Jozefina Topalli: – Diaspora, faktor kyç për rotacionin. – “Në 10 vitet e fundit janë larguar 1 milion shqiptarë”
15 Janar 2025
Largimi i mbi 1 milionë shqiptarëve në 10 vitet e fundit nga Shqipëria, për drejtuesen politike të PD-së, Jozefina Topalli, është një alarm. Sipas saj, Diaspora e kësaj dekade, duhet t’i japë një përgjigje të fortë me votë qeverisjes socialiste, për të garantuar rotacionin politik.
“Emigrantët duhet të bëhen faktor për rotacionin, për faktin se ata që kanë ikur vitet e fundit në ritme aq të frikshme, sigurisht nuk kanë ikur nga qejfi, por mos mundësia e përballimit të jetesës”, tha Topalli për News24.
Topalli thotë se PS, ka filluar presionet ndaj administratës, e gjithashtu po përdor ambasadat në funksion të saj.
“Ata po përdorin administratën në çdo qelizë të vetë, duke kondicionuar çdo vend pune me vendin duke i detyruar të sjellin numrin e familjarëve të tyre që jetojnë në diasporë dhe për ti kontrolluar nëse janë regjistruar”, tha ajo.
Ka një pikë ku sipas Topallit, PS është përpara, luksi dhe paratë, për të cilat PD do kundërpërgjigjet me ndërgjegje dhe moral.
“Betejën në fushën e parasë dhe luksit e kanë fituar ata. Betejën në fushën morale, etike, të perspektivës dhe ekzistencës së Shqipërisë dhe shqiptarëve është në anën tjetër”, tha Topalli.
Drejtuesja Politike e PD-së në Diasporë, u kërkon shqiptarëve që nuk jetojnë në Shqipëri, të regjistrohen në faqen e KQZ-së, për të qenë votues në zgjedhjet e 11 majit. Afati i regjistrimit është deri në datën 4 mars.