Kafja e Madhe në Shkodër shembet, Drejtoria e Monumenteve bllokon punimet
Kafja e Madhe në Shkodër shembet.
– Drejtoria e Monumenteve bllokon punimet
31 Maj, 2021
“Kafja e madhe” në Shkodër, monument kulture i kategorisë së parë është shembur! Lajmi që trishtoi dashamirësit e trashëgimisë kulturore në fundjavë mbetet ende tërësisht i paqartë. Prej vitesh ishte miratuar një projekt restaurimi për të nga Ministria e Kulturës, që parashikonte përforcim të strukturave në një anë dhe ndërtimit të objekti 2-3 në një oborr të brendshëm të saj, mbeti në letër për disa vite, duke degradimin e mëtejshëm të godinës.
Me restaurimin e fundit ne vitet 1980 ajo pat humbur shumë prej pjesëve origjinale të saj, dyer, dritare e tavane qenë rinovuar duke fshirë gjurmët e viteve 1930. Megjithëkëtë godina ishte sërish monument kulture i kategorisë së parë, që parasheh mos prekjen e saj as në fasadë as në brendi. Dëmtimi i çatisë solli ndër vite rrënimin e pashmangshëm dhe ditë më parë Kafja E Madhe e qytetit verior humbi tërësinë e mureve të saj, përveç fasadës.
Në vazhdën e zhbërjes së pakthyeshme të kujtesës, humbja e saj mbetet në ndërgjegjen e aktorëve të përfshirë dhe zërit pasiv të një shoqërie që reagon tepër vonë, e që pas humbjes së Teatrit Kombëtar, është atrofizuar megjithatë.
PEZULLIMI
Mbetet e paqartë se pse me një projekt restaurimi të miratuar prej vitit 2016, godina shembet 5 vite më vonë. Një shkresë pezullimi e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër nuk gjen fajtorë per çka ka ndodhur tashmë. Shkresa e firmosur nga drejtoresha Majlinda Laçaj, kërkon veçse projektin e 2016-es, duke i kërkuar kompanisë që për të vazhduar punimet t’i drejtohet Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë. ” Ndodhur në këto kushte për të zbatuar punimet në këtë objekt ju duhet t’i drejtoheni Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (institucioni përgjegjës) për shtyrjen e afatit të punimeve në mënyrë që të realizohet zbatimi i këtij projekti” thuhet në shkresën e firmosur nga Laçaj. Në të njëjtën shkresë shtohet: “Sipas mediave lokale punimet në këtë objekt kanë filluar. Ndodhur në këto kushte kërkojmë nga ana juaj pezullimin e punimeve deri në marrjen e masave si dhe plotësimin e dokumentacionit të duhur të projektit”. Pas shembjes se Kafes së Madhe në Shkodër, Drejtoria e Monumenteve bllokon punimet.
BallkanWeb