Jeton me 450 pëllumba. – 53 vjeçari ka arritur të shesë një zog deri në 2500 euro
4 Janar 2023
Një 53 vjeçar nga Dukasi i Patosit tregon për Ora News pasionin e tij për pëllumbat. Ai thotë se që prej moshës 6 vjeçare e deri më sot nuk i është ndarë pëllumbave jo vetëm duke i rritur por duke i shtuar ndërsa tregon se shumë njerëz të apasionuar pas pëllumbave e kanë blerë një shpend të tillë edhe 2500 euro.
Musa Xhemaj nga Dukasi i Patosit që në moshën 6 vjeçare e deri më sot, nuk i është ndarë përkujdesjes ndaj pëllumbave.
53 vjeçari jo vetëm i ka rritur por dhe i ka shumuar, duke shtuar racat.
“Unë sot në shtëpi kam 5 ambiente pëllumbash, të racave të ndryshme. I kultivoj, duke parë kënaqsinë time shpirtërore. Gjatë viteve kam arritur ti kultivoj, por me ardhjen e demokracisë mora dhe raca të tjera,” tha ai.
Musai tregon se momentalisht ka 450 krerë pëllumbash të 6 racave të ndryshme, por ai ka arritur që të mbajë mbi 550 krerë dhe 10 raca të ndryshme pëllumbash, që nga ata hundërra të vëndit, këmbëleshë, me një dhe dy çafka, postier dhe shumë të tjerë.
“Sot aktualisht kam 450 pëllumba, janë 7 deri në 10 lloje racash,” tha ai.
Ai tregon se ka arritur që të shesë një pëllumb deri në 2500 euro, tek një shtetas nga Shijaku, në Tiranë, Pogradec.
“Një pëllumb e kam shitur 2500 euro, dhe e ka marrë një shqiptar,” tha ai.
Ai tregon se ka shumë të apasionuar pas pëllumbave, që i kanë blerë dhe i kanë çuar jashtë shtetit, pasi ai i ka të çertifikuar dhe me numër telefoni për verifikim.
Babai i dy fëmijëve na tregon se nuk ka dëshirë që këtë pasion ta trashëgojë tek dy djemtë, pasi është një punë që të jep kënaqësi shpirtërore dhe nuk të sjell të ardhura mjaftueshëm për të jetuar normalisht.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
Nga Ora News