Ju kujtohen pikturat e Hieronymos Bosch? –
Ju kujtohen pikturat e Hieronymos Bosch? –
Nga Moikom Zeqo.-
Ato tregojnë një frikë të vjetër: tmerrin e shkaktuar nga përzierja e një njeriu me natyrën, një burrë me kokë derri, një kalë me kokë luani, apo një peshk me kokën e Mona Lizës.
Kështu ftillëzohet edhe surrealizmi. Sikur të gjenim një gen që vetëm me anë të tij të mund të rindërtojmë trurin e Çarli Çaplinit, apo të Georg Traklit.
Nga kjo pikëpamje mund të themi se dhe arti nuk është i shkëputur nga shkenca dhe se të dy këto entitete mund të harmonizohen tek fjalët.
Thuhet se secili njeri ka disa statuja brenda vetes, ato të paraardhësve të vet. Plasticiteti i tyre është më tepër mendor.
Ndoshta kemi hyrë në epokën e një ridimensionimi të ri të poezisë. Pse e them këtë?
Marketingu e varfëron gjuhën njerëzore. Gjuha e shitblerjes është e vetëmjaftueshme edhe me 50 fjalë. Duket sikur zhduken fjalorët, bëhen të padobishëm dhe të kotë.
Në këtë mënyrë do të zbardheshin trutë e secilit.
Atëherë poezia është e vetmja alternativë shpëtimi, që parakupton një ringjallje të të gjitha fjalëve, madje dhe një shumëfishim të fjalëve.
Nuk besoj se poezia do të zhduket. Kompjuterizimi është mekanik. Poezia nuk është mekanike. Mund të flitet për një teknologji të dyfishtë fizike por edhe shpirtërore. Shpirtërore do të thotë poetike.
Poetikja është revolucioni që sfidon vulgaritetin e llahtarshëm.
Sejcili dialog është një kërkesë, është një grishje, është një ftesë për arsyetim të thellë, është një prirje kundër robotizimit, kundër keqkuptimit të kibernetikës dhe ligjeve të logjikës njerëzore.