JO-ja e Holandës, Rama foli për “çështje të tyre të brendshme”, reagon Ambasada: – Dy shqetësimet tona, Gjykata Kushtetuese dhe Ligji për Mediat

3 nentor 2020

Pas publikimit të qëndrimit të Holandës për çështjen e negociatave dhe konferencës së parë ndërqeveritare ku deri tani ka një qëndrim negativ, ka reaguar Ambasada Holandeze në Tiranë.

Ambasada ka bërë një shpjegim në lidhje me një mbledhje sot në Parlamentin e Holandës ku është vendosur se Shqipëria duhet të plotësojë së paku dy kushte përpara Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Ndryshe nga Ambasada,  më herët kryeministri Edi Rama e ka quajtur një qëndrim politik, atë të Holandës për të mos i hapur dritën jeshile Shqipërisë për negociatat, duke e lidhur me “çështje të brendshme” të Holandës sipas tij.

Deklarata e plotë e Ambasadës Holandeze në Tiranë;

Në datën 6 Tetor, Komisioni Europian publikoi paketën e zgjerimit, pjese e së cilës ishte dhe raport progresi për Shqipërinë për 2020.

Ditën e premten, dt 3 Tetor, qeveria holandeze dërgoi në parlament vlerësimin e saj për këtë pakete zgjerimi.

Po të njëjtën ditë, Ministri Blok dhe Ministri në detyrë Cakaj patën një takim online, gjatë të cilit Shqipëria u komplimentua për progresin e bërë me reformat, pavarësisht rrethanave të vështira.

Sikurse citohet edhe në letrën dërguar Parlamentit, qeveria holandeze e njeh se Shqipëria ka vijuar të bëjë përparim në të gjitha fushat kryesore (prioritetet kyçe).

Njëkohësisht, qeveria nënvizon se është e rëndësishme krijimi Gjykatës Kushtetuese funksionale në Shqipëri, amendimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias si dhe vijueshmëria e punës me ndërtimin e track-record në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Holanda mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të mbështetur Shqipërinë në reformat e vazhdueshme në forcimin e shtetit ligjor.

Menjëherë pasi kushtet e vendosura ne Mars 2020 sipas konkluzioneve të Këshillit Europian të jenë përmbushur, do të zhvillohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare.

Sonte ka pasur një debat në parlamentin holandez në përgatitje të takimit të Këshillit Europian të Çështjeve të Përgjithshme që do të mbahet në datën 10 nëntor.

Pjesë e këtij debati u fokusua në përgjithësi për paketën e zgjerimit, përfshi edhe Shqipërinë.

h.b/dita