Jorida Tabaku: – Sa herë Rama takohej me ish-agjentin, FBI ka pasur një nismë kundër PD!
2 Mars 2023
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në fjalën e saj në Parlament tha se çështja e skandalit të McGonigal dhe kryeministrit Rama ka nevojë për transparencë.
Tabaku citoi aktakuzën ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI, që siç thotë ajo sa herë që “Rama është takuar me McGonigal në zyrën e kryeministrisë apo në darkë në Uashington apo në Nju Jork, po aq herë ka pasur një nismë të FBI kundër PD”. A është rastësore kjo? Pyet Tabaku.
Tabaku tha gjithashu se kjo çeshtje po hetohet në SHBA, ndersa i beri thirrje SPAK qe te marre shembullin e mire.
“Fati i madh i shqiptarëve është se kjo çështje po hetohet në një vend që u krijua mbi bazat e institucioneve të pavarura dhe sundimit të ligjit. Fati i madh i shqiptarëve është se investimi më serioz i shekullit të 21 në vendin tonë nga SHBA dhe BE është pikërisht Reforma në Drejtësi. Prandaj, SPAK duhet të mësojë nga ky shembull i mirë. Nuk janë rastësi të gjitha këto prova dhe fakte të bëra publike”, u shpreh Tabaku.
Fjala e Jorida Tabakut
Prej mbi një muaji debati që duhej të zhvillohej në këtë sallë kuvendi nuk ka ndodhur e si është bërë e udhës në këtë vend, debati politik është këmbyer me një debat mediatik ku i detyruar nga presioni publik e pamë kryeministrin sa në një penxhere në tjetrën, ku lloj-lloj turli fjalësh, sulmesh e akuzash janë hedhur, kur këtu kishim nevojë veç për një gjë, të vërtetën!
E vërteta është vetëm një, është ajo që ka ndodhur, ajo që shkruhet në akuzë, ajo që shpresojmë të gjithë ta mësojmë më në detaje në një gjygj që po zhvillohet përtej oqeanit. Nuk ka disa të vërteta, nuk ka secili ttë vërtetën e tij. Dyert e Rashomon, këtu në këtë rast e në çdo rast, duhet të nxjerrin të vërtetën për atë që shumë e konsiderojnë si një nga skandalet më të rënda që ka prekur FBI e që fatkeqësisht ka një pjesë të origjinës edhe nga Shqipëria.
Shqiptarët, kërkojnë sqarime në lidhje me të vërtetat që zbulohen në aktpadinë që ka ngritur SHBA dhe që përkojnë me vendimet e qeverisë dhe përfshirjen e kryeministrit në këtë aktpadi. I kërkojnë këto përgjigje nga një debat politik;
Sot, shqiptarët janë përballë disa provave dhe fakteve që kanë origjinën e tyre nga një hetim dhe dy akuza që i janë kryer një ish zyrtari të lartë të FBI.
Akuza e parë është drejtuar ndaj ish zyrtarit të FBI sepse ai ka kryer biznes të padeklaruar, pra është korruptuar, nga oligarku rus Oleg Deripaska.
Akuza e dytë është ajo e ngritur se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë amerikanë për çështje të lidhura me Shqipërinë qoftë këto politike, përfshirë dhe një hetim kundër Partisë Demokratike.
Unë nuk bëj dot prokuroren, por sot si qytetare, si deputete dhe si anëtare e Partisë Demokratike kam nevojë për transparencë.
U deshën të kalonin pesë vjet, që shqiptarët njësoj si dhe unë, mësuam se McGonigal kishte udhëtuar drejt Shqipërisë në së paku 4 herë duke u takuar po kaq herë me kryeministrin e vendit.
U deshën pesë vite, që refreni i rublave ruse të merrte një kuptim tjetër. Një kuptim që nis nga takimet e kryeministrit me ish drejtorin e FBI dhe përfundon në tendera dhe koncesione për rublat ruse!
Dikush, me të drejtë, mund të shprehet se çfarë lidhje kanë gjithë këto? Çfarë lidhje kanë takimet e një drejtori të lartë të FBI me kryeministrin e vendit dhe akuzën ndaj Partisë Demokratike? Çfarë lidhje ka kryeministri, drejtori i lartë i FBI dhe koncesionet me rusë?
Aktpadia e ngritur nga Departamenti i Drejtësisë sqaron se ish drejtuesi i FBI ka ardhur në Shqipëri jo në një vizitë zyrtare, që nuk ka deklaruar se gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar dhe që ka dështuar të deklarojë që ka takuar kryeministrin e Shqipërisë.
Tani, natyrshëm lind pyetja; nëse një agjent FBI, vjen në Shqipëri ai në rastin më të pakët do të duhet të lajmëronte le të themi institucionet e SHBA në vendin tonë dhe nuk ka asnjë arsye të përdorte një mik të tijin që rastësisht i ka kërkuar dhe 225 mijë dollarë apo jo?
Si ka mundësi që një drejtues i lartë, një nga pesë më të lartët e FBI, vjen në Shqipëri dhe kryeministrit të vendit ia prezanton dhe ia sjell në selinë e kryeministrisë një person që në Shqipëri dhe në SHBA nuk ka asnjë funksion zyrtar?
I citoj shpesh këto detaje, pasi në opinion është hedhur ideja e gabuar nga kryeministri se detyra e drejtuesit të lartë të kundërzbulimit (pra një nga pesë personat më të rëndësishëm në FBI) është ajo e një spiuni të rëndomtë që ulet dhe takon këdo apo që vjen fshehurazi. Në fakt, mjafton të lexosh një herë të vetme aktpadinë dhe aty numërohen mbi katër veprime në kundërshti me rregulloren e FBI që ky zotëri nuk i ka përmbushur.
Sërishmi, kryeministri i Shqipërisë që ka njohje me Personin A, pretendon se nuk ka ditur kurrgjë. Nuk kam ditur. Ma kanë prezantuar! Më kanë thënë!
Mes shtatorit 2017 dhe marsit 2018 ku në aktpadi janë faktuar katër takimet e kryeministrit Rama me McGonigal, vihet re një fakt shumë interesant; sa herë që kryeministri i vendit ka takuar McGonigal në zyrën e kryeministrisë, për darkë në Ëashington apo në Neë York po aq herë ka pasur një nismë të Charles McGonigal kundër Partisë Demokratike.
A mund të jetë rastësore e gjitha kjo? Pra, a mund të konsiderojmë rastësore që McGonigal në nëntorin 2017 lajmëron një agjent të Departamentit të Drejtësisë për një rast potencial kundër lobuesit të PD në SHBA?
Që takohen në 4 mars dhe në 8 mars del një shkrim në Mother Jones?
A mendoni që Drejtuesi i Kundërzbulimit të FBI në Neë York, të angazhojë FBI-në në një hetim ku burimi i informacionit të jetë zyra e kryeministrisë dhe zyrtarët e kryeministrisë angazhohen në tejçime mesazhesh, e-mailesh, provash në mënyrë rastësore?
Si ka mundësi që drejtuesi i lartë i FBI, nuk kryen asnjë takim me prokurorë, OPGJ, Drejtorinë e Pastrimit të Parave por investohet të nisë një hetim me burim zyrën e kryeministrit Rama?
Fakti, që organi kryesor i hetimit në SHBA nuk mori asnjë informacion nga organi i akuzës në vend por gjeti burimin e të dhënave për hetimin e ngritur në zyrat e kryeministrisë. Fakti që drejtuesi i këtij hetimi, Charles McGonigal, nuk i raportoi shefave të tij dhe FBI-së njohjet e mëhershme me kryeministrin, tregon qartazi se si një miqësi në formatin quid pro quo u materializua në sajimin e komplotit të rublave ruse.
Mund të besojmë se nuk ka asnjë lidhje mes hetimit të nisur të McGonigal kundër Partisë Demokratike që vinin fill pas takimeve të kryeministrit Rama me të.
Ne, nuk mund të refuzojmë faktet. Nuk mund t’i mohojmë faktet! Nuk mund t’i tjetërsojmë faktet! Mbase, mund t’i interpretojmë! Por edhe ky interpretim nuk ka shumë gjasa të ndodhë pasi nuk ka më hapësira për interpretime si kjo që na ofron mazhoranca!
Kjo çështje nuk mbyllet dot me retorikë politike, as me akuza boshe në ajër, kjo çështje mbyllet vetëm me një hetim të plotë! Kjo çështje mbyllet vetëm përpara drejtësisë.
Se nuk ka më turp për Shqipërinë sesa t’i nxihet faqja në të gjitha mediat ndërkombëtare e kudo, se është korrptuar një drejtues i lartë i FBI.
Nuk është paguar dhe as bindur nga qeveria për të luftuar krimin, as kartelet e drogës, as për të ndëshkuar të korruptuarit, as për të luftuar korrupsionin; por është korruptuar dhe sajdisur për të ngritur një kauzë kundër opozitës.
Por në mes të gjithë kësaj mënxyre në krahun tonë, ka plot edhe për të mësuar.
Ajo çfarë ne mund të mësojmë nga gjithë kjo histori është guximi për të hetuar të paprekshmit; për të hetuar ata që stisën një histori me rubla ruse dhe përfunduan duke i dhënë vetë rublave ruse koncesione.
Gjithsesi, sot do të ishim injorantë nëse FBI nuk do të kishte nisur një hetim kundrejt ish drejtorit të saj.
Fati i madh i shqiptarëve është se kjo çështje po hetohet në një vend që u krijua mbi bazat e institucioneve të pavarura dhe sundimit të ligjit.
Fati i madh i shqiptarëve është se investimi më serioz i shekullit të 21 në vendin tonë nga SHBA dhe BE është pikërisht Reforma në Drejtësi.
Prandaj, SPAK duhet të mësojë nga ky shembull i mirë. Nuk janë rastësi të gjitha këto prova dhe fakte të bëra publike.
Nuk është rastësi që kryeministri i vendit sa herë që takohet me McGonigal, ky i fundit nis një veprim kundër Partisë Demokratike.
Nuk është rastësi që ortakët e McGonigal dhe klientët e tij kanë fituar tituj koncesionarësh dhe investitorësh strategjikë.
Në një shtet autokratik këto janë rastësi, shpifje apo sajesa. Në një shtet ku sundon ligji dhe pavarësia e institucioneve këto janë prova, fakte apo më së paku indicie e që në fund të ditës tregojnë atë që kanë vite e thonë raportet “vendi më i korruptuar në rajon”.
Gazeta Panorama