Jo fjalë, por veprime! Çfarë pritet në protestën e 7 tetorit të opozitës? – Zhupa: Vetëm normalitet mos prisni
30 Shtator 2024
Një protestë pa fjalë, por me akte dhe veprime. Është ky skenari i protestës së 7 tetorit që deputetja demokrate, Ina Zhupa njoftoi në një lidhje me Ditarin e Bruna Çifligut në A2 CNN, pas tensioneve të sotme në parlament. Sipas saj PD, do të jetë në krye të kësaj proteste dhe i bëri thirrje çdo qytetari që t’ bashkohet.
“Po punojmë për protestën e datës 7 tetor dhe na duket gjëja më e rëndësishme ku të tregojmë forcën e çdo opozitari e qytetari që nuk pajtohet me regjimin kjo është agjenda jonë e këtyre ditëve. Nuk do të mungojmë në parlament, por do të vendosim prioritetet tona dhe agjendën tonë e vendosim ne dhe jo mazhoranca. Ka një skenar, që të jetë protestë shumë e madhe, që ndryshe nga protestat e tjera nuk do të ketë fjalime, por akte dhe veprime. Ka mbaruar koha e fjalëve që ne mund t’i thërrisnim arsyes së mazhorancës për rend kushtetues. Tani kemi nevojë për veprime dhe sot ishin disa akte që të reflektojnë të gjithë për gjendjen ku ndodhemi. Protesta skenarin do ta shfaqë atë ditë, se është edhe vullneti i qytetarëve sesi do të shkojë protesta, por PD do jetë në krye të protestës dhe i bën thirrje çdo qytetari që betejën e vet ta bëjmë të gjithë bashkë për të fituar përballë këtij narkoshteti”, deklaroi Zhupa për A2 CNN.
Po kështu edhe në seancën e së enjtes, sikurse paralajmëroi edhe deputeti Noka pak më parë, do të jetë e njëjta panoramë e tymit dhe flakëve. Deputetja demokrate tha për A2, se do të ketë gjithçka por vetëm normalitet jo. Ajo i bëri thirrje mazhorancës për qeveri teknike.
“Ju prisni gjithçka, vetëm normalitet mos prisni. gjithçka mund të ndodhë në sallën e këtij parlamenti, se ne do bëjmë gjithçka që ta kthejmë në parlament që përfaqëson qytetarët dhe jo kriminelët e narkotrafikantët vendosin se çdo bëhet me deputetët e opozitës dhe normaliteti nuk ka vend në këtë parlament. Sa më shpejt ta kuptojmë mazhoranca aq më mirë dhe sa më shpejt të shkohet në qeveri teknike se askush nuk ka më garanci se do t’i lexohet vota siç do ta hedhë”.
A2 Televizion