
Jorida Tabaku: – Programi ‘Shqipëria Madhështore’ plotësisht i realizueshëm. – PD është e provuar
25 Prill 2025
‘Programi i Partisë Demokratike është plotësisht i realizueshëm’. Kështu ka deklaruar në studion e ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV deputetja dhe kandidatja për deputet e PD, Jorida Tabaku.
Ajo u shpreh se, PD është e provuar se, ja ka dalë të ketë vitet më të mira të qeverisjes së Shqipërisë në 34 vite, dhe këtu bëhet fjalë për qeverisjen 2005-2009.
‘Buxheti i shtetit në 8 vite është vjedhur dhe këtu po them për 8 vitet e fundit, është vjedhur 1 buxhet. Me atë buxhet mund të ishin bërë gjitha premtimet që PD ka bërë tani, dhe mund të ishin të gjitha të kryera dhe të ezauruara.
PD do të kryejë një audit të plotë dhe do bëjë një analizë siç ka ndodhur në SHBA, për auditin e të gjithë institucioneve. Një ristrukturim i plotë i të gjithë ministrive, administratës publike, që nga 98 mijë ka shkuar sot 200 mijë.
Buxheti është atje, taksat janë atje, politikat ekonomike janë atje.
Vetëm politika e taksave do të sjellë shtesë në buxhet 2.5 miliardë euro që vijnë dhe çlirohen nga biznesi dhe të punësuarit, që i shkojnë konsumit dhe nxisin ekonominë.
Është e gjitha e llogaritur, e bëshme dhe e realizueshme, dhe është vetëm çështje e vullnetit politik.
Një qytetar më tha se, nuk ka pasur qeverisje më të mirë në 34 vite se qeverisja 2005-2009. Qeverisja më e mirë nga pikëpamja ekonomike, edhe nga lufta ndaj korrupsionit edhe ndaj vullnetit për të bërë gjërat.
PD është me provë. 2005-2009, është qeverisja më e mirë që mbajnë mend shqiptarët.
Ajo formulë ekonomike funksionon dhe e riktheu Shqipërinë edhe për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO, por edhe për ofertën ekonomike ndër të paratë në rajon’, tha Jorida Tabaku