Kadare në Panairin e Librit në Prishtinë, shkrimtari e vlerëson si ngjarje frymëzuese
7 Qershor 2023
Në prani të shkrimtarit shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, është hapur edicioni i 23-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Mesditën e së martës, kur edhe ka nisur ekspozita e librit me temën bosht “Libri triumfon”, Kadareja ka thënë se bëhet fjalë për një ngjarje frymëzuese.
“Më vjen mirë që ndodhem pranë jush në këtë ditë kaq të bukur, kaq frymëzuese, kaq të paharrueshme që është dita e librit. Çdo populli kjo i bën një nder të madh. Ne shqiptarët për fat të keq disa herë e kemi neglizhuar, por pastaj jemi kujtuar, i jemi rikthyer. Unë shpresoj që do t’i rikthehemi më mirë më fort, më bukur në të ardhmen. Ju falënderoj për këtë pritje tejet të gëzueshme tuajën”, ka thënë ai.
Të pranishëm në këtë ngjarje kanë qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Kryetari i kryeqytetit edhe e ka shpallur të hapur ngjarjen. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për mendimin e tij, Ismail Kadare është shkrimtari më i madh i gjallë sot në botë. Sipas Kurtit, Panairi është një festival më vete.
“Çdo njeri që shëtit mes librave në Panair, ashtu sikurse mes rafteve të bibliotekës e ka mundësinë ta përfytyrojë aty për aty punën afatgjate të njerëzimit, krijimtarinë, dijen poliedrike të shoqërisë, përmasat e vërteta të historisë. Panairi është si një festival i librit”, ka thënë ai.
Janë rreth 80 shtande që strehojnë botimet e 103 shtëpive botuese.
Organizatorët kanë treguar se bëhet fjalë për 120-vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetorin e lindjes së Petro Markos dhe 100-vjetorin e lindjes së Jakov Xoxës. Po ashtu do të mbahen edhe mbi 40 aktivitete, promovime, nga autorë të pranishëm në panair.
Do të bëhet edhe promovimi i vëllimit të fundit të ditarëve të Rexhep Qosjes, një komplet prej nëntë vëllimesh. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40.000 vizitorë, përderisa deri të dielën kur edhe mbyllet, gjithsej do të ekspozohen 6 mijë tituj.