Gara

Ibrahimi ka patur rezultate të prekshme në garat ku ka marr pjesë. Na tregon se në festivalin e Shkodrës, pjesëmarrës me Ansamblin e ish-Fabrikës së Cigareve Durrës, u shpall fitues i vendit të parë në vitin 1973. Çfarë lumturie në atë kohë!

Dashuria për artin ndikoi të Ibrahimi që ai të bëhej edhe më  kërkues ndaj vetes.

Në vitin 1976, Roçi vjen në Tiranë ku kryen kursin 6-mujor të koreografisë, ku pati fatin të punonte me koreografin e shquar Engjëll Tërshana.

Në mbarim të kursit, u specializua në vallet me motive të Tiranës.

Përgëzohet nga të gjithë, veçanërisht nga valltari dhe koreografi i madh, “Artisti i Popullit” Besim Zekthi.

Në vazhdim ai nuk do të ndahej më nga vallja e cila përveç se pasion, u bë edhe profesioni i tij. Me kalimin e viteve performancat e tij do të vinin duke u  rritur nga koncerti në koncert, deri sa në vitin 1979 do të vlerësohej me medaljen e artë “Naim Frasheri”.

Ai ka kontribuar edhe në ngritjen e grupeve të valleve në ish-kooperativat bujqësore, fermat, shkollat e ndryshme 8-vjeçare e të mesme. Në vitet ‘80 drejton grupet e valleve të pallatit të kulturës në Rrogozhinë dhe në Peqin. Disa herë, falë punës së Ibrahim Roçit grupi i Peqinit është shpallur më i miri në festivalet që organizoheshin në Elbasan.

Dhe vijmë në vitet  ’90 ku  jeta artistike e kulturore në qytet pothuajse u zhduk edhe pse Kavajës nuk i mungonin muzikantët, valltarët, këngëtarët.

Por, Ibrahimi, pavarësisht se vëmendja ndaj artit nuk ishte më si dukur, arriti të krijojë ansamblin artistik “Besa” dhe shumë shpejt, në prill të vitit 1992 i vjen ftesa për të marrë pjesë në Festivalin Folkloristik Ndërkombëtar në Ederne të Turqisë.

Kujton se mes 36 pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës, ansambli “Besa” radhitet i 6-ti. Një fillim i mirë ky rezultat i cila do të pasohej me të tjera brenda dhe jashtë vendit. Në të njëjtin vit, në shtator, në Festivalin e Shkupit, radhitet i 3-ti.
Në korrik 1995 merr pjesë në festivalin e organizuar në qytetin Sliven të Bullgarisë. Ansambli Folklorik “Besa”, me koreograf Ibrahim Roçin arriti të tërheqë vëmendjen e publikut dhe jurisë, duke bërë që pas përfundimit të performancës duartrokitjet të vazhdonin gjatë. Ibrahimi, pavarësisht punës që ka bërë në këtë drejtim, është ndjerë gjithmonë në qendër të vëmendjes, nga publiku që e ka përkrahur, por edhe nga institucionet të cilat gjithmonë  e kanë  vlerësuar.

Ibrahim Roci

Këtë medalje dhënë nga Qarku i Tiranës, e konsideron si një vlerësim dhe e bën ende më të motivuar për të vazhduar punën në edukimin e brezave të rinj.  /E.R

Gazeta Dita