Jorita Tabaku : – Paketë anti-Shqipëri. Qeveria fal taksat për oligarkët, ndëshkon qytetarët
30 Janar 2025
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ashpër në një postim në rrjetet sociale skemën e re fiskale të qeverisë, e cila, sipas saj, favorizon oligarkët dhe ndëshkon qytetarët e ndershëm. Sipas Tabakut, në një kohë kur Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, ku pensionet janë më të ulëtat në rajon dhe çmimet rriten çdo muaj, mazhoranca socialiste po miraton ligje që falin taksat për një grusht investitorësh të lidhur me qeverinë.
“Ndërsa qytetarët e ndershëm dhe shtresa e mesme paguajnë deri në 23% tatim mbi punën e tyre, qeveria vendos të falë taksat për 10 vjet për oligarkët e ndërtimit të resorteve turistike. Ky nuk është shtet që mbështet qytetarët e ndershëm, por një regjim që ushqen një pakicë të privilegjuar,” – shprehet Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, qeveria e Edi Ramës po favorizon një grusht biznesmenësh të oborrit të Partisë Socialiste, duke u dhënë toka falas, leje ndërtimi të personalizuara dhe përjashtime nga taksat, ndërkohë që shqiptarët e zakonshëm detyrohen të paguajnë më shumë dhe marrin më pak.
“Ky nuk është socializëm, ky është klientelizëm! Ky nuk është një shtet, ky është një klub i të privilegjuarve!” – vijon Tabaku, duke theksuar se këto politika po thellojnë varfërinë dhe po përshpejtojnë largimin e qytetarëve nga vendi.
Në përfundim të reagimit të saj, Tabaku paralajmëron se më 11 maj qytetarët do të japin mesazhin e tyre të qartë kundër këtij sistemi të pandershëm: “Mjaft më! Do të rikthejmë konkurrencën dhe meritokracinë. Do të ulim taksat për ata që punojnë dhe do të ndalim privilegjet për oligarkët!”.
Ky denoncim i fortë vjen në një moment kur Shqipëria përballet me sfida të rënda ekonomike dhe një pakënaqësi të thelluar ndaj politikave të qeverisë, duke e kthyer debatin mbi drejtësinë fiskale dhe barazinë ekonomike në një çështje kyçe të fushatës elektorale.