Kaja Kallas, kryeministrja e europiane që konsiderohet si “Zonja e Re e Hekurt”
9 Tetor 2022
Nëna e Kaja Kallas ishte vetëm gjashtë muajshe kur ushtarët e Bashkimit Sovjetik e ngarkuan atë në një makinë bagëtish, për ta dëbuar në një kamp-burg në Siberinë e lartëg. Deri në moshën 10 vjeçare ajo nuk do të kthehej në shtëpinë e saj në Estoni.
Sot, vajza e saj është kryeministrja e Estonisë dhe zëri më i fortë i Evropës kundër Vladimir Putinit, të cilin ajo e quan “terrorist” dhe “kriminel” që duhet të përballet me drejtësinë për krimet e luftës në gjykatat ndërkombëtare.
Kallas ishte liderja e parë që uroi Ukrainën për shkatërrimin e një ure kyçe që lidh Rusinë dhe rajonin e aneksuar të Krimesë, dhe e bëri këtë edhe pse Kievi nuk kishte marrë përgjegjësinë për sulmin.
“Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë,” i tha Kallas The Telegraph në Pragë gjatë samitit të mbajtur në Pragë të Republikës Çeke ku ajo ripërsëriti thirrjet për më shumë sanksione ndaj Moskës dhe më shumë armë për Kievin.
Asnjë vend tjetër në botë nuk ka dërguar më shumë pajisje ushtarake në Ukrainë, në raport me përqindjen e PBB-së për frymë sesa Estonia –kombi i vogël baltik me vetëm 1.3 milionë banorë, që kufizohet me Rusinë dhe doli nga Perdja e Hekurt në vitin 1991 kur edhe fitoi pavarësinë.
Jo më kot kryeministrja e parë femër e Estonisë, e cila e quan luftëtaren e ftohtë Margaret Thatcher “një frymëzim”, është quajtur “zonja e re hekurt” e Evropës.
Kallas i ka bërë thirrje rusëve të refuzojnë mobilizimin, dhe në të njëjtën kohë të mos largohen nga vendi i tyre, por të qëndrojnë duke u përpjekur të rrëzojnë Putinin.
Zonja Kallas, një nënë 45-vjeçare e tre fëmijëve, u dallua me fustanin e saj blu mes 44 liderëve të Europës, kryesisht meshkuj, të cilët u mblodhën për takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian në Pragë, ditën e enjte.
Kallas kishte kritikuar Francën dhe Gjermaninë për presionin për një marrëveshje të hershme paqeje më herët gjatë konfliktit.
Që nga gushti, Estonia ka dërguar 250 milion euro ndihmë ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë raketa antitank Javelin, mina antitank, granatahedhës, municione dhe automjete.
Kallas ishte 11 vjeç kur babai i saj Siim e çoi në Berlinin Lindor dhe në Portën e Brandenburgut në vitin 1988, një vit para rënies së Murit të Berlinit.
“Babai im më tha, ‘merr frymë thellë, është ajri i lirisë që vjen nga ana tjetër”, kujton ajo.
“Kam lindur nën okupimin sovjetik. Më kujtohet koha sovjetike. Unë isha një brez që jetonte pa liri. Kështu që unë nuk e marr si të mirëqenë dhe e kuptoj vlerën e saj”, thotë Kallas.
Gazeta Sot